Ylli Pata: Kur dhe kush i solli grushtat në Parlamentin shqiptar?!

Ylli Pata: Kur dhe kush i solli grushtat në Parlamentin shqiptar?!

Jozefina Topalli, kryetare Kuvendi kur qeveriste Berisha

Për ata që shikojnë sot, e kryesisht këto vitet e fundit, e kanë krijuar përshtypjen se grushti në Parlament, është një instrument politik më i rëndësishëm sesa metafora apo stili oratorik.

Megjithatë kur nisi kjo punë, dmth jeta parlamentare pas rrëzimit të komunizmit nuk ishte aspak kështu. Madje, Parlamenti i vitit 1991 kishte 250 deputetë, 110 më shumë se aktuali. Dhe më shumë se gjysma e tyre ishin me kobure në brez, që e mbanin edhe në sallë. Pjesa më e madhe, e mbante në këllëfin e saj prapa, tek të ndenjurat. Por kishte edhe “modernë” që kishin parë filma amerikanë dhe mbanin rrypa krahaqafë, ku djathtas kishin vendin e revoles. Ndërkaq kishte të tjerë që kapërdiseshin me pistoletë në brez. 

Ndër këta ishte edhe Haxhi Lleshi, ish-partizan e president i Shqipërisë për shumë kohë. Madje, nga anektodat e para që u hapën për atë Kuvend, ishin edhe ato kur i ndjeri Haxhi Lleshi, nxirrte koburën e bënte shaka me të ndjerin Gramoz Pashko, që në atë kohë ishte një lider i opozitës. “Ça të bëj se kam pas mik babën tënd pa me këtë do e kisha zgjidhur punën”, thuhej se bënte romuze Haxhi Lleshi, duke shkrirë gazi si të ndjerin Pashko, po edhe deputetët e tjerë të opozitës.

Gara më e madhe në atë Parlament, i cili transmetohej live dhe mblidhte një audiencë aq të madhe sa sot nuk e ka asnjë program televiziv, ishte se kush në diskutime përdorte një nivel të lartë intelektual.

Madje u kthyen në barasaleta pjesë nga leksiku i sofistikuar i Kuvendit të Shqipërisë, si: adekuate, konsensus, kompromis, europianizim, etj etj.

Deputetët, sidomos ata më të rëndësishmit, mundoheshin të tregonin sa më shumë arsenal intelektual duke cituar filozofë e dijetarë më emër, ku Hegeli ishte më i cituari.

Edhe pse në atë parlament kishte shumë agronomë e veterinerë terreni, apo drejtues ndërmarrjesh, pjesa thelbësore e tij përbëhej nga një ajkë intelektuale.

Pesha e rëndë e elitës shqiptare në të gjitha rrethet. Mjekë, inxhinierë, poetë, juristë, ekonomistë, aktorë e regjizorë përfaqësonin të gjitha partitë politike që ishin prezente.

Diskutimet mbi punët e ligjeve apo rendin e ditës, bëheshin përgjithësisht nga vendi. Në foltore dilej vetëm kur kishte ngjarje të rëndësishme apo diskutime të posaçme për një çështje.

Fjalët “I nderuar” dhe “zotëri” i përdornin të gjithë, të cilët thuajse pa asnjë përjashtim thonin në fund “Faleminderit”.

Përveç fjalimeve të gjata, teorike, apo edhe të mërzitshme e mjaft retorike, kishte edhe batuta e romuze që krijonin ilaritet në sallë, e sidomos në audiencën milionëshe që e ndiqnin live. Ishte një sport i ri ndjekja e Kuvendit, ku shqiptarët, të etur për parlamentarizëm e pëthithën shpejt verbin si baza e një sistemi të ri, të lirë, ku secili flet atë që mendon, Natyrale pas 45 vjet ku fjalimet ishin me komandë.

U dalluan në atë Kuvend oratorët, ata që flasin troç e saktë, drejt e pa dredha, ata që flisnin të sofistikuar po nuk thonin asgjë, por mbi të gjithë, mjeshtrat e fjalës që përdornin me kujdes figurat letrare. E këtu natyrisht në vend të parë ishin shkrimtarë e gazetarë. I ndjeri Pjetër Arbnori, Dritëro Agolli, Namik Dokle, të tre njerëz të penës fituan popullaritet për mënyrën e skalitjes së fjalës. 

Por kishte edhe njerëz të popullit, që prenin drejt e nuk përdornin fraezologji. Që përplaseshin me njëri-tjetrin por vetëm me fjalë. Bardhyl Fasko, një deputet i PPSH-së nga Fieri u bë në atë kohë mjaft popullor. i cili përgjithësisht bënte polemika të forta e të egra me rivalët e PD-së si i ndjeri Azem Hajdari apo Bashkim Kopliku. Tonet nga një herë ngriheshin shumë, por vetëm kaq. Abdi Baleta, ishte një deputet, i cili nuk ngrinte tonin. Si diplomat e pedagog përdorte timbrin e duhur për të tërhequr vëmendjen, por mënyra e të folurit dhe shikimi i tij bënte të ngjallte ilaritet tek kundërshtarët politikë, por edhe audienca që ishte me të majtën. Por deri këtu. 

