Ylli Pata: Nano-Berisha, dy rastet e përmbysura përballë drejtësisë!

Ylli Pata: Nano-Berisha, dy rastet e përmbysura përballë drejtësisë!

Sali Berisha dhe Fatos Nano

Sali Berisha po insiston se është i përndjekur politik. Në fakt, mbi të ka një akuzë penale, dhe Gjykata i ka dhënë një masë si detyrim paraqitjeje. Ai i ka të gjitha mundësitë, që me një grup avokatësh, të çmontojë akuzën e SPAK, e të mbrojë versionin e tij të historisë.

Madje, nëse dosjet e SPAK nuk janë qepur si duhet, Berisha mund ta rrëzojë atë, duke bërë edhe një precedent të rëndësishëm për zhvillimet e tjera hetimore që priten ndaj tij. Por deri tani, rrëzimi i akuzës ka formën se atë ja ka bërë Edi Rama, Linda Rama, madje ka përmendur dhe vajzën e tyre, ku se ç’lidhje kanë me privatizimin e klubit Partizani e ngritjen e 17 kullave, një Zot e di. Megjithatë, nëse krahasojmë dy precedentët e hetimit; atë të Sali Berishës sot, e të rivalit të tij historik Fatos Nanos, ata janë si nata me ditën.

Sali Berisha, po ndiqet i lirë, nuk ka asnjë pengesë të lirisë së tij, përveçse daljes jashtë shtetit. Mund të shkojë në Kuvend, mund të jetë ditë e natë me familjen, bashkëpunëtorët, e kolegët politikanë, madje edhe të flasë për mediat thuajse çdo natë, madje siç kemi parë këto ditë, edhe nga dy herë në natë, duke u paraqitur në dy emisione paralelisht.

Kjo është një hapësirë, që Fatos Nano, as nuk e ëndërronte pas 30 korrikut 1993, kur u arrestua egërsisht nga dy prokurorët, njëri prej të cilëve sot është avokati personal i Sali Berishës. Një “rastësi” e çuditshme, që në fakt nuk është fare çudi, pasi në këtë mënyrë vijnë e kujtohen pjesët e historisë sonë politike.

Fatos Nano, u vu nën akuzë si pasojë e një insistimi politik që shkatërroi që në fillim ekuilibrat e pushtetit dhe shtetit shqiptar. Prokurori i Përgjthshëm i Republikës, Maksim Haxhia, i cili sot është një nga avokatët më të njohur në vend, u shkarkua nga mazhoranca e PD, duke shkelur me të të dyja këmbët Kushtetutën. Kjo ndodhi, sepse Kryeprokurori i parë post komunist, i bëri të ditur Sali Berishës se akuza e hartuar nga Blerim Çela si kryetar i Kontrollit të Lartë e Shtetit, nuk kishte element për tu akuzuar lideri i opozitës shqiptare.

Akuzën ndaj Fatos Nanos nuk e firmosi Prokurori i Përgjithshëm, por Zv.Prokurori. Opozita në Parlament, pra Partia Socialiste, bëri të ditur se ishte e hapur që të hetohet kushdo, por arrestimi ishte një masë e panevojshme. Pasi nuk kishte asnjë mundësi as për të prishur provat, as për tu larguar. Nata e heqjes së imunitetit të Fatos Nanos, dhe dhënies së lejes për arrest nga Kuvendi, ishte një seancë shumë e rëndësishme. Pasi në atë seancë pati edhe deputetë të PD-së, që nuk ranë dakord me nxitimin e Berishës. Duke krijuar kështu bazat e një opozite të gjerë kundër tij. 

Nano, u arrestua pas një takimi politik që mbajti në Akademinë e Arteve, kur shkoi me këmbët e tij në Prokurorinë e Përgjithshme për tu përgjigjur mbi procedimin penal ndaj tij. Prokurorët, e arrestuan menjëherë gjatë marrjes në pyetje dhe e dërguan në burgun 313. Edhe Nano, mori një ekip avokatësh, që ishin Përparim Sanxhaku, Agim Tirana dhe Spartak Braho. Të cilët zhvilluan betejë të fortë në prokurori, por edhe në seancat gjyqësore për të rrëzuar akuzën. 

Avokatët, apeluan vendimin e gjykatës së Shkallës së Parë për mbajtjen e Nanos arrest me burg dhe e argumentuan ligjërisht. Kjo bëri, që prokurori i Apelit, Skënder Demiri, kur pa materialet e prokurorëve të Tiranës dhe avokatëve mbrojtës të Fatos Nanos, hartoi një material, ku i kërkoi gjykatës ta lirojë liderin e opozitës, e gjyqi ndaj tij të bëhet në liri.

Kjo tronditi kupolën në pushtet, e gjyqtari shtyu procesin për dhjetë orë derisa u konsultua personalisht me Berishën dhe kundërshtuan akuzën. Ishte hera e parë dhe ndoshta shumë e rrallë në gjyqësorin shqiptar, ku gjykata të rrëzonte një vendim prokurori.

Ai prokuror që kërkoi lirimin e Nanos, u largua nga detyra, e ndaj tij pati reperkursione mjaft të rënda. Pas dënimit nga Apeli, Fatos Nano u largua nga Tirana dhe u dërgua në burgun e Bënçës në Tepelenë. Pikërisht pasi u panë të gjitha materialet gjyqësore, si dhe tentativat jashtë proceduriale të pushtetit për ta mbajtur në burg me çdo kusht, Amnesty International, organizata më e rëndësishme botërore e të drejtave të njeriut e shpalli Fatos Nanon si “të burgosur politik”. 

Pas kësaj, të gjithë strukturat politike botërore e europiane, që nga Unioni Ndërparlamentar Botëror, partitë e majta socialiste e socialdemokrate kërkonin vazhdimisht lirimin e kreut të opozitës shqiptare. i cili në burg vizitohej herë pas herë nga përfaqësues të organizatave të të drejtave të njeriut nga e gjithë bota. Nano ishte i izoluar totalisht dhe qasja e tij me median ishte e kufizuar, sipas procedurave të vështira e të vështirësuara. Në të gjithë periudhën 4 vjeçare të burgosjes, Nano ka dhënë a s’ka dhënë nja 7-8 intervista në shtypin e kohës.

Kurse Sali Berisha, i cili është i lirë, nuk ka asnjë kufizim, madje flet non stop në media, nuk do të paraqitet në gjykatë, madje nuk autorizon ta bëjnë këtë edhe avokatët e tij. Po atëherë si ta marrë vesh opinion shqiptar dhe ai ndërkombëtar se ai ka të drejtë. Vetëm përballja e ballafaqimi në gjykatë e ndan shapin nga sheqeri, e kështu mund të marrë edhe simpatinë e ndërkombëtarëve, të cilët i sulmon egërsisht, vetëm se ata kërkojnë një gjë krejt normale: të paraqitet në gjykatë dhe të mos sulmojë SPAK.

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • mergimtari: 30/10/2023 08:04

    Po te kish qene kaq i hapur me ligjin sipas te cilit flet Z.Pata,Shqiperia nuk do te ishte ne kete gjendje me gjyqesorin.Z.Berisha gjithmon i ka bere karshillek ligjit.Mos prisni te ndryshoj.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë