Dalja në skenë pas megaoperacionit të SPAK kundër grupeve të frikshme kriminale në vend, apo edhe raste terrori e dhunë që kanë ndodhur, si ngjarja tragjike me avokatin Sokol Mëngjesi, sjellin një alarm të shtuar për veprimin e shtetit ndaj keqbërësve.

Trupa e Policisë së Shtetit në vend, ka qenë në këto 30 vjet, viktima më e madhe e politikës së militantizmit. Që shikohet shumë kollaj në televizionet e darkës. Ku ish-krerët e policisë akuzojnë kolegët e tyre si të lidhur me krimin, ndërkohë që kemi pasur një skemë ku për 8 vjetë oficerët e policisë vishnin uniformën e për 8 vjet të tjera, sulmonin policinë edhe me armë në protestat e dhunshme në rrugë.

Shqipëria deri më sot nuk e ka arritur të krijojë një trupë policore, sidomos atë të nivelit drejtues, që të mos preket nga ndryshimet politike, siç ndodh në vendet e BE-së si Itali, Greqi etj, por edhe vende të rajonit si Serbi, apo edhe Maqedoni e Veriut.

Gjithçka u thye atëherë ku sfida ishte e madhe, me rrëzimin e komunizmin. Ku policia e gjithëfuqishme dhe me një pushtet milimetral në territor u zerua. Me teorinë e thirrjes në skenë të “njerëzve nga jeta civile”. Ku mësuesit e fiskulturës u kthyen në shefa komisariati apo drejtorë policie, ku inxhiniera mekanikë u emëruan komandantë të ndërhyrjes së shpejtë, ku mësues matematike, u bënë agjentë sekretë dhe antikrim.

Kur Shqipëria kishte një fat të madh që nuk e kishin shumë vende të tjera të rajonit, ku zotëronte një masë të madhe ushtarakësh aktivë, super të përgatitur, që mund të ishin krejt normalisht në oficerët e rinj të ruajtjes së rendit publik. Por jo, këta njerëz të kualifikuar e të trajnuar për luftë, u nxorrën në rrugë për të shitur banana, rraqe të vjetra, apo rrugëve të emigrimit për të përgatitur llaç e beton.

Vendet e mëdha europiane: Italia, Franca, Spanja, por edhe të tjera në rajon si Serbia për shembull, kanë trupa të rregullt xhandërmarie, që janë pjesë permanente e forcave të ruajtjes së rendit, në krah të policisë së shtetit.

Propozimi që Shqipëria të ketë një trupë xhandërmarie ka qennë i vjeter tek ne, madje edhe nga aktorë politikë. Për shembull Genc Pollo, ka qenë i pari që pas ngjarjeve të vitit 1997, e solli edhe zyrtarisht në Parlamentin shqiptar.

Po çfarë mund t’i sjellë Shqipërisë një trupë xhandërmarie?

Shumë thjesht: Një armatë e gatshme, permanente, që rri në kazermë dhe ka një shpërndarje në territor për të ndihmuar policinë e shtetit.

Xhandërmaria natyrisht nuk është një trupë që mund të veprojë në territore urbane, siç e ka eksperienca rreth e rrotull. Ajo ka kazermat e saj në territore ku stancionet e policisë nuk janë afër. Për shembull në Siçilinë ku Cosa Nostra ka pasur një fuqi në territor, karabinierët mbrojnë rendin public aty ku policia nuk ka mundësi. E luftën ndaj krimit të organizuar e luan policia, karabinierët merren me dhunën, terrorin, e krimin në zona.

Ndërkaq, një trupë xhandarmërie, është gjithmonë një forcë e gatshme në situata të jashtëzakonshme, ku lëvizshmëria dhe forca imponon autoritetin e shtetit. Sidomos në zonat që quhen si enklava të krimit të organizuar. Ku një kazermë xhandarmërie, kthehet në selinë me par exellance antikrim.

E policia e shtetit në këtë rast, ka mundësinë e komoditetin që të kryejë hetime, operacione e ndërhyrje të nivelit të lartë.

Por ajo çfarë do japë më siguri është mos lëvizshmëria e një trupe ushtarake për të ruajtur rendin publik. E cila, e krijuar në bazë të qartë militare nuk preket nga ndryshimet politike. E kështu forcon autoritetin e shtetit, ku gjenerali i xhandërmërisë, nuk kërcënohet nga mësuesi i fiskulturës që sillet nga ministri si drejtues policie./Tema