Ylli Pata: Nga 8 janari i qysqive te grushti para liderëve të BE, radiografia e luftës së PD

Ylli Pata: Nga 8 janari i qysqive te grushti para liderëve të BE, radiografia e luftës së PD

Sulmi në PD më 8 janar 2022

Entuziazmi mediatik për një drekë në Laknas pati nota të forta kryesisht tek mbështetësit e Foltores, pasi në krahun tjetër kishte më shumë mërzitje. E cila kthjelloi paksa dehjen mediatike për të shpallur politikisht një përfundim, që sensing e ka diku tjetër. Për të treguar se manovra politike e Sali Berishës është e suksesshme.

Kur në fakt suksesi politik ka vetëm një përkthim real në çdo vend normal; fitorja në zgjedhje. E meqë flasim për zgjedhjet, i vetmi sukses politik i Sali Berishës ishte fitorja në zgjedhjet e pjesshme në Shkodër, ku kandidati i tij Bardh Spahia, arriti të marrë më shumë vota se dy garuesit e tjerë. Por edhe ajo fitore rezultoi më e rëndë se ajo e Pirros në betejën me romakët në Eraclea. Pasi ishte 6 marsi, që është vija politike e demarkacionit ndërmjet demokratëve. Ai zyrtarizoi realisht luftën civile dhe antagonizmin e dy palëve, të cilët realisht kanë qëllime krejt të kundërta.

Qëllimet e demokratëve janë të thjeshta dhe të realizueshme: duan të vijnë në pushtet. Ndërkohë Sali Berisha nuk vjen dot në pushtet, por kërkon të bëjë betejë për të shpëtuar sa të mundet apo edhe për të shantazhuar. E pikërisht ky qëllim ka qenë trajektorja më pa bosht e një viti absurd për opozitën shqiptare. Vit që nisi më 8 janar, me tërsëllimën për të marrë selinë e PD-së me forcë, a thua se jemi në mesjetën e hershme ku më rëndësi kishin kështjellat sesa tokat e ujrat përreth saj.

8 janari shënoi fillimin e një lufte civile në PD, e cila kishte qëllim për tu hakmarrë për të vetmin vendim politik të fortë që mori Lulzim Bashan ë shtatorin e 2021, për ta ndarë fatin e opozitës nga ai i Sali Berishës. Dhe pikërisht këtu nisi kjo përplasje, e cila si fillim përvijoi dy pjesët e partisë, ndërsa sot ka dy palë: ndjekësit e Sali Berishës, të cilët normalisht vijnë nga PD pasi kryetari jetëgjatë i saj ka prodhuar karriera dhe çmime për 30 vjet, por nuk e përfaqësojnë më politikisht Partinë Demokratike.

As ‘de jure’, pra ligjërisht por edhe në Parlament në grupin parlamntar, ku nuk bëjnë pjesë, por as de fakto, ngaqë kanë kundër strukturat e PD-së. Të cilat i kanë zëvendësuar me “mbështetës”, një term që nuk ka asnjë logjikë në çdo teori apo praktikë në jetën e partive politike në të gjithë botën. Përkrahësit janë votues ose më së shumti njerëz që marrin pjesë në protesta apo manifestime publike, pasi jetën full time në një parti e bëjnë anëtarët dhe strukturat organizative.

Thjeshtë “përkrahësit” e Foltores nuk janë gjë tjetër veçse anëtarë të një force të re politike që drejton Sali Berisha. Por një forcë, që ai nuk ka as vullnetin, po as idenë që ta legalizojë. Pasi kërkon të fshehë nën petkun e PD-së dhe opozitës, betejën e tij personale me Perëndimin, i cili jo vetëm e ka ndëshkuar por edhe izoluar. Pas 8 janarit, ku PD-së Berisha i drejtoi veglat më primitive të luftimit, më 6 mars firmosi dhe vulosi konkurrimin politik kundër saj në zgjedhjet lokale.

Këtë zhvillim realisht shterues e që nënkupton një rrugë pa kthim, ka tentuar ta fshehë më fabulën e bashkimit, që nuk bind dot as shikuesit besnikë të Bashkimit të emisionit të mëngjesit. E gjithçka pas 6 marsit ka qenë pikërisht një rrugë paralele me PD-në, që u përvijua me firmosjen formale të aleancës me Ilir Metën, aleancë që nuk ka çuditur askënd në Shqipëri. Pasi ajo aleancë në fshehtësi ka nisur në korrikun e 2016-s, pra kur u miratuan ndryshimet kushtetuese për reformën në drejtësi, por hapur u shpall të nesërmen e 17 majit 2017. Ku pas takimit të Lulzim Bashës me Edi Ramën, Meta nxitoi dhe u ngjit në katin e 20 të kullësh ku ka zyrën kreu aktual i foltores.

Kurse akti politik më i fortë i kësaj aleance ishte ai i 6 dhjetorit, kur Berisha e Meta vendosën që të organizonin protestë pikërisht kur në Tiranë mblidheshin krerët e shteteve të Bashkimit Europian. Ajo protestë pati edhe incidentin dramatik ku Gert Shehu qëlloi Berishën në fyrë, incident që i dha një kauzë ish-kreut të PD-së, por që sërish nuk ka lidhje me Partinë Demokratike. E cila natyrisht është pezull si në gjykatë apo struktura, por gjithsesi të ardhmen e ka në drejtim të kundërt me Sali Berishën…

K.T./SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

NBA/ Oklahoma lider në Perëndim, Bucks humbasin sërish! Fitojnë Miami e Memphis

NBA/ Oklahoma lider në Perëndim, Bucks humbasin sërish! Fitojnë Miami e Memphis