Ylli Pata: Shansi i humbur i Ilir Metës

Ylli Pata: Shansi i humbur i Ilir Metës

Ilir Meta

Kërcënimet që dalin papushim, si një batare artilerie, e cila komandohet me një rregull për t’ju përgjigjur lajmeve që vijnë e rrjedhin nga SPAK, priteshin se do të jenë reagimi i Ilir Metës në një rast kur ai do të përballet me drejtësinë.

Kjo bindje vjen, sepse Ilir Meta nuk e ka pasur sot këtë reagim “toksik” në lidhje me akuzat që vijnë ndaj tij, por thuajse gjithmonë ka përdorur variantin tallava të “strategjisë braziliane” që aksiomë ka skemën e famshme të trainerit Zagallo në vitin 1970: “Mbrojtja më e mirë është sulmi”.

Çdo ditë do të kemi fraza të tipit: “nësër do ta shohin ata”! Nëse është e premte, do të përdoret shprehja: “Të hënën bëhet nami!” E më 31 gusht, në vigjilje të vjeshtës së parë, kur njerëzit përveç fillimit të sulmit të “gjimnastikës” me fëmijët në shkolla, do të kenë edhe një tjetër telash: “Në shtator do ta shikoni ç’do tu bëj!”, shpërthen Meta nga frëngjia e Partisë së Lirisë.

E kur çdo kush ka parasysh atë stres të trafikut, punëve e telasheve me çmime të rritura, natyrshëm mendon: “po mbylle brenda gushtit o burrë, meqë për të bërë e ke”!

Po realisht çfarë gjëme mund të bëjë Ilir Meta, siç kërcënon? Nga ajo që thotë, kreu i Partisë së Lirisë, ai do t’i përgjigjet sulmit me një kundërsulm. Me një fjalë do të sjellë akuza të mëdha për eksponentë të mazhorancës. Mirëpo kjo nuk është diçka e keqe, pasi në fund të fundit do të jenë njerëzit, por edhe SPAK, nëse çohen materiale të reja për të ndjekur e hetuar punën e institucioneve dhe qeverisë, që do ta gjykojnë situatën më në kompleks.

Megjithatë, ka një të vërtetë, të cilën Ilir Meta, sipas gjasave e ka kuptuar fare mirë. Gjithë ky stres për të ndjekur “formulën e Zagallos”, kur vetë Brazili e ka braktisur me kohë duke forcuar mbrojtjen e mesfushën, vjen vetëm nga një ngërç që realisht e ka krijuar vetë protagonisti i ngjarjeve të gushtit 2022, e sipas gjasave edhe shtatorit.

Përballja, ballafaqimi, apo edhe hetimi nga drejtësia nuk se është një fenomen që nuk ndodh në një shtet, ku ose mbizotëron ose tentohet të mbizotërojë “rule of law”. Të gjithë shtetarët e mëdhenj janë përballur me drejtësinë, të rrallë janë ata që nuk e kanë provuar këtë “të keqe të domosdoshme” të sistemit politik që Shqipëria ka adoptuar që nga viti 1990, duke ju bashkuar botës Perëndimore.

Por në këto raste, sprova është sesi një shtetar përballet me një sfidë kaq të vështirë siç është akuza penale ndaj tij. Bota Perëndimore ka shumë shembuj, nga të cilët çdo kush mund të shikojë e adoptojë modelet e duhura.

Kur në vitin 1992, prokurori i Milanos Antonio di Pietro, nisi operacionin e famshëm “Duart e Pastra” kundër sistemit të rryshfeteve në politikën italiane, njeriu që  u shënjestrua më shumë nga ky operacion ishte Bettino Craxi, një nga politikanët më të rëndësishëm të Italisë, por edhe Europës Perëndimore. Ish-ministër i Jashtëm, ish-kryeministër, kryetar i Partisë Socialiste Italiane, pjesëmarrëse në qeveri prej shumë vitesh, ai ndjeu se mund të arrestohej ndër të parët politikanë të nivelit të lartë. Ndaj mori telefonin, e thirri njeriun e fuqishëm të Tunizisë Ben Ali, e i kërkoi një strehim të sigurtë në vendin, ku si kryeministër e ministër i jashtëm kishte lidhur marrëdhënie të ngushta.

Ben Ali e mirëpriti menëjherë, duke i dhënë një vilë luksoze në qytetin turistik Hamamet dhe një mbrojtje nga policia vendase 24 orë në 24. Craxi, ndoqi nga vila tuniziane të gjithë zhvillimet në Itali, ku arratisja ja keqësoi situatën. I shoqëruar nga e bija, e cila i shërbeu me devotshmëri, shëndeti fizik e mendor i një nga burrave të shtetit më të talentuar në Itali, u rëndua shumë. Aq shumë sa vdiq para kohe, si pasojë e rëndimit të diabetit, i cili u bë më agresiv edhe nga mosrespektimi fare i dietës ushqimore, por edhe nga stresi i lartë. Ai akuzoi SHBA dhe CIA-n se kërkoi ta ndëshkonte, ngaqë ai kishte qenë i pavarur në marrëdhëniet me Uashingtonin(Këtu ngjan pak me rastin tonë).

Craxi vdiq në azil në një vend afrikan, ku dhe u varros, nërkohë që u dënua nga shkalla e pare në dy procese. Apeli, pasaj mbylli dosjen duke marrë shkas nga vdekja e tij. Edhe sot historianët debatojnë ashpër mbi rolin, duke u rrekur të gjejnë të mirat dhe të metat e tij si politikan dhe burrë shteti.

E kundërta e Craxit ishte Giulio Andreotti. Edhe ai ministër e kryeministër disa herë i vendit, u përball me akuza edhe më të rënda nga ana e prokurorisë. Akuza që shkonin që nga “urdhërdhënia” për të vrarë gazetarin Carmine Pecorelli, lidhja e ngushtë me Toto Riina-n, pra me mafien siçiliane, lidhja me masonerinë e akuza se ka lejuar vrasjen e liderit të Democracia Cristiana: Aldo Moro nga “Brigade Rosse” etj etj. Andreotti i përballoi vetë, personalisht, pa ndihmën e partisë së tij, të cilën e kishte mbajtur në pushtet për rreth 30 vjet, të gjithë furtunën mediatike dhe proceset penale që u kthyen në reality show.

Janë epike konferencat e shtypit të Adreotti-t për çështjet që ai akuzohej nga prokurorët. I është përgjigjur rresht për rresht, presje për presje nëpërmjet gazetarëve, të gjithë akuzave me detaje. Më pas kreu një epope të vërtetë në sallat e gjyqeve, ku debatoi me prokurorë, të penduar të Cosa Nostra-s; si Tomasso Buschetta e të tjerë, por edhe me gjyqtarët që drejtonin proceset. Në fund u shpall i pafajshëm nga të gjitha proceset që e akuzonin. Të gjitha! Ndoshta, kjo ndodhi edhe falë aftësisë e talentit të tij për tu përballur dhëmbë për dhëmbë me akuzuesit e tij.

Ndërroi jetë në vitin 2013, pa asnjë dënim penal dhe duke qenë Senator i Përjetshëm-një mandat në Dhomën e Lartë të Parlamentit Italian që caktohet me dekret presidencial.

Ilir Meta, natyrisht nuk ka bërë as njërë e as tjetrën, por ka ndjekur modelin e Sali Berishës, një model krejt oriental i pengimit e shantazhimit të drejtësisë.

Të gjithë e mbajnë mend vitin 2002, kur Ilir Meta-kryeministër i Partisë Socialiste, e njeriu më i fuqishëm i partisë së tij në atë moment, madje më i fortë se kryetari Fatos Nano, arriti të kryente një veprim të fortë, që sipas gjasave ishte një nga aktet kryesore që rrëzuan PS-në nga pushteti.

Në atë kohë, Fatos Nano, i kërkoi Kryeprokurorit të Republikës, Arben Rakipi, që të niste hetimet mbi disa afere që sipas tij kishte abuzime me fondet publike. Madje pati edhe nisma shkresore denoncimesh. Pas kësaj, Meta grupoi rreth vetes një numër të madh deputetësh të PS-së, u lidh me Berishën dhe së bashku shkarkuan Arben Rakipin nga posti i Prokurorit të  Përgjithshëm, e në bashkëpunim me Presidentin Rexhep Meidani, zgjodhën këshilltarin e tij, Theodhori Sollaku në krye të organit të akuzës.

Ndërkaq, përballja e radhës e Ilir Metës me drejtësinë është viti 2011, kur doli videoja me të ndjerin Dritan Prifti. Meta, dha dorëheqjen nga posti i zv.kryeministrit dhe deklaroi se do ndihmonte prokurorinë të ndihmonte. Por kur Prokuroria mori një ekspert tenkologjie nga SHBA për të ekzaminuar videon Meta-Prifti, kreu i LSI-së ndikoi që të rrëzohet ekspertiza e amerikanit dhe të përdorej ajo e disa personave që ishin lidhur ngushtë me pushtetin e asaj kohe dhe nuk kishin asnjë kredit të vlerësuar profesional.Ndërsa përpara vendimit të Gjykatës së Lartë për të gjykuar ekspertizën, pra për të lejuar prokurorinë të hapte hetimet ndaj Ilir Metës, ky i fundut thirri Sali Berishën-Kryeministër për darkë mediatike, që nuk ishte gjë tjetër por një shantazh për të penguar drejtësinë. E në fund Gjykata e Lartë nuk dha OK që Meta të hetohej. Sa për transparencë, ndaj Metës nuk u bë asnjëherë hetim në themel për ato që thuheshin në videon me Dritan Priftin. Thjesht u pengua hetimi, nëpërmjet shantazhit ndaj anëtarëve të Gjykatës së Lartë.

Ndërkaq, ajo që vjen më pas dihet. E gjithë lufta e egër, me kosto të madhe për vendin, vetëm e vetëm që të pengohej reforma në drejtësi, duke hyrë në luftë me SHBA-në e diplomatët e saj, BE-në e diplomatët e saj, Gjermaninë e diplomatët e saj, Italinë e diplomatët e saj në Shqipëri.

E gjithë kjo rrugë përveç jo korrekte e jo normale për vendin, ka rezultuar edhe jo produktive për Ilir Metën. Ai, siç çdo pushtetar, do të hetohet një ditë. Siç janë hetuar parardhësit e tij Ramiz Alia dhe Fatos Nano, por edhe kolegë të tij në shumë vende Perëndimore. Madje absurdi është se sot Meta po hetohet për një aferë për të lobuar që ai të mos hetohet. E gjithë kjo lodhje nervash e parash pa fund vetëm për të mos u përballur përpara një prokurori. Pikërisht kjo e ka krijuar këtë mit të madh, që më shumë se të gjithë e ka ndihmuar vetë Ilir Meta…

M.Q./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Idioti: 26/08/2022 21:21

    Vetem se operacionet antimafe zbatoheshin dhe zbatohen ndaj atyre ne qeverisje. Ndaj atyre qe psh., ne Durres jane ne bashkepunim me kryemafiozin Laze (Iljaz) Hasanbelliu i cili prej mese 15 vitesh prodhon krere bashkish te llojit Vangjo apo deputete te llojit Rama.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    17 Dhjetor, 08:53

    Hapet një tjetër grupkapitull me BE, a po ecet shpejt drejt integrimit?



×

Lajmi i fundit

Dita Kombëtare e Diasporës/ Ministri Balla: Duhet t'i garantojmë çdo fëmije me prindër shqiptarë që të mësojë shqipen

Dita Kombëtare e Diasporës/ Ministri Balla: Duhet t'i garantojmë çdo fëmije me prindër shqiptarë që të mësojë shqipen