Qenka zbuluar armiku më i madh i demokracisë shqiptare. Jo korrupsioni. Jo krimi. Jo varfëria. Një… arkitekt.

Një arkitekt i huaj paska shkruar një letër satirike, ku i thotë Edi Ramës: “Je autokrat, por me shije estetike. Madje, kot lodhesh edhe me zgjedhje.”

Për çdo njeri me dy gram sens humori, kjo është një hiperbolë satirike. Një tallje. Një ironi që godet pikërisht paradokset e pushtetit.

Por jo. Revolucioni ynë nuk njeh ironi. Ai njeh vetëm dosje penale.

Brenda pak orësh, satira u promovua në “agjitacion e propagandë”, “thirrje kundër demokracisë”, “rrezik për rendin kushtetues”. Mbetet vetëm që dikush të kërkojë ekspertim grafik për të provuar se edhe presjet në letër kanë qëllim kriminal.

Me këtë ritëm, do të duhet të arrestohen edhe autorët e komedive. Edhe karikaturistët. Edhe aktorët që luajnë diktatorë në teatër. Sepse, sipas logjikës revolucionare, nëse e interpreton një autokrat në skenë, je bërë autokrat. Nëse shkruan një satirë për diktaturën, je propagandist i diktaturës.

Kjo është arsyeja pse fanatizmi nuk ka pasur kurrë sens humori. Ai nuk di të qeshë. Di vetëm të denoncojë.

Revolucioni, kur i hipën temperatura, fillon gjithmonë me parullën “Poshtë tirania!” dhe përfundon me urdhrin “Arrestoni humoristin!”

Në fund, nuk është letra që të shqetëson. Është fakti që dikush e lexon satirën si kallëzim penal. Dhe ky është një lajm shumë më interesant sesa vetë satira.

Sepse kur humori përfundon në SPAK, problemi nuk është më autori i humorit. Problemi është ai që ka humbur aftësinë për ta dalluar të qeshurën nga krimi.