Ylli Pata: Pse u nxitën incidentet në vizitën e parë të Bajram Begajt në Prishtinë?

Ylli Pata: Pse u nxitën incidentet në vizitën e parë të Bajram Begajt në Prishtinë?

Kreu i LDK, Lumir Abdixhiku dhe Presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanovië në një takim më 19 maj

Ishte krejt i panevojshëm incidenti që u krijua në vizitën e parë zyrtare të presidentit të Republikës Bajram Begaj në Kosovë. Incidenti më i dukshëm është ai që ka ndodhur me partinë e dytë të opozitës; Lidhjen Demokratike të Kosovës, përfaqësuesit e të cilit nuk kanë pranuar të takojnë kreun e shtetit shqiptar në selinë e Kuvendit të Kosovës.

LDK, që prej ditës së djeshme ka dashur t’i japë zë mos mbajtjes së takimit ndërmjet kreut të saj Lumir Abdixhikut dhe Bajram Begajt, lajm i cili ka mbajtur edhe sot mediat e Prishtinës, por edhe ato të rajonit. Sipas deklarimit të LDK-së, fajin e ka pasur stafi i Presidentit të Shqipërisë, i cili nuk ka pranuar që të takohet në selinë e partisë me politikanin opozitar të Kosovës. Ndërkaq, nga pala shqiptare, edhe pse u kontaktuan, ata refuzojnë të bëjnë komente, për të mos ushqyer polemikat.

“Standardi” i vendosur nga kryetari i LDK-së, i cili po merr mjaft kritika nga ana e ish-kolegëve të tij në parti: Skënder Hyseni e Alma Lama, nuk duket se është një traditë politike, që kjo parti i mbetet besnike. Kjo pasi, pak kohë më parë(siç shikohet edhe në foto), gjatë vizitës zyrtare të Presidentit të Malit Zi në Kosovë, Milo Gjukanoviç, Lumir Abdixhiku, nuk e ka takuar Milon në selinë e partisë së tij, por në hotelin e Bexhet Pacollit në Prishtinë, ku e takuan edhe politikanët e tjerë të partive politike. Pra, nuk se është thyer një “dok” politik, siç ka qenë Presidenca historike e Ibrahim Rugovës, në rezidencën e tij private në lagjen Velani të Prishtinës.

Përveç Sali Berishës, rezidenca e Rugovës, ka qenë vend “peligrinazhi” i të gjithë zyrtarëve të lartë të shtetit shqiptar, që ishin edhe përfaqësues të PS-së, një parti që nuk ka marrëdhënie të ngushta me LDK-në. Ndërkaq, diplomatët e Tiranës në Prishtinë, studion e Dr Rugovës në Velani, e kishin shpesh një kënd ku këshilloheshin e diskutonin në relaks pa protokoll, me një gotë Johny Walker përpara dhe tymosnin Marlboro të kuqe. Kur Fatos Nano, i cili me Rugovën ka pasur disa herë polemika në distancë, vizitoi zyrtarisht Kosovën si Kryeministër i Shqipërisë, takimi në selinë e lagjes Velani, ishte edhe një simbol i shkrirjes së akujve dhe ku mikëpritja njerëzore e kalon egon apo hatërmbetjen momentale.

Përse Abdixhiku, nuk i vuri edhe Milo Gjukanoviçit, kushtin që ja adresoi kreut të sapozgjedhur të shtetit shqiptar? Por e takoi pa problem në një holl hoteli? Natyrisht që arsyeja këtu nuk ka lidhje me çështje protokollare, por që shkojnë përtej saj.

Gjukanoviçit, në Kosovë ju rezervua një pritje madhështore dhe vizita pati realisht mesazhe të miqësisë së lartë. Po përse kjo nuk ndodhi me Presidentin e Shqipërisë? E akoma më shumë, përse ndodh që sa herë ka vizita të zyrtarëve të lartë të Shqipërisë në Kosovë, do të ndodhin se s’bën incidente? Alma Lame, ish-deputete e LDK-së dhe ish-ambasadore e Kosovës në Itali, e konsideron refuzimin e takimit me Begajn si të pakutptimtë. Kurse ish-ministri i Brendshëm i Kosovës, zyrtar i lartë i LDK-së dhe ish-kryenegociator me Serbinë në qeverinë e Abdullah Hotit, shkon dhe më tej, ku e konsideron këtë veprim si “ego infantile” të liderit të LDK-së.

