Deputeti i Lëvizjes Bashkë, Redi Muçi, është shprehur se uniforma e Policisë së Shtetit është përdhosur deri në atë pikë, sa nuk ka forcë të reagojë përballë banditëve e kriminelëve.

Komentet Muçi i bëri gjatë fjalës së tij në Zvërnec, ku komentoi dhunimin e protestuesve nga rojet privatë dhe hedhjen e sprayt me piper ndaj tyre.

Teksa akuzoi kryeministrin Edi Rama për tjetërsim të pronës në Zvërnec, ai tha se qeveria u ka lënë shqiptarëve një copë letër në xhep, e cila ‘edhe ua njeh, edhe nuk u’a njeh pronën’.

“Te sheshi para Kryeministrisë po bërtasin në kor ‘Rama në burg, Berisha në burg’. Kapuçzinjtë e palestruar tërhoqën zvarrë banorin në Zvërnec. A nuk është dhunë kur fshatarit i grabitet prona? A nuk është dhunë kur njerëzve u keni lënë në xhep një copë letër, që edhe ua njeh pronën, por edhe nuk ua njeh, kur mbijnë nga dheu investitorët strategjikë. A nuk është dhunë që shqiptarët i keni lënë të enden për 40 vite si Mojsiu në shkretëtirë, për atë të shkretën pronë, për atë pronë të cilën Rama me një të rënë të lapsit e tjetërson, ja jep atij investitorit serioz. Mos e tha gjë Zoti që ai halabaku të grushtojë dhe të marrë zvarrë banorin? A s’ju vjen turp për përdhosjen që i keni bërë uniformës së Policisë së Shtetit deri në këtë pikë? Djem të rinj të veshur me skafandra, të cilët nga turpi përballë banorëve, i ulin sytë përtokë. Kjo dhunë shqiptarin për shqiptarin e ka kthyer në një qen që të kafshon për të fituar bukën. Banorët e Zvërnecit më thanë ‘s’na ka ngelur gjë veçse të marr armën’”, tha mes të tjerash Muçi.


Lajmi kryesor:

Kuvend/ Berisha mbron investimin në Zvërnec pas 2 ditësh heshtje: Më seriozi në Shqipëri 13 vitet e fundit! Balla: Do të realizohet, komshiu e ka zili komshiun