Ylli Pata: 'Oktapodi shqiptar'

Ylli Pata: 'Oktapodi shqiptar'

Jamarbër Malltezi dhe Sali Berisha

Një nga shprehjet që duket pati efekt në rrjet këto ditë, kur lajmet kanë vetëm një skenografi; portën e SPAK dhe kangjellat e jashtme, ishte se: “ndoshta po përjetojmë një Oktapod shqiptar, po komisar Katanin e Silvia Kontin s’po i shofim gjëkundi”.

E gjitha kjo atmosferë duket se është frut i një pritjeje të gjatë në publik për të nisur një proces të gjatë, i cili është vetëm në fillimet e tij, të fundit të pandëshkueshmërisë.

Në të gjithë këtë atmosferë që ka marrë përmasat e një drame me audiencë të frikshme, ka një vëmendje të paparë nga publiku. Njerëzit që jo vetëm ndjekin me ankth gjithçka nga zhvillimet që vijnë nga Prokuroria dhe Gjykata Speciale kundër Krimit e Korrupsionit, por janë bërë edhe juristë me njohuri proceduriale të hatashme.

Diskutimet që ndjekin proceset që vijnë seri nga selia e SPAK, bëhen gjithnjë e më të detajuara në mënyrën se po zhvillohet skenari. Por më shumë se një komisar Katani, i cili u bë shumë popullor në Shqipëri në kohën e serialit mitik të Rai-t, sa edhe një grup myzeqar i kushtoi një këngë që luhej në dasma, apo një Silvia Konti, që ju shkatërrua jeta e familja në luftën ndaj të fuqishmëve të krimit e pushtetit, opinion publik shqiptar ka një tjetër “personazh” në kokë.

I cili as nuk flet, as nuk ecën e as merr frymë, por duket që prevalon mbi të gjitha. E ky “personazh” është pikërisht sekuestroja e pronave. Vëmendja që ka pasur sot procesi mbi sekuestron e pronave që u siguruan nga privatizimi i klubit Partizani, ka qenë edhe më e madhe sesa vetë masat e sigurisë.

Fenomen që përbën realisht një zhvillim të rëndësishëm të pritshmërisë publike në lidhje me procesin e hetimeve të nivelit të lartë për korrupsion. Pritshmëri, e cila është kalitur ndër vite me një durim dhe qëndrueshmëri thuajse lineare dhe që nuk ka një logjikë të ndarë politike.

Edhe pse në nivelin e lartë të politikës, por edhe atë të debatit në televizione, duket se kemi të bëjmë me një ndarje si me thikë të atyre që e quajnë diçka të mirë drejtësinë e re, e të tjerë që e konsiderojnë një të keqe për vendin, në public situata është krejt ndryshe.

Është krejt ndryshe, pasi nuk janë vetëm mbështetësit e mazhorancës politike-pra PS-së që mbështesin reformën në drejtësi. Ata kanë qenë më vizualët, pasi i ka thirrur partia dhe udhëheqësia e saj për tu shprehur në disa zgjedhje, madje edhe traumatike siç ishin ata të 30 qershorit 2019, kur ishim para zgjedhjeve moniste.

Por në të njëjtën valë ka qenë edhe ajo që quhet pjesë “e heshtur” e opozitës, e cila megjithatë e heshtur nuk ka qenë. Pikërisht me sjelljen e saj për të mos përkrahur ata që nuk duan një process hetimi ndaj zyrtarëve të lartë e politikë në vend, është më shumë se një votë. Është një klithmë e madhe e thënë në mënyrën e tyre.

Gjithsesi, e gjithë kjo pritshmëri që ka qenë një lodhje masakruese psikologjike për të gjithë që kërkonin një drejtësi për “Peshkaqenët” nuk ka degraduar në një frustrim që çon në një jakobinizëm ekstremist.

Asnjë nuk po përkon as gijotinë e as prerje kokash, madje janë të hapur për një process ku të hetuarit mund edhe të jenë të lirë.

Madje nuk ka asnjë frustrim për këtë; veçse duket se durimi përfundon tek ajo që mund të jetë “toleranca për sekuestron”.

