Ka nisur në Tiranë eventi ndërkombëtar i padelit një sport i ngjashëm me tenisin që ka sjellë në Shqipëri emrat më të njohur të këtij sporti. Ndeshjet kualifikuese po mbahen në sheshin Skënderbej që nga e diela, ndërsa nga 26 deri më 31 maj do të jenë ditët zyrtare me sfidat elitare të këtij sporti. Për t’i ndjekur nga afër në 4 fushat e ngritura enkas në Tirana ka edhe shumë turistë.

“Duhet të theksoj që ata marrin pjesë dhe kanë ardhur janë emrat ndërkombëtar më të rëndësishëm në sportin e padelit. Patjetër që ne duam se përmes këtyre emrave, përmes këtyre figurave dhe sportit të padelit kanë ardhur edhe shumë turistë”, tha Endrit Hoxha, zv.ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit

Në eventin ndërkombëtar të ‘FIP Platinium Albania’ do të marrin pjesë më shumë se 200 sportistë elitarë, pasi ky kampionat ndërkombëtar organizohet nga Federata Ndërkombëtare e Padelit. Fushat e ndërtuara do t’i mbeten federatës shqiptare të këtij sporti.

“Është lajm që ne kemi marrë white card, sportistët tanë të Padelit. I urojmë sukeses ekipit tonë kombëtar. Çfarë shikoni sot është një punë e filluar një vit e gjysmë më parë. Kemi bërë një garë, një konkurs dhe kemi përmbushur disa kritere.

Është një nga eventet që renditet në kalendarin botëror pasi ky evenet bëhet në Miami, Doha, Milano, Romë dhe tani në kalendar renditet edhe në Tiranë. Kemi arritur shumë, nuk ka qenë e lehtë që ta sillnim këtu dhe kostot kanë qenë të larta. Do ta shijojnë jo vetëm turistët, por edhe ata që ne do ftojmë. Shkollat do të jenë këtu nga nesër duke parë, por edhe duke luajtur. Në ditët e fundit të finaleve ne do të hapim fushat për këdo që do të vijë dhe të luajë, të provojë. Fushat do të jenë të hapura”, shtoi ai.

Ky aktivitet ndër të tjera ka edhe për qëllim masivizimin e këtij sporti. Përveç lojtarëve të huaj do ta marrin pjesë edhe ata shqiptarë, të cilët në kushte të tjera do ta kishin të vështirë për të garuar.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 15:35
Gati për ndeshjet elitare të padelit, Gonxhja: Atmosferë unike në Tiranë, pjesmarrës 200 sportistë

 

Nga nesër në Sheshin ‘Skënderbej’ do të nisin ndeshjet e sportistëve elitarë të padelit, në akudër të eventit ‘FIP Platinium Albania’. Minitri i Turizimit, Kulturës dhe Sportit Blendi Gonxhja thotë se publikun e pret një super atmosferë në Shesh, ku çdo ndeshje do të mund të ndiqet falas. Një event që pritet edhe promovim për Tiranën.

“Nga Sheshi “Skënderbej”, i cili është transformuar në kryeqendrën ndërkombëtare të Padel-it.

Nga nesër, 26 deri më 31 maj, këtu do të zhvillohet një nga turnetë më të rëndësishëm ndërkombëtarë të këtij sporti modern dhe shumë popullor, FIP PLATINUM ALBANIA, me pjesëmarrjen e mbi 200 garuesve elitarë, vizitorëve dhe tifozëve nga vende të ndryshme të rajonit e të botës. Një superatmosferë unike sportive, e hapur për të gjithë, me hyrje të lirë, që sjell energji, edukim, turizëm dhe promovim për Tiranën dhe Shqipërinë,”-thotë Gonxhja.