Temperaturat e larta që kanë përfshirë vendin gjatë këtyre ditëve të verës po ndikojnë ndjeshëm në shëndetin e qytetarëve, veçanërisht tek të moshuarit, fëmijët dhe personat që vuajnë nga sëmundje kronike. Vapa e fortë, ekspozimi i zgjatur në diell dhe humbja e lëngjeve mund të shkaktojnë lodhje, dehidratim, ulje të tensionit, por edhe komplikacione më serioze nëse nuk tregohet kujdesi i duhur.

Në emisionin “Rreze Dielli” në Report Tv, specialisti i bimëve mjekësore Ylli Merja dha këshilla të rëndësishme për menaxhimin e temperaturave të larta dhe mënyrat natyrale për të mbrojtur organizmin gjatë sezonit veror.

“Stina e verës është e këndshme, por temperaturat e larta duhet të menaxhohen në të mirën e shëndetit dhe duhet të kujdesemi që vapa të mos na dëmtojë”, thekson Merja.

Kush janë më të rrezikuar nga temperaturat e larta?

Sipas specialistit, grupet që preken më shumë nga vapa janë:

  • Të moshuarit, të cilët zakonisht pinë më pak ujë dhe e kanë më të vështirë rregullimin e temperaturës së trupit.
  • Foshnjat dhe fëmijët e vegjël, pasi sistemi i tyre i termorregullimit nuk është zhvilluar plotësisht.
  • Personat me sëmundje kronike si hipertensioni, sëmundjet e zemrës, diabeti, sëmundjet e veshkave, mushkërive dhe obeziteti.
  • Gratë shtatzëna, tek të cilat nxehtësia mund të shkaktojë lodhje, ulje të tensionit dhe ënjtje.
  • Personat që përdorin medikamente si diuretikë, barna për zemrën, antidepresivë apo antihistaminikë.
  • Punonjësit që ekspozohen për orë të gjata në diell, si ndërtuesit, bujqit dhe punëtorët e rrugëve.
  • Sportistët dhe personat që kryejnë aktivitet fizik në temperatura të larta.

Simptomat që nuk duhen neglizhuar

Merja këshillon që çdo sinjal që jep organizmi gjatë ditëve të nxehta të merret seriozisht, sidomos nga të moshuarit dhe personat me probleme shëndetësore.

“Simptomat paralajmëruese nga i nxehti janë etja e fortë, lodhja, marramendja, dobësia, të përzierat, dhimbja e kokës, rrahjet e shpejta të zemrës, konfuzioni, humbja e vetëdijes, lëkura shumë e nxehtë dhe përgjumja”, shpjegon ai.

Këshillat kryesore për të përballuar vapën

Specialisti rekomandon:

  • Të pini ujë rregullisht, pa pritur të ndieni etje.
  • Të monitoroni tensionin arterial dhe nivelin e sheqerit në gjak.
  • Të mos ekspozoni insulinën apo medikamentet në temperatura të larta.
  • Të konsumoni më shumë perime dhe ushqime të lehta.
  • Aktiviteti fizik të kryhet para orës 10:00 të mëngjesit ose pas orës 18:00.
  • Të shmangni ecjen zbathur në sipërfaqe të nxehta.
  • Të kërkoni ndihmë mjekësore nëse simptomat bëhen të rënda.

Merja ndalet veçanërisht te personat me diabet, të cilët duhet të tregojnë kujdes të shtuar gjatë verës për të shmangur komplikacionet, veçanërisht në këmbë.

“Personat me diabet, sidomos mbi 50 vjeç, mos krijojnë komplikacione nga ushqimi i tepërt; konsumoni tri vakte ushqimi me më shumë karbohidrate. Mos ecni zbathur në rërën e nxehtë. Mos lini të infektohen këmbët, të shmangen plagët në këmbë. Neuropatia diabetike mund të mos dallojë rërën e nxehtë, e cila mund të djegë lëkurën e këmbës”, këshillon Merja.

Ai shpjegon se gjatë vapës zemra punon më shumë për të ruajtur qarkullimin e gjakut, ndërsa organizmi humbet sasi të konsiderueshme uji dhe kripërash minerale përmes djersitjes. Në vapë mund të shfaqen ënjtje të këmbëve, rëndesë, ngërçe, përkeqësim i insuficiencës venoze. Rreziku i dehidratimit rritet ndjeshëm, sidomos tek personat mbi 60 vjeç, të cilët duhet të konsumojnë ujë në intervale të rregullta gjatë gjithë ditës.

Çajrat bimorë që ndihmojnë në hidratim

Sipas specialistit të bimëve mjekësore, natyra ofron një sërë alternativash të dobishme për të ndihmuar organizmin gjatë verës.

“Mendra e butë, murrizi, menta e ujit, molla e egër, hibiscusi, bishtamithi dhe frutat e pyllit janë ndër bimët më të rekomanduara për përgatitjen e çajrave freskues dhe hidratues”, thotë Merja.

Këto bimë mund të përdoren për përgatitjen e çajrave të ftohtë ose të vakët, të cilët ndihmojnë në hidratimin e organizmit, freskimin e trupit dhe përballimin më të lehtë të temperaturave të larta gjatë ditëve të verës. Gjithashtu për të zëvendësuar mineralet që humbet trupi nga djersitja, konsumoni çaj me kumbulla dhe kajsi si dhe çaj me nenexhik, mente e limon, të cilat janë rigjeneruese shumë të mira.