Ylli Pata: Zgjatja e vettingut fut në qoshe Berishën e Metën

Ylli Pata: Zgjatja e vettingut fut në qoshe Berishën e Metën

Ilir Meta dhe Sali Berisha

Menjëherë sapo Lulzim Basha dje shpalli se do të votojë zgjatjen e vettingut, shpërtheu një ortek shumë i ashpër në mediat pranë Berishës e Metës. Në vetë të parë dollën në “mejdan” emra të njohur në media prej vitesh si përkrahës të opozitës, të cilët goditën pa mëshirë kreun e PD-së. Madje, edhe familjarë të Sali Berishës, si i biri i tij nuk përdorën asnjë fre në gjuhën e mllefit ndaj Bashës.

Por me gjithë zhurmën mediatike, kundërshtimi i zgjatjes së vetingut dhe vijimit të punës së Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, ka krijuar tashmë një mjedis më të qartë, por natyrisht më të izoluar politik i cili është kundërshtar i drejtësisë së re.

Mjedisi është më i qartë, ngaqë opozita e Lulzim Bashës, por edhe deputetë të tjerë nga Berisha edhe LSI-ja nuk kanë pasur kurajo të dalin hapur në mejdanin e luftës personale të shefave të tyre.

E ky pozicionim i tyre i ka vendosur në qoshë të politikës shqiptare, për një çështje që është mjaft e rëndësishme për institucionet.

Si Sali Berisha, ashtu edhe Ilir Meta, në të gjithë betejën e tyre kundër reformës në drejtësi që prej vitit 2016, e kanë mbarsur opinionin publik me narracione e fibula krejt fantazmagorike, a thua se kishim të bëjmë jo me një sistem që selekton gjyqtarët e prokurorët jo nga politika, por me një shpellë kuçedrash që do hanin njerëz.

Sa shumë helm e baltë janë hedhur ndaj të gjithë ndërkombëtarëve, duke nisur nga Donald Lu, Romana Vlahutin, e me radhë, vetëm e vetëm se tashmë do të kishim prokurorë e gjyqtarë që jo vetëm nuk i kontrollonin dot, por edhe ata gjyqtarë e prokurorë që i mbijetonin vettingut, do të mbikqyreshin nga një trupë ndërkombëtare e nivelit të lartë.

E gjithë zhurma e lufta që shoqëroi miratimin e reformës, u shoqërua me një bllokadë të gjatë nga ana e Berishës e Metës, që kontrollonin thuajse tërësisht opozitën, parlamentin, Kryeprokurorin e më pas Presidentin  e Republikës, e struktura të tjera.

Reforma ngeci për një kohë të gjatë, më pas me ngritjen e dy trupave të larta KLGJ e KLP, ngritjen e SPAK e BKH-së gjithçka zuri vendin e vet. Vettingu shpesh ka qenë një process jo linear, ku mund të kenë kaluar edhe njerëz që nuk e meritonin apo të ngecnin ata që meritonin të mbeteshin në drejtësi.

Megjithatë, gjithçka bëhet nga sistemi dhe jo nëpërmjet skemës së vjetër të lidhjeve politike e klienteliste.

Në këtë rast, mbarimi i afatit 5 vjeçar i vettingut dhe ONM-së ishte një rast tjetër që Berisha e Meta të ngrinin një kauzë të re, e me fitoren e saj, të krijonin premisat për një hyrje në politikën qëndrore pas Non Gratas së SHBA dhe përjashtimit prej Bashës.

Ndalja e këtij procesi, në një kohë kur një pjesë e madhe e drejtësisë nuk ka kaluar në filtër, është absurd, pasi nuk ka si lihet puna në mes, e nga ana tjetër nuk ka logjikë të përmbysesh këtë sistem e të rikthesh skemën e vjetër.

Ndaj humbja e sotme, ku edhe vettingu u zgjat pra do të vijojë, ka bërë që “Shtëpia e Lirisë” të humbasë gurin më të fortë të lojës së tyre kundër SHBA-së por edhe në politikën ditore.

Kjo humbje ka një rezultat të rëndësishëm pasