Ylli Pata: Pezmi puritan i Dash Shehit për “bardhezinë” e Berisha-Metës në posterin e PS-së

Ylli Pata: Pezmi puritan i Dash Shehit për “bardhezinë” e Berisha-Metës në posterin e PS-së

Dashamir Shehi

Në debatin e Grida Dumës, ku si përfaqësues i mazhorancës ishte Blendi Klosi, e nga opozita: Dash Shehi e Ilir Alimehmeti, pritej një diskutim krejt ndryshe nga panelet apo tribunat elektorale.

Një përballje sa më e qetë, e sa më shumë më argumente. Për arsye se Blendi Klosi, është një debatues që jo vetëm decibelët e zërit nuk i ngre kurrë, por asnjëherë nuk përdor sulme poshtë brezi ndaj kundërshtarët. Edhe mbrëmë, ai me xhentilesë dha mjaft komplimente njerëzore për Belind Këlliçin, si një ish-koleg të parlamentit.

Siç dhe Alimehmeti dhe Dash Shehi nga ana tjetër, janë po ashtu gjithaq civilë, të qetë, e ku asnjëherë sharja apo fjalori i parë rëndom në komunikimin publik t’i bëhet pjesë e argumenteve replikues.

Parë në këtë këndvështrim, pritej një mbrëmje ndryshe, një diskutim civil i një niveli në mos të lartë, por qytetar e të fisëm, ku natyrisht aq sa mundej secili të dalë jashtë kornizave të llogoreve që një politikan ja imponon fushata elektorale.

Në fakt kjo e dyta nuk ndodhi, e ndoshta është edhe e pritshme të jetë kështu në një mjedis të elektrizuar, kur sa një politikan tregohet  “pëllumb”, “skifterët” e partive do ta kryqëzojnë.

Gjithsesi si Klosi, ashtu edhe Alimehmeti, megjithëse qëndruan fort në transhetë politike të komunikimit që imponon fushata, dhanë një performancë tejet civile, që gjithsesi është një mesazh shumë pozitiv për opinionin publik, për të mos hoshur përplasjen dhe dhunën verbale.

E ndoshta, është e pritshme që nga dy palët që po përplasen më fort në fushatë ajo që ndodhi ishte maksimumi i “xhentilesës televizive”.

I vetmi që ishte komod në atë debat, ishte Dashamir Shahi. Një politikan veteran në vend, i cili përveçse popullor dhe simpatik në rrjetet sociale, njihet edhe për mënyrën qytetare dhe esnafe të komunikimit me rivalët dhe kundërshtarët.

E në këtë aspekt, nga Dash Shehi pritej një gjykim ndryshe apo thënë ndryshe pa dorashka i situatës, sidomos në lidhje me absurdin e betonizimit të elitës së vjetër politike.

Si një opozitar i thekur i Edi Ramës, është krejt normale që nga Shehi të dalin kritika të ashpra, apo edhe akuza të forta ndaj kryeministrit, mazhorancës dhe lidershipit të saj.  Gjithsesi, argumentet më shumë se slloganet janë ato që njerëzit presin nga aktorë politik të tipit apo nivelit të Dash Shehi. E duhet thënë se në shumë raste, argumentet, natryrisht sipas këndvështrimit të tij nuk mungojnë, edhe të shtruara në mënyrë lineare e pa bërtitur.

Megjithatë, mbrëmë ra në sy një fenomen, që më shumë se një reagim momental apo intuitive i zotit Shehi, duket se përbën një fenomen që duket mjaft fatkeq tek një pjesë e rëndësishme e opozitës.

Shehi, në një nga sulmet ndaj Edi Ramës, ja bëri të madhe trajtimin metaforik në posterin elektoral të Sali Berishës dhe Ilir Metës. Sipas Shehit, mënyra sesi Rama e trajtonte dyshen e vjetër politike, shkelte ligjin dhe po kryente një nga mëkatet më të mëdha.

E ky pozicionim, i ka dhënë “dajës”, siç e thërrasin tashmë rrjetet e satirës pranë foltores, një viralitet e popullaritet të rritur.

E ky pozicion i zotit Shehi, u pa si një devikim politik të lineimit të tij në fushatë, të cilën e nisi si një faktor politik i pastër anti-berishë e anti-metë.

Natyrisht nuk është devijimi i parë ky, pasi u pa qartë edhe në qëndrimin për të mbështetur kandidatët e foltores për kryetarë bashkie. Këto kandidatë, mund të ishin shumë mirë si përfaqësues të të gjithë opozitës, e për këtë kishte forma të ndryshme e të shumta, të cilat ja lehtësoi punën edhe PD e Alibeajt, duke e ftuar zyrtarisht të bëheshin si ofertë e përbashkët e Partisë Demokratike. Por ishte zgjidhje politike e Sali Berishës dhe Ilir Metës që të mbanin larg të gjithë faktorët e aktorët e tjerë opozitarë, e të mbanin afër vetëm Nard Ndokën e ca garnitura rudimentale të asaj që quhet “opozitë parlamentare” që u linçua me vite nga enturazhi i Sali Berishës dhe Ilir Metës.

Dyshja e vjetër e politikës, ka zgjedhur këtë qëndrim, pikërisht duke marrë një pozitë monopol, që të mos bëjë asnjë share për aktorët e tjerë.

E ndaj është parë i çuditshëm qëndrimi i Dashamir Shehit, si i ndjerë keq meqë po trajtohej keq Sali Berisha e Ilir Meta prej Edi Ramës.

Këtu nuk bëhet fjalë fare për aspektin etik, apo human të rastit, pasi kemi të bëjmë me një betejë politike, madje të kulmit të saj siç është fushata elektorale. Trajtimi i Ramës ndaj Berishës e Metës, pavarësisht se është një slogan politik për të përfituar pikë mazhoranca, është edhe një faktorizim automatik ndaj dyshes së vjetër. Nuanca bardhezi, fytyrat e vrerosura, apo edhe metafora drastike “zorë qorre”’ e Edi Ramës, është në nivelin e një fushate agresive gjithsesi, por mbetet në aspektin politik të saj.

Simetria e përplasjes politike mes mazhorancës dhe pjesës agresive të opozitës, ka kohë që është prishur, nga mënyra drastike e luftës politike. Ku Edi Ramës, Erion Veliajt apo drejtues të tjerë të mazhorancës, çfarë nuk u është thënë e stërthënë në aspektin jo vetëm politik, por edhe njerëzor e familjar.

E në këtë atmosferë, askush nuk çuditet apo skandalizohet për fjalorin politik që rritet e ulet sipas stinës. Por do të ishte ndryshe, nëse në nivelin personal do të kishte sulme poshtë brezit, apo etiketike e fyerje të rënda. E këtu realisht do ishte i mirëpritur një reagim civil apo qytetar i një pale të tretë siç është Dash Shehi. Jo thjesht meqë Ramës kur u operua ju ndjell vdekja, por kjo çështje ja vlen të trajtohet në parim, kryesisht për të ardhmen.

Në Itali ditët e fundit, ndërkohë që Silvio Berlusconi po luftonte me vdekjen, thuajse e gjithë opozita, u sodilarizua duke i uruar shërim të shpejtë e shëndet. Këtë ja bënë edhe ato qarqe që e kanë sulmuar egërsisht ndër vite duke e demonizuar e karikaturuar pa fund.

Por një gjë është aspekti human, e tjetër ai politik. Dash Shehi, puritanizmin për sjelljen jo qibare të Edi Ramës, e kishte pikërisht për trajtimin politik të Sali Berishës dhe Ilir Metës. Siç politik e ka edhe mbështetjen e kandidatëve të tyre. Po përse thotë se është i distancuar atëherë?

M.Q./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Analiza e VOA: Demokracia në provë në Evropën Lindore mes akuzave për ndërhyrje nga Rusia

Analiza e VOA: Demokracia në provë në Evropën Lindore mes akuzave për ndërhyrje nga Rusia