Qershitë nuk janë vetëm një nga frutat më të dashura të verës, por edhe një “ilaç” natyral që natyra na e sjell pikërisht në momentin kur organizmi ka më shumë nevojë për energji, pastrim dhe rigjenerim. Muaji qershor konsiderohet edhe muaji i qershive dhe, përtej shijes së tyre të ëmbël, këto fruta të vogla fshehin vlera të jashtëzakonshme ushqyese dhe kuruese.

Të pasura me antioksidantë, vitamina dhe minerale, qershitë ndihmojnë në luftimin e inflamacionit, përmirësimin e gjumit, pastrimin e organizmit dhe mbrojtjen e zemrës. Por, a janë të dobishme për të gjithë? Sa qershi duhet të konsumojmë në ditë? Dhe cilat janë gabimet që bëjmë më shpesh në konsumimin e tyre?

Nutricionisti Altin Joka, ekspert i mjekësisë holistike, u ndal në “Rreze Dielli” në Report TV për të folur më shumë mbi përfitimet e qershive dhe ndikimin që ato kanë në shëndetin tonë.

“Qershitë nuk kanë kalori të larta. Ato kanë sasi të mirë uji, fibra, karbohidrate, vitaminë B, kalium, magnez, fosfor, bakër dhe mangan. Janë anti-inflamatore, përmbajnë gjithashtu antocianina, të cilat mbrojnë zemrën dhe trurin dhe kanë efekt antitumoral. Qershitë janë shumë të mira për dhimbjen e kyçeve dhe problemet me artritin. Ato përmbajnë kuercetinë, melatoninë, acid elagjik, antioksidantë, polifenole, betakaroten, luteinë dhe acide që ndihmojnë tretjen. Kanë fibra dhe probiotikë. Qershitë përmbajnë edhe triptofan natyral, duke sjellë humor dhe qetësi. Për shkak të ndikimit që kanë te acidi urik, ato ndihmojnë në eliminimin e infeksioneve urinare, bëjnë mirë për veshkat dhe ndihmojnë në largimin e toksinave”, theksoi Joka.

Sa është doza ditore që duhet të konsumojmë?

Sipas Jokës, një grusht qershi është i mjaftueshëm. Personat me diabet mund të konsumojnë 8-10 kokrra qershi. Por kujdes duhet të kenë edhe personat e ndjeshëm, pasi qershia ka sorbitol natyral, i cili ndikon në tërheqjen e ujit në zorrë dhe kjo sjell fryrje dhe diarre.

“Ata që kanë probleme me disbiozën e zorrës duhet të kenë kujdes në konsumimin e tyre”, këshillon Joka.

Mos i hidhni bishtat e qershive!

Bishtat e qershive ndihmojnë në pastrimin e veshkave, në largimin e toksinave nga trupi dhe përdoren shpesh kur kemi probleme me alergjitë ose celulitin, por edhe kur kemi konsumuar ushqime me shumë kripë.

Qershitë e zeza kanë vlera ushqyese më të larta se qershitë e tjera. Kujdes nëse i vendosni në frigorifer: mos i lani para se t’i fusni në frigorifer, sepse prishen më shpejt. Ruajini në temperaturë të ftohtë dhe të thatë. Qershia mund të shkaktojë alergji, ndaj kini kujdes nëse jeni alergjikë ndaj polenit.