Ylli Pata: Një kabinet i ri teknik, apo politikanë të rinj në PS?

Ylli Pata: Një kabinet i ri teknik, apo politikanë të rinj në PS?

Ndryshimet në PS-së

Përveç rastit të Taulant Ballës, ku lëvizja e tij nga ministër i Brendshëm nuk pritej, thuajse të gjithë ishin të përgatitur për ndryshime në qeveri.

Një traditë politike që Edi Rama e ka krijuar thuajse çdo vit para mbarimit të sezonit veror. Madje vjet bëri ca në korrik, ca në shtator, e ca të tjera në dhjetor.

Që nga viti 2013 e deri më sot, ministrat e kabinetit të Edi Ramës, janë ndryshuar në mënyrë periodike, duke sjellë në drejtim sa emra të rinj nga administrata apo edhe universitetet, deri tek rrokada politike brenda skuadrës politike të PS-së.

Sot, vetëm dy gra janë ministret më të ”vjetra” në kabinet, por që janë edhe drejtuese politike qarqesh e deputete. Zv.kryeministrja Belinda Balluku që drejton edhe superdikasterin e Energjetikës dhe Infrastrukturës, si dhe Mirela Kumbaro, ministre e Turizmit dhe mjedisit.

Ndërkaq, përpara çdo zgjedhjeje parlamentare, Edi Rama, ka ofruar një kabinet ”quasi” teknik, ku janë zhveshur dikasteret e rëndësishme nga figurat politike për tu zëvendësuar me teknicienë të marrë nga ekzerienca e tyre në administratën e lartë.

Reagimi në të nxehtë i opozitës së Sali Berishës pas ndryshimeve në qeveri, ka qenë sulmues,  por më shumë për inerci sesa me logjikë politike.

Do të duhet që PD e Sali Berishës dhe eksponentët e saj, të kishin luajtur në favor, të paktën sot për këto lëvizje të Edi Ramës.

Pasi, si Sali Berisha, ashtu edhe eksponentët e tjerë, kanë kërkuar një ”qeveri teknike”. E në një farë mënyre, kryeministri u ka dhënë opozitës një kabinet jo politik, sidomos me ato dikastere delikate ku kërkohet që të mos ketë politikanë të nivelit të lartë, që lëvizin fonde apo trupa.

Kështu ministria e Brendshme që është përgjegjëse për Policinë e Shtetit, Ministria e Mbrojtjes që ka ushtrinë, e ministria e Financave që lëvizin paratë e fondet, do të drejtohen nga ekspertë, pa një përvojë politike, apo poste politike në kupolën e mazhorancës.

Traditë, që Edi Rama, e krijoi që në vitin 2017, pas marrëveshjes së 17 majit me Lulzim Bashën.

Megjithatë, frekuenca e shpeshtë e ndryshimeve dhe riformatimeve në qeveri, si dhe mënyra krejt suprizë që Rama i kryen këto, ka krijuar një mjedis teatral, që është një zhvillim në vete.

Megjithatë, as këtu nuk kemi të bëjmë me politikë, pasi politika reale që në fjalën e Edi Ramës, që po ti shtosh ndryshimet, shikon që bëhet fjalë për lëvizje të tjera që pritet të ndërmerren.

Duke nisur nga grupi parlamentar që do të paraqitet në zgjedhjet e 2025-s, i cili sipas të gjitha gjasave do të jetë i ndryshuar në një masë të madhe. Por ende nuk dihet se sa do të kapë ky ndryshim, peshat e rënda politike, pra krerët politikë në qarqe, të cilët përbëjnë edhe udhëheqjen reale politike në mazhorancë, por edhe integrimin e ministrave të rinj në fazën e re që hyn politikisht mazhoranca.

Tradita e Edi Ramës ka provuar se mjaft nga ato ministra që kanë hyrë në qeveri si teknicienë, kanë përfunduar në politikanë të dorës së parë. Kështu Belinda Balluku, erdhi në postin e ministres jo nga strukturat e PS-së, por nga përvojat administrative në bashkinë Tiranë dhe drejtimin e Albkontrollit.

Mirela Kumbaro gjithashtu erdhi si prurje shoqërie nga katedra e Universitetit të Tiranës, e jo nga Komitetet Drejtuese të Partisë Socialiste. Njëjtë edhe Blendi Çuçi, i cili drejtoi në fillim hartimin e reformës territoriale.

Ndërkaq, edhe Anila Denaj, erdhi në krye të ministrisë së Financave, pas një përvojë në drejtimin e organizmave financiare ndërkombëtare, apo edhe Milva Konomi që vinte nga shoqëria Civile. Të gjithë këta emra janë sot përfaqësues të rëndësishëm politikë të mazhorancës e kanë qarkulluar disa qarqe si deputëtë apo të deleguar.

Kështu, nuk është çudi që edhe ”tre mosketierët” e rinj të dikastereve të Sigurisë Kombëtare si Petrit Malaj, Ervin Hoxha dhe Pirro Vëngu, të jenë nesër pjesë e ekipit të ri politik të Partisë Socialiste.

Një trend politik që u paralajmërua qartë nga Edi Rama sot, i cili foli për herë të parë për një këmbim gjeneratash. Natyrisht duke përdorur metaforën e Elenës, vajzës që hapi kongresin, por mesazhi politik u dha qartë. Madje edhe me një adresë se nga shikon mazhoranca për të tërhequr grupet apo njerëzit e rinj për të vendosur në skuadrën qëndrore./ Tema

G.K/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

VIDEO/ 'Mangalem's Shade', magjia e dritave në lagjen muzeale të Beratit

VIDEO/ 'Mangalem's Shade', magjia e dritave në lagjen muzeale të Beratit