Deri tani nuk është vënë re, edhe pse Ilir Meta ka shpallur në një dalje direkte televizive pas homazhit në përmendoren e Azem Hajdarit se ka një ndryshim agjende.
E cila nuk është protokoll, por sipas kreut të Partisë së Lirisë, është ide e frymëzim, e cila vjen e forcohet sa më shumë që njerëzit që drejtojnë sot popullin e revolucionit, marrin një pikë oksigjeni plus, pikë që sjell atë kërcitjen e trurit e cila furnizon menjëherë mendjen e gojën për të dhënë një ide të re.
Ah, idetë e reja në këtë situatë ku siç thotë Doktori “Shqipëria është në rrezik”, vijnë e ngërthehen me mërzitjen, nervozizmin, urrejtjen pse jo, e të gjitha këto sjellin pështjellime. Që varen edhe nga rrethanat rastësore.
Si shiu i Postribës, që ja trazoi pak serverin kompjuterit më të kolauduar, të cilit demokratët besojnë. Si dikur në vitet 80, kur mendonin se nëse shkruan një pyetje në një PC, edhe përgjigja vjen automatike.
Kur kibernetika u bë edhe pjesë e letërsisë së realizmit socialist, kur flisnin për “metodat matematikore në ushqimin e blektorisë” që ne e shohim sot në filmin e Telos, por inatin e kemi me Kiço Pelën, i cili nuk e donte martesën e Verës me zooteknikun e Mollasit që përdorte kompjuterin e INIMA-s, sot AKSHI.
I cili, sipas lajmeve është hakuar nga Hamidi, Mohamedi, Mehdiu, dhe Fatimja. Por edhe kompjuterat e kolauduar mirë si Berisha mund të trashen dreqi e mori. Siç u trash në Postribë, ku ngatërroi Jup Kazazin me Jup Kastratin. Dy shkodranë të vjetër gjithsesi, por me drejtime të ndryshme në jetë.
Sali Berisha, asnjëherë nuk e kishte bërë këtë lapsus ku nuk ka munguar në podiumin e Postribës, të cilin e sheh si agora e njerëzve që e kanë votuar për të këto 30 vjet, ata që e kanë urryer komunizmin ngaqë i ka nxirë jetën. Por pse i ka nxirë jetën atyre, Sali Berishës, nuk i ka ndodhur e njëjta gjë. Madje siç e kemi parë, ai ka qenë edhe ndër njerëzit e afërt të rrethit të Enver Hoxhës, pa le të tjerët.
Por përveç fabulës së ish-komunistit Berisha, i cili ka 30 vjet që kërkon të bëhet një tribun antikomunist, e në fund ngatërron emrin si ajo aguridhja e foltores së Lulit në 2017-n, që ngatërroi Armand Shkullakun me Emiliano Shullazin, doli edhe Ilir Meta sot që e bëri lëmsh me ditët e revolucionit.
Kungulleshka e llogaritjes së “fatal-timing” po merrte një dramacitet inkandeshent, deri kur Nikollë Lesi nuk le gjë pa i thënë, ku shton se Edi Rama do t’i hajë me gjithë këpucë nëse nuk rrini poshtë zyrës së tij pa lëvizur.
Fraza e zotit Lesi erdhi paksa si tentativë për të hyrë në diskutimin e rëndë që ka kapur “të mëdhenjtë” për kohën e metodat e revolucionit. Pra gjithçka ngjan si një mjedis kafkian, ku protagonist është Zhvejku.
Po ky objeksion, natyrisht kërkon oponencë. Megjithatë Ilir Meta, doli sot, i ndarë nga Berisha, nderoi Azem Hajdarin në ditën e vrasjes së tij, e shpalli se ideali i lëvizjes studentore është aktual edhe sot, e shtoi se ky ideal do të jetë prezent në 200 ditët në vazhdim. 200 ditë? Domethënë më shumë se 6 muaj? Pra nga mesi i marsit kur janë zgjedhjet lokale të rregullta në shkallë kombëtare?
Çdo të ndodhë pas 200 ditësh? Mos vallë do të dalin Berisha, apo edhe Meta e të thonë që ne nuk hymë në zgjedhje me kryeministër Ed i Ramën? Logjikisht përjashtohet ky opsion, ngaqë e kanë bërë helaq Lulzim Bashën për bojkotin e 30 qershorit 2019, kur Basha ishte thjesht zëdhënësi.
Po çfarë parashikon revolucion i 200 ditëve? A, këtu, të lutem shumë: plas variacioni mbi temën si puna e telenovelës së Elvis Martinajt. Ku ndoshta, po në Postribë, pas 200 ditësh do të nisë revolucion i madh, detajet e të cilit duken janë mbajtur sekret për efekt operativ.
Po kush do ta drejtojë: Kastrati apo Kazazi? Hm, kjo ishte loja, Doktori si gjithmonë e lë mister…
Edhe pa dëshirën e tij!