Ndërtuesit nuk po deklarojnë pagat reale të punonjësve të tyre. Ministri i Financave Petrit Malaj në konferencën me gazetarët foli për aksionin që kanë nisur në terren tatimet për nëndeklarimin e pagave, duke theksuar se të gjithë subjektet që nuk kanë reflektuar nga mesazhet ndërgjegjësuese do të jenë subjekt i kontrolleve të thelluara.

Rreth 25% e punonjësve deklarohen me paga 40–50 mijë lekë, 22% me paga 50–70 mijë lekë, ndërsa vetëm 7% rezultojnë me paga mbi 120 mijë lekë. Ministri theksoi se këto shifra nuk përputhen me realitetin e tregut

“Tregu ofron paga të tjera që janë më të larta. Në ndërtim kemi konstatuar nëndeklarim të pagave. Do orientohemi në formalizimin e tregut të punës, në rritjen e deklarimit të pagave por edhe në rritjen e xhiros së deklaruar. Te gjithë jemi të vetëdijshëm që tregu ofron paga shumë më të larta se ato të deklaruara në ndërtim”, tha Malaj.

Administrata Tatimore ndërmori në nëntor 2025 një fushatë informimi dhe ndërgjegjësimi, duke dërguar 13 mijë e 418 mesazhe të personalizuara për subjektet që operojnë në sektorin e ndërtimit. Pas kësaj nisme, 118 mijë punonjës të këtij sektori patën rritje page me rreth 9% në muajin dhjetor 2025, krahasuar me shtatorin e po atij viti.

“Tatimet nën nëntor 2025 ndërmorën një nisëm të ndërgjegjësimit të këtyre subjekteve, pasi në themel të punës sonë nuk është ndëshkimi, por ndërgjegjësimi që të përmbushin detyrimet tatimore.  Janë 13.418 mesazhe të personalizuara ndaj subjekteve që operojnë në sektorin e ndërtimit. Pas mesazheve 118 mijë punonjës të këtij sektori patën rritje të pagave me 9% në muajin dhjetor 2025, krahasuar me shtatorin 2025 duke arritur në 78 mln euro. Ky sektor vuan mungesën e krahut të punës dhe pagat që deklarohen në këtë sektor nuk reflektojnë realitetin që përballet sektori i ndërtimit. Kemi subjekte që ende nuk kanë reflektuar, këto subjekte janë identifikuar dhe do jenë objekt kontrolli i thelluar nga administrata tatimore. U bëj thirrje të bëjnë reflektimet dhe të përmbushin të gjitha detyrimet që ua ngarkon ligji”, tha Malaj.

Kontrollet do të përfshijnë vetëm tek ato subjekte që nuk kanë respektuar pagat dysheme të caktuara nga tatimet prej 1 dhjetorit 2025. Me përjashtim të sanitarëve që do të kenë si dysheme pagën 60 mijë lekë, të gjithë të punësuarave e tjerë nuk duhet tu deklarohet rrogë nën 80 mijë lekë. Me këtë listë të tatimeve pagat dysheme në ndërtim e rritin automatikisht rrogën mesatare të sektorit nga 68 mijë lekë në 85 mijë lekë.

Ndërkohë, ministri Petrit Malaj bëri me dije për Report Tv se procesi i rivlerësimit të pronave do të nisë në muajin shkurt. 

“Ky ligj ka hyrë në fuqi më datë 22 janar dhe udhëzimet që shoqërojnë pritet të miratojmë shumë shpejt, brenda gjysmës së parë të muajit shkurt do kemi udhëzimet përkatëse që të vijohet me procesion rivlerësimit”, tha Malaj.

Për rivlerësimin e pronave tatimi do të jetë 5%, nga 15% që paguhet aktualisht nëse shet pronën. Tatimi paguhet për diferencën e vlerës mes asaj të regjistruar në kadastër dhe asaj me të cilën shitet.

Lajmi në përditësim.....

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 11:18
Sigurimi i detyrueshëm i banesave ndaj tërmeteve, Malaj: Projektligji do miratohet së shpejti në qeveri

Projektligji për sigurimin e detyrueshëm të banesave ndaj tërmeteve do të miratohet së shpejti në Këshillin e Ministrave, tha ministri Petrit Malaj. Ai tha se primi do të jetë lehtësisht i përballueshëm nga qytetarët shqiptarë. Sipas Ministrit, primi dhe sigurimi i pronave do bëhet dhe do menaxhohet nga shteti. 

“Kemi përfunduar procesin e konsultimit dhe shumë shpejt ky ligj kalon për tu miratuar në Këshillin e Ministrave pastaj në komisionet parlamentare. Sa i përket primit, do jetë një prim lehtësisht i përballueshëm nga qytetarët shqiptarë. Pr.ligjin mban parasysh se për ato familje që mbështeten me ndihmë ekonomike, do subvencionohen nga shteti. Do jetë ligj i mirë për vetë faktin se primi dhe sigurimi i pronave do bëhet dhe do menaxhohet nga shteti. Do jetë shoqëri sha, s ai përket fatkeqësive të tjera natyrore ne nuk e kemi të parashikuar në këtë ligj”, tha Malaj.

Ora 11:13
Malaj për Report Tv: Rivlerësimi i pronave nis në shkurt, së shpejti aktet nënligjore

Rivlerësimi i pronave do të nisë në muajin shkurt, bëri me dije ministri Petrit Malaj për Report Tv. Ministri Malaj i tha gazetares Eliza Gjediku se shumë shpejt do të miratohen dhe udhëzimet përkatëse me qëllim që të nisë procesi i rivlerësimit.

“Ky ligj ka hyrë në fuqi më datë 22 janar dhe udhëzimet që shoqërojnë pritet të miratojmë shumë shpejt, brenda gjysmës së parë të muajit shkurt do kemi udhëzimet përkatëse që të vijohet me procesion rivlerësimit”, tha Malaj.

Për rivlerësimin e pronave të paluajtshme propozohet që tatimi të jetë 5%, nga 15% që paguhet aktualisht nëse shet pronën. Tatimi paguhet për diferencën e vlerës mes asaj të regjistruar në kadastër dhe asaj me të cilën shitet.