Ylli Pata: Si lindi ngrica Tiranë-Prishtinë, pasojat e saj dhe modeli i kundërt në botën serbe

Ylli Pata: Si lindi ngrica Tiranë-Prishtinë, pasojat e saj dhe modeli i kundërt në botën serbe

Albin Kurti dhe Edi Rama

Tirana dhe Prishtina politike në historinë e gjatë të marrëdhënies kanë kaluar nëpër një shteg jo të lehtë, që konktekstin e ka në rrugën paralele që ka ecur bota politike shqiptare. E cila, nuk është krijuar si një substrakt politik e kulturor i ngjizur që nga koha kur trojet shqiptare në Perandorinë Osmane u ndanë keqas nga Konferenca e Londrës e viteve 1912-1913.

Ismail Qemali, tentoi të krijojë një konsensus sa më të gjerë në aktin e shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë dhe krijimin e qeverisë dhe institucioneve shqiptare. Përfshirja e emrave të rëndësishëm nga Kosovan në qeverisjen e re ishte një përpjekje për një mbrothtësi të të gjitha qendrave të gravitetit shqiptar. Të cilat vinin nga një njohje e përbashkët në institucionet e Perandorisë Osmane, por jo gjithmonë qëllimi i përbashkët ka prevaluar mbi ambicjet e protagonismin personal.

Megjithatë është fakt, se përplasja më e madhe ndërmjet Tiranës dhe botës politike të Kosovës, nisi nga antagonizmi i fortë i Ahmet Zogut me Komitetin e Mbrojtjes së Kosovës, e themeluar në Shkodër, që ishte një lloj qeverie në ekzil e Kosovës të lënë jashtë trungut të shtetit shqiptar.

Eleminimi i figurave të rëndësishme të Komitetit si Hasan Prishtina, Sali Nivica, Bajram Curri etj, keqtrajtimi i Shote Galicës etj, ishin faktorë që ndikuan në prishjen e një marrëdhënie që fillimin e pati pozitiv në vitin 1912.

Gjatë pushtimit fashist, sidomos atij nazist të Shqipërisë, ky dy figura të rëndësishme të Kosovës ishin autoritetet më të rëndësishme qeveritare si Kryeministri Rexhep Mitrovica dhe ministri i Brendshëm, Xhafer Deva, ngrica e krijuar nga Zogu nuk u shkri përkundrazi. Veprime e akte sidomos të Xhafer Devës, ku kulmi është masakra e 4 shkurtit 1944, e plagosën më keq këtë marrëdhënie që nisi e vështirë.

Në kohën e pushtetit komunist, Tirana dhe Prishtina e ashpërsuan më keq relacionin e tyre, si nga ngjarje të rënda si Masakra e Tivarit apo përplasja e gjatë e Enver Hoxhës me të gjithë drejtuesit e Prishtinës që nga Fadil Hoxha deri te Rrahman Morina.

Një nga periudhat më të mira e këtyre marrëdhënieve ka qenë pikërisht koha më e vështirë për Tiranën e Prishtinën. Ajo e viteve 90.

Por kjo nuk e pengoi Ramiz Alinë dhe Ibrahim Rugovën e Bujar Bukoshin të krijojnë një relacion mjaft rezultativ. Edhe pse mendimet e problemet mes palëve nuk ishin të vogla. Këndvështrimet e Ramiz Alisë dhe ato të Rugovës e Bukoshit ishin mjaf të ndryshme për zhvillimet, historinë, politikën, por ata i bashkoi synimi i përbashkët. Për aq sa funksionoi kjo marrëdhënie ishte e frytshme. E cila u shty përpara pas ardhjes në pushtet të Partisë Demokratike nga viti 1992 deri në 1994. Kur pati një ngjizje huajse perfekte të diplomacisë shqiptare dhe institucioneve të Kosovës. Kjo mund të quhet dhe periudha e artë e një relacioni që nisi acarimin pas referendumit për Kushtetutën në nëntorin e vitit 1994. Kur Sali Berisha tentoi të keqpërdorë marrëdhënien e mirë me Ibrahim Rugovën për interesa personale. Rugova, kur pa një devijim autoritar e antiperëndimor të Sali Berishës, nisi pa kompleks një marrëdhënie me opozitën e atëhershme në Shqipëri, për tu treguar se Prishtina nuk është palë e një lufte politike të brendshme. Akt politik që ndikoi mjaft në ndarjen e keqkuptimeve dhe dasive.

Ndërkaq, me ardhjen e socialistëve në pushtet në vitin 1996, Fatos Nano ndërmori aksione politike që acaruar mjaft autoritetet e Prishtinës, madje që krijoi edhe mjaft polemika mes tyre. E kjo marrëdhënie vijoi gjatë jo vetëm në kohën e Rambujesë, por edhe pas çlirimit të Kosovës. Por kjo asnjëherë nuk u bë mundësi për një ngricë politike mes Shqipërisë dhe Kosovës.

Edhe pse marrëdhëniet mes qeverisë socialiste dhe “Pallatit të Velanisë”, siç quhej rezidenca e Ibrahim Rugovës, nuk ishin fjollë, në zyrën e presidentit të Kosovës gëlonin në mënyrë periodike diplomatët e Tiranës në Prishtinë, por edhe nuk u refuzuan takimet me përfaqësuesit e Shqipërisë.

Diplomati i parë që hapi zyrën diplomatike të Tiranës në Prishtinë, Gëzim Podgorica, edhe pse marrëdhëniet më të mira i kishte me krahun e luftës, ai kishte takime të shpeshta jo vetëm formale në zyrën e Ibrahim Rugovës, qoftë edhe për të pirë diçka e biseduar. Me ardhjen e ambasadorit të parë të Shqipërisë në Kosovë, të ndjerit Vladimir Prela, këto marrëdhënie ecën përpara. Paskal Milo, kreu një vizitë në vitin 2000 në Prishtinë, ku u prit nga Rugova, edhe pse palët thanë e diskutuan pikëpamje të ndryshme. Kur Fatos Nano gjithashtu vizitoi Prishtinën e u ngjit në Velani, ndodhi shkrirja e madhe e akujve, ku dy personazhet politikë folën me politesë e komplimente ndaj njëri-tjetrit.

Kjo marrëdhënie vijoi edhe gjatë qeverisjes së Hashim Thaçit me Sali Berishën, edhe pse dy liderët ishin sharë e përlarë. Madje Thaçi ishte burgosur nga Berisha. Në vitin 2009, Hashim Thaçi u bë edhe pjesë e dekorit të fushatës zgjedhore të Berishës kur përuroi hapjen e tunelit të Thirrës në Rrugën e Kombit.

Pas marrjes së mandatit të dytë të Berishës, në vitin 2009, ai futi spicat ndërmjet politikës së Kosovës, duke tentuar të përkrahë Ramush Haradinajn dhe një pjesë të LDK-së, nga lufta e brendshme që u hap që prej vdekjes së Ibrahim Rugovës. Lidhjet e Berishës me Ramushin i afroi një personazh mjaft i dyshimtë që doli si lidhje e të birit, edhe në aferën CEZ DIA. Ky personazh, i cili tërhoqi një sasi të madhe cash në një bankë të nivelit të dytë në Tiranë si përfaqësues i CEZ është përkrahës i AAK së Ramushit, e prej vitesh ka ardhur edhe si ndërtues në Tiranë.

Megjithatë, përplasja më e madhe e këtyre rekacioneve ndodhi në vitin 2019, kur kryeministër ishte Ramush Haradinaj. i cili u fry nga Berisha e Meta në Tiranë se do të rritej politikisht në Kosovë, nëse bënte luftë për Edi Ramën. Siç dihet ajo luftë nisi me një mënyrë nga më të rëndat, në prezencë të Angela Merkelit e Emanuel Macronit. Por Ramushi, jo vetëm që nuk u rrit politikisht, por edhe rrezikoi të humbte edhe mbështetjen që kishte marrë deri atëherë. Sondazhet që i bënin spinët e doktorit në Tiranë, rezultuan të njëjta si në natën e 25 prillit 2021.

Më pas luftën me Ramën, e trashëgoi Albin Kurti, e Vjosa Osmani, me shpresën se do të kenë arritje politike. Madje Albin Kurti garoi me Vetëvendosjen në zgjedhjet e 2021 në Shqipëri, madje edhe erdhi vetë të votonte.

Kurti, kishte tentuar edhe në 2018-n të ishte prezent me ekspertizën e tij guerile në lëvizjen studentore, por Rama ju përgjigj me emërimin e politikanëve nga Vetëvendosja në qeverinë e Shqipërisë. Ministrja e Arsimit Besa Shahini, dhe ministri i Jashtëm Gent Cakaj, u sulmuan egër nga Albin Kurti. Kurse Zv.ministri i Kulturës Hajrullah Çeku, u thirr nga Albin Kurti, u bë deputet e sot është ministër i Kulturës së Kosovës.

Ndërkaq, Edi Rama, në fushatën e zgjedhjeve të 2021-shit gjatë promovimit të aeroportit të Kukësit, lavdëroi Hashim Thaçin, armikun e vërtetë politik të Albin Kurtit.

Edhe pse relacionet Edi Rama-Albin Kurti që prej 2021-shit kanë qenë në dukje si përpjekje për të treguar një pranverë, ata kanë qenë ngricë. Që sot, pikërisht në ndarjen e thellë të qëndrimit properëndimor të Ramës dhe antiperëndimor të Kurtit, këto marrëdhënie po përjetojnë një ngricë që shtohet gjithnjë e më shumë.

Ky handikap i madh i botës shqiptare, konturohen me një triumfirat properëndimor Edi Rama-Ali Ahmeti-Dritan Abazoviç që është në kontrast me Albin Kurtin. E kjo ngricë po e dëmton rëndë shtratin politik të botës shqiptare, që parë në një zhvillim paralel është unikal.

Pasi në Ballkanin Perëndimor, ekziston paralele, e shtrirë në disa shtete edhe bota politike serbe përveç asaj shqiptare. Por në kontrast nga hapësira shqiptare, bota serbe, edhe pse ka mjaft larushmëri, edhe pse ka kontradikta të shumta, ata asnjëherë nuk janë ndarë për çështje të mëdha.

Beogradi, pra qeveria e Serbisë, faktori shumë i rëndësishëm politik serb në Mal të Zi, politika e Banja Luka-s, pra Republika Srbskas në Bosnjë, politika e serbëve të Kosovës, ajo në Kroaci dhe në diasporë, ka pasur e gjithmonë vepron në unison. Aleate të fortë në këtë mbrothësi kanë Kishën Ortodokse Serbe, e cila ka një ndikim thelbësor në shuarjen e çdo kontradikte. Milorad Dodik i Republika Srbskas është më afër Vladimir Putinit sesa Aleksandër Vuçiçit. 

E diferenca ndërmjet këtyre dy faktorëve më të rëndësishme të botës serbe nuk është e vogël. E që shikohet çdo ditë në mediat thuajse të unifikuara të kësaj bote. Si mediat e Beogradit, Podgoricës, Banja Luka-s, apo veriut të Kosovës, nuk kanë ndarje për zhvillimet me të gjithë serbët kudo që jetojnë.

Si Vuçiç, si Dodik, si Milanoviç në Podgoricë apo krerët e Listës Serbe në Kosovë nuk reshtin së takuari, duke vepruar si një lob politik në mos unik jo i ndarë e pa ngricë. Të paktën spektakël të shëmtuar të përleshjeve të tyre nuk kemi parë deri më sot.

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Arbëri: 05/07/2023 20:28

    Albin Kurti dhe jo vetëm e din shumë mirë se Edvin Vucici Phnom për serbin dhe shkatrrimin e shtetit të Kosovës 100000% !!!

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Valteri zbulon ‘paktin’ Berisha-Meta për zgjedhjet 2025

Valteri zbulon ‘paktin’ Berisha-Meta për zgjedhjet 2025