Kjo rrjedhë vijoi edhe me Kuvendin tjetër pas vitit 1992, kur shumicën e kishte Partia Demokratike. Tensione ai Parlament ka pasur shumë, ku kur ndiqej nga televizioni jepej përshtypja që do të shpërthente. Por asnjëherë s’pati përleshje fizike. Gjithçka ndodhi pas 1997-s. Kur PS kishte mbi 2/3 e Parlamentit dhe PD një grup shumë të vogël parlamentar. Grushtat u ngritën në një sherr ndërmjet dy deputetëve që nuk jetojnë më: të ndjerit Azem Hajdari dhe Gafurr Mazrekut. 

Pak ditë më pas, Mazreku, shtiu 3 plumba në koridorin e Parlamentit ndaj Azem Hajdarit, duke gjakosur për herë të parë pas 1990 Kuvendin e Shqipërisë. Pas atij incidenti, deputetët nuk mund të hyjnë dot në sallë me kobure. Të gjithë kontrollohen përpiktas nga Garda e Republikës kur hyjnë në sallë, e kjo është futur në ligj.

Megjithatë, më vonë edhe pse tensionet nuk kanë munguar, përleshjet fizike apo zaptimet e foltores nuk ishin një mjet politik. E si i thonë asaj fjale ; ishim mirë kur ishim keq, duke u rritur e duke u çoroditur.

Gjithçka erdhi, kur në sallën e Kuvendin, erdhën ata deputetë që përdorimin e grushtit e kishin më të kollajtë se fjalën.

Megjithatë, duhet thënë se të drejtën e autorit nuk e kanë “të fortët” që u bënë deputetë, por pikërisht shtetari që ka pasur postet më të larta të Republikës së Shqipërisë.

Po, po: ai që ka qenë president i Republikës, kryeministër e kryetar i Parlamentit. Natyrisht bëhet fjalë për Ilir Metën, i cili në verën e vitit 2006 praktikoi refrenin e këngës së famshme të Ermal Fejzullahut: “kcejna mbi tavolina!”. Ilir Meta, së bashku me shokët e tij të grupit, ku spikati Ndre Legisi por edhe me ndihmën e Tom Doshit, pasi atëherë ishin miq, përmbysi vazo e karrike, duke protestuar ndaj kryeparlamentares Jozefina Topalli. Por vetëm kaq.

Akullin e grushtit të thatë e theu "i nderuari" Armando Prenga, deputeti socialist i qarkut Lezhë, i cili goditi në nofull kolegun e tij demokrat po të qarkut Lezhë: Edi Palokën.

Ndërkaq, një tjetër koleg i katedrës së Prengës, juristi Tom Doshi, nuk mbante shumë fjalime. Madje nuk mbante fare. Kur kishte ndonjë problem me ndonjë deputet rival përdorte vetëm një shprehje: “….robt e shpis”. Rasti i përdorimit të “arteve marciale” ndodhi në legjislaturën e radhës. Ku viktima ishte i ashtuquajturi “deputet me kobure”, Genti Strazimiri. Ndaj të cilit replikoi me grushta të thatë “onorevole” Arben Noka i qarkut Lezhë, i ndihmuar nga kolegu i tij Prenga, i cili si metaforë përdori rripin e pantallonave.

Këto sa i përket dhunës fizike, pasi në aspektin verbal Parlamenti i Shqipërisë është kthyer në një shesh ku fjala parlamentarizëm nuk njihet. Një pjesë e politikës e konsideron legjitime, madje edhe ushqehen nga panelet se nuk ka rrugë tjetër për të treguar një fuqi të opozitës. E megjithatë, kur opozita nuk përdorte grushtin por Hegelin, erdhi në pushtet…

M.Q./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • mergimtari: 31/10/2023 19:54

    Zhurme e incidente,sa me shume.Kjo eshte menyra per te hequr vemendjen nga hallet e verteta qe ka sot Shqiperia.Zhurme e incidente ,per te mos u marre me grabitjet qe jane ber e behen cdo dite.Halli i Berishes,duhet te behet"halli PD-s"qe Ai te mos ndeshkohet.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni funksionimin e Gjykatave dhe Prokurorive në qarqe?



×

Lajmi i fundit

Konventa e PL-së, zbardhet agjenda, ndryshimet në statut dhe vota për Presidentin dhe zv.presidentin

Konventa e PL-së, zbardhet agjenda, ndryshimet në statut dhe vota për Presidentin dhe zv.presidentin