Disa prej komentatorëve në panele, e ilustrojnë këtë zell publik me një institikst sipas tyre për t’ju marrë shtëpi e katandi atyre që kanë. Dhe e lidhin me vitin 19, kur Enver Hoxha u mori çfarë kishin të gjithë familjeve në gjendje të këtij vendi.

Dhe kjo fabul përsëritet shpesh, e megjithatë nuk ngjit, sepse nuk ka bazë. Njerëzit në këtë vend të vogël e dinë se sa shtëpi, sa vila, sa makina luksoze kanë ata, fëmijët, si jetojnë e sa konsumojnë.

Duke ndjekur këtë ekzigjencë, dilema është: njerëzit mendojnë se ata politikanë e zyrtarë që jetojnë në luks, nuk mund ta kishin vënë në kushte normale. Pra kanë abuzuar. E ndaj kërkojnë një proces gjyqësor mbi pasurinë, duke u hetuar pikë për pikë si është vënë, sesa ju rreh për fatin personal të subjekteve të drejtësisë së re.

Ky është në fakt thelbi i çdo hetimi që është zhvilluar në botë ndaj njerëzve të fuqishëm të krimit, apo komunitetit që përfshin korrupsioni dhe abuzimi me pushtetin.

Lideri famëkeq i Cosa Nostra-s, Toto Riina, por edhe pasuesit e tij Bernando Provencano e së fundmi; Matteo Messina Denaro nuk jetojnë më. Por familjarët e tyre janë qytetarë të lirë të vendit. Madje herë pas here, familjarët e Riinas janë edhe personazhe në mediat italiane. Ata jetojnë njësoj sit ë gjithë qytetarët e tjerë e nuk u thotë njeri asgjë. Por pronat që baballarët e tyre përfituan nga aktiviteti mafioz, sot janë në shërbim të komunitetit, e në një pjesë më të madhe janë të suksesshme edhe ekonomikisht. Siç janë fermat komunitare të Corleones, që janë kthyer atraksion turistik për mysafirë kuriozë nga e gjithë bota, të cilët pinë verën Corleone që vjen nga hardhitë që ka mbjellur Toto-ja me duart e tij, e hanë spaghetti-t “Padrino” të bërë me grurin që rritet në ish-arat e bosëve të Cosa Nostra-s./TemA

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • xhemal: 25/11/2023 05:09

    Saliu nuk eshte Bosi i mafies po' shume me lart eshte vrases97,98,2008,2011,nje shkaterrues i shtetit demokratik ,nje shkaterrues i ligjeve e rregullave qe mbajne ne kembe nje shoqeri demokratike,nje zhvates i prones publike,shkaterrues i ambjentit ,territorit( ndertimi i getove rreth qyteteve),nxites i vellavrasjes 97,98,2019, etj etj..nuk mund te shkruhen as ne nje Liber..e ju flisni per ekstremizim,Jo njerezit Duan te gjykohen drejt..ne Itali Jane ngritur ne protesta miliona njerez para gjykatave e donin drejtesi..ne shqiperi Sic po shohim di ngrihen te mbrojne saliun edhe nga ju civilet ,te butet,ju qe doni me demek paqen sociale Duke zbutur qendrimin e rrepte po' te drejte te pjeses me te madhe te shoqerise..akoma ne drejtesi ndikon salizmi,ne opinioni po' se po e paguar nga leket e salinjve

    Përgjigju
    • I. Lir: 25/11/2023 13:27

      Shume drejt e ke Xhemal... Bile keta..."Oktapodi jone"...jane ku e ku me te poshter se Toto Rina me gjithe te tjeret. Sepse si edhe thote autori i shkrimit,Totoja me te tjere parate e zeza i investonte aty per te prodhuar veren e makaronat....etj..etj...Kurse keta mostrat tona i çojne jashte tek pinjollet e tyre e ne offshoret e gjithe botes...! Kuptohet fare lehte kush jane me te keqinjte e races njerzore...! Koza Nostra apo Koza Politikashqiptare.?? Burgu eshte pak per keto mostrat tona. Se per te merituar ata meritojne... pasi tju heqesh mbrojtesit "ushtare kriminele" qe kane tja u lesh njerzve te thjeshte ne dore qe tu japin denimin.!

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë