21 janari është realisht kufiri ndarës i opinionit politik dhe mediatik, që ka ardhur deri më sot në sjellje të aktorëve politik dhe atyre mbështetësve mediatikë.
Në çdo vit pas 21 janarit 2011, të gjithë mbështetësit e Sali Berishës dhe Ilir Metës fajësojnë Edi Ramën se po i shfrytëzon viktimat dhe familjarët e tyre.
Por asnjëri prej tyre, nuk ka thënë deri më sot se ne kemi qartësisht një fajtor të madh dhe disa fajtorë të tjerë që e kanë rrëfyer krimin, apo që ju është zbuluar.
21 Janari 2011 është krimi më i zbuluar në historinë e krimeve politike. Është krimi më i zbuluar me prova shkencore të patjetërsueshme siç është laboratori kriminalistik shkencor më i miri në botë-ai i FBI. Për 21 janarin ne kemi qartësisht të provuar se kush ka qëlluar mbi 4 qytetarët e pafajshëm. Kemi një sentencë sovrane të Gjykatës së Strasburgut, që është edhe sipas Kushtetutës sonë me e larta që ekziston që e quan 21 janarin një “krim shtetëror”.
Pra në të gjithë aspektet 21 janari nuk është enigmë, nuk është mister, nuk ka asnjë dyshim se kush i ka vrarë Ziver Veizin, Faik Myrtajn, Aleks Nikën dhe Hekuran Dedën. Megjithatë, askush nuk flet për të plagosurit që janë shumë, me dhjetëra. i vetmi që ka folur është gazetari Fatos Mahmutaj, i cili ekzilin e tij politik në Bruksel e ka pasur edhe një jetë të re, që i ka sjellë të mira e begati. Por që nuk e harron kurrë krimin ndaj tij dhe ngulmon në mënyrë permanente për ta raportuar. Tipik gazetar.
Pra kemi një krim të zbardhur, të zbërthyer në të gjithë aspektet e tij shumë dimensional që është i rëndë. Vrasje, fshehje provash, pengim i drejtësisë dhe sulm ndaj medias së lirë.
Kemi edhe retorikën e shpifur të Sali Berishës çdo vit që thotë se ishte i gatshëm të vriste këdo që do i afrohej, a thua se ka mend kush që t’i hyjë në zyrë. Ishte policia e Sali Berishës që na shkriu në dru më 21 janar 2011 ndërsa po shkonim në zyrat tona të shkruanim kronikën e 21 janarit.
Por ka edhe më keq, madje shumë më keq. Tmerrësisht më keq, e këtu e ka fajin vetëm mazhoranca. Ka një bullizëm permanent që bazohet te retorika ilirmetiane e “kokëpalarëve”. Çdo vit bullizojnë, tallim viktimat e 21 janarit, si për t’i thënë: Hë mo ku jeni, ku e keni Edi Ramën, ne ju kemi vrarë, ne kemi fshirë provat, ne ndaluam e shamë prokurorët, ne sulmuam gazetarët. Po Ju, ja po qeverisni mbi viktima… Ja ky është bullizim që ka një kufi! /TEMA/