Ylli Pata: Ngërçet që çliroi afera 'Partizani'

Ylli Pata: Ngërçet që çliroi afera 'Partizani'

Jamarbër Malltezi dh gjyqtarja Iliriana Olldashi

Deklarata e ndrojtur e Këshillit të Lartë Gjyqësor, si përgjigje ndaj agresionit non stop që Sali Berisha i bën drejtësisë, pasi e ka shpallur të pandehur, mund të konsiderohet  “historike”. Natyrisht jo për gjuhen krejt të butë, e madje “anemike” të përballjes, por për nga forma është një zhvillim i ri.

Një zhvillim i ri, që megjithatë nuk do të kishte ardhur nëse nuk do të kishim dosjen penale të klubit të futbollit Partizani të hapur zyrtarisht, me të pandehur njeriun më me pushtet të këtij vendi për 30 vjet.

Kjo dosje ka çliruar një ngërç të madh për të gjitha palët, e sipas gjasave tani po nis një mënyrë apo mekanizëm i ri i funksionimit në vend.

Deri tani, nuk janë prekur dosjet e të ashtuquajturave “Peshq të Mëdhenj”, pikërisht sepse i frikësohej një reagim të frikshëm të tyre. Shantazh, sulm, agresion pa fund i gjyqtarëve, familjarëve të tyre, e natyrisht jetës së përditshme. Por me rënien e “gongut” ky ankth u shkri, e tashmë prokurorët e SPAK e gjyqtarët e Gjykatës Speciale kanë hyrë në një fazë të re të jetës së tyre.

Tashmë mbi ta nuk ka vetëm reflektorë, ku të gjithë kishin marrë dylbitë dhe bënin thashetheme pa fund se çfarë po gatuhet në dosjet e bëra male të larta në zyrat e tyre, por ka nisur lufta reale. E cila jo vetëm do të jetë e ashpër, por e përditshme. E kjo, ka logjikë pasi kemi të bëjmë me një pushtet shumë të rëndësishëm në vend, i cili me hetimet e tij dhe proceset penale, rrezikon të sjellë përmbysje të mëdha.

Në Rumani, hetimet e homologut të SPAK-ut tonë atje, të drejtuar nga Laura Korvesi sollën një trazirë aq të madhe politike, sa Parlamenti, pra shumica e deputetëve shkarkuan kreun e prokurorisë speciale antikorrupsion. Duke sjellë më pas një reagim shpërthyes të popullit dhe forcave politike që mbështetën SPAK-un rumun. Të cilat më pas erdhën në pushtet, ku janë edhe aktualisht.

Por Korvesi jo vetëm që u sulmua se po heton me tendencë politikanët, por mediat pranë tyre tentuan që të rrëzojnë edhe imazhin e saj personal, duke nxjerrë foto nga jeta e saj private.

Por “kryeprokurores së hekurt” siç e quanin në publik, as nuk i bënte përshtypje fare por eci përpara derisa u shkarkua. E si për inat Ursula fon der Leyen, e emëroi Kryeprokurore të BE-së kundër korrupsionit. E Korvesi, nga Bruseli e forcoi edhe më shumë shpatën kundër politikanëve të dyshuar për korrupsion. Madje nuk u mjaftua me vendin e saj-Rumaninë, por i hyri edhe në Bullgari, ku arrestoi ish-kryeministrin Bojko Borisov.

Në Itali, Falcone e Borselino, por edhe prokurorët e “Duarve të Pastra” të Milanos, u sulmuan në mënyrë periodike nga politika dhe mafia. E megjithatë askush nuk i ndali, duke rritur kështu edhe popullaritetin e prokurorëve e gjyqtarëve. Mjaft prej tyre pas një farë kohë kanë lënë profesionin e janë future në politikë. Një prej tyre, Pietro Grasso arriti dhe u bë edhe President i Senatit të Italisë.

Pra, ardhur tek ne, sulmet e Berishës, dhëndrit të tij ndaj Drejtësisë së Re, apo edhe akuzat që dolën për gjyqtaren që zbuti masën e arrestit ndaj Jamarbër Malltezit, duket se janë nisja e një procesi të pashmangshëm.

Gjithsesi ngërçi që duket se është liruar më shumë është ai politik. Tashmë, lufta e Sali Berishës ndaj asaj që ai e quan “Drejtësia e Re” është politike. Deri tani këtë e kanë bërë vetëm mbështetësit e tyre mediatikë.

E përveç shantazhit personal të prokurorëve dhe gjykatësve që shqyrtojnë dosjen ndaj tij, Sali Berisha, e konsideron SPAK-un dhe GJKKO, si një kundërshtar politik që duhet rrëzuar, e po thur një narracion politik rreth kësaj për të marrë mbështetje në vend. Prej dy vjetësh, e ka fshehur këtë luftë me kauza të tjera që nuk kanë ekzistuar realisht për doktorin siç po tregojnë faktet. 

Shkatërrimi i Partisë Demokratike dhe opozitës ishte një “efekt kolateral” i luftës së ashpër që Berisha dhe grupi i tij kanë zhvilluar për të krijuar një transhe apo rifugio politike për t’u mbrojtur nga “bombat amerikane” që shumë i kanë fantazuar se vijnë ose nga avionët B52 e do të bombardojnë në Malin me Gropa, ose luftanije që do të gjuajnë “Mbretërinë e Vilave” në Gjirin e Lalzit.

E pikërisht në këtë panoramë, opozita është rreshtuar, e po rreshtohet gjithnjë e më shumë politikisht rreth kësaj çështje. Deri tani, asnjë faktor politik real brenda opozitës nuk kanë qëndruar pro Berishës dhe kundër SPAK.

Edhe grupi i deputetëve që janë zemëruar me Bashën dhe u larguan nga PD, sa herë që pyeten publikisht thonë që Sali Berisha duhet të mbrohet vetë për çështjen ndaj tij dhe nuk e mbrojnë. Ky është një zhvillim që tashmë po bëhet mjaft i qartë e do të vijë e ravijëzohet edhe më shumë.

Gjithsesi ajo që të bën përshtypje në këtë luftë të re, është indiferenca e kreut të shtetit, por edhe mazhorancës, që të paktën nga aspekti institucional të kërkojnë që të ndalen agresionet ndaj drejtësisë.

KLGJ-së që reagoi vakët sot, por edhe KLP-së në ditët në vazhdim, do t’i duhet të reagojë edhe me shpesh, e gjasat janë edhe më fort./ Tema

M.Q./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë