Yield-i mesatar i borxhit të brendshëm publik pësoi rënie gjatë 2025, pas tre vitesh radhazi në rritje.

Sipas të dhënave nga Ministria e Financave, yield-i mesatar për të gjitha letrat me vlerë të borxhit të emetuara në tregun e brendshëm në fund të vitit 2025 ra në 4.23%, nga 4.56% që kishte qenë në fund të vitit 2024.

Duke përjashtuar portofolin e bonove të financuar nga Banka e Shqipërisë, yield-i mesatar ka arritur në 4.35%, nga 4.65% që kishte qenë në fund të vitit të kaluar. Aktualisht, yield-i mesatar i borxhit të brendshëm ka arritur nivelin më të ulët të katër viteve të fundit.

Yield-et e bonove dhe obligacioneve në përgjithësi kanë shfaqur një tendencë rënëse gjatë vitit 2025, duke ndjekur uljet e normës bazë të interesit nga Banka e Shqipërisë, por edhe falë gjendjes së mirë të likuiditetit në treg dhe kërkesës së lartë nga investitorët.

Yield-et e bonove të thesarit madje qëndruan në përgjithësi poshtë normës bazë të interesit, ndërsa yield-et e obligacioneve afatgjata prekën në gjysmën e parë të 2025 edhe nivelet më të ulëta historike.

Përmirësimi i vlerësimit të kreditit nga agjencitë e specializuara vitin e kaluar ka ndikuar në hyrjen për herë të parë në tregun e titujve të qeverisë në Lekë edhe të investitorëve nga jashtë vendit.

Në muajin mars 2025, agjencia e vlerësimit “S&P Global Ratings” përmirësoi për të dytin vit radhazi vlerësimin afatgjatë të borxhit sovran, nga “BB-” në “BB”, me perspektivë të qëndrueshme.

Yield-i mesatar i borxhit ka pësuar rënie, megjithëse Ministria e Financave ka vijuar të rrisë maturitetin mesatar, nëpërmjet shtimit të peshës specifike të instrumenteve afatgjata në strukturën e huamarrjes së re.

Në fund të vitit 2025, maturiteti mesatar i instrumenteve të borxhit të brendshëm u rrit më tej në 1002 ditë, nga 923 ditë që kishte qenë në fund të vitit 2024. Rritja e maturitetit mesatar të borxhit të brendshëm është një tendencë disavjeçare, që Ministria e Financave e ka ndërmarrë me qëllim uljen e rrezikut të rifinancimit.

Borxhi i brendshëm i qeverisë shqiptare në fund të vitit 2025 arriti në afërsisht 832 miliardë lekë,  me një rritje të vlerës nominale prej 5.5% krahasuar me një vit më parë. Në terma realë, borxhi i brendshëm publik vlerësohej sa 31.48% e PBB-së, në rënie nga niveli prej 31.31% që kishte qenë në fund të vitit 2024.

Gjithmonë sipas Ministrisë së Financave, Borxhi publik total në fund të vitit 2025 ishte sa 53.04% e PBB-së, nga 54.21% që kishte qenë në fund të vitit 2024./Monitor