Arsyeja që duket se ka nxitur këtë herë Abdixhikun, por në raste të tjera Ramush Haradinajn, e sidomos Vjosa Osmanin, është se duan ta përdorin Tiranën për probleme të brendshme të politikës së Kosovës. Që të mburren para zgjedhësve me gjasë që nuk e kanë qejf PS-në se “u kanë treguar vendin”. Megjithatë, ka shumë gjasa, që një pjesë të fajit të incidentit të sotëm, ta ketë edhe stafi i Presidentit Begaj, i cili nuk ka arritur dot ta sheshonte këtë problem sipërfaqësor.

Incidenti i Abdixhikut, ishte vetëm një ngjarje që la shije të hidhur, pasi “kumbullën” e ka lënë sërish Vjosa Osmani, e cila sapo ka marrë drejtimin e shtetit të Kosovës, nuk e ka fshehur urrejtjen për drejtuesit e Shqipërisë. Osmani, ka provokuar homologun e tij, i cili ishte miku që e vizitonte Kosovën për herë të parë si President i Republikës së Shqipërisë. Ndërsa Bajram Begaj ka folur për “një komb dhe dy republika”, e ku ka ngritur lart rolin e UÇK-së për çlirimin e kOsovës, Vjosa Osmani, ka krijuar një incident përmbajtësor, i cili fatmirësisht nuk u kthye ende në një problem në opinionin publik.

Bëhet fjalë për kërkesën e Osmanit që Shqipëria e Kosova të “firmosin një pakt për mbrojtjen e ndërsjelltë”. Një provokacion i papjekur, i cili ka shumë gjasa që të shkaktojë probleme si me partnerët, por në radhë të parë, duke u bërë casus nga ana e Beogradit në takimin e Brukselit. E shumë mundësi ka që Vuçiç ta ngrejë këtë problem para takimit me Albin Kurtit javën e ardhshme në Bruksel.

Nuk është hera e parë që Osmani e bën këtë, ajo prej kohësh kërkon nga Tirana zyrtare të mbajë qëndrime deklarative për agjendat e saj politike. Shqipëria e Kosova, e kanë treguar gjatë luftës, por edhe para saj se sa të lidhura janë, pasi përveç vendit nga ku bëheshin furnizimet me armë apo trajnimet e trupave, edhe mjaft shqiptarë ju bashkuan UÇK-së, madje ka edhe dëshmorë prej tyre. Një pakt mbrojtjeje formal me Tiranën, kur Kosova është një vend që u çlirua nga SHBA, ruhet nga NATO, e ka në territorin e saj bazën më të madhe ushtarake amerikane në rajon-atë të Bondsteel në Ferizaj, është vetëm një shkresë burokratike që mund t’i shërbejë axhendës së brendshme të Vjosa Osmanit, e cila po shikon t’i ikin njerëzit nga lista e saj “Guxo”, pasi janë të pakënaqur me qeverisjen e Albin Kurtit.

Këtu, duhet kuptuar edhe veprimi i Abdixhikut për të joshur të zhgënhyerit nga Vjosa Osmani. Po përse të jetë viktimë një general shqiptar që s’ka lidhje me politikën, e aq më shumë se është Presidenti i Republikës, në vizitën e parë të tij që zhvilloi në Kosovë. Gjeneral Begajt, politikanët e Prishtinës, t’i kishin rezervuar të paktën ngrohtësinë që i ofruan Milo Gjukanoviçit pak kohë më parë…

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Si do jenë ndryshimet në Kodin Zgjedhor që do bëjnë PS-Rithemelimi?



×

Lajmi i fundit

NBA/ Surprizë në parket, humbasin Boston dhe Milwaukee! Atlanta fiton me një pikë më shumë

NBA/ Surprizë në parket, humbasin Boston dhe Milwaukee! Atlanta fiton me një pikë më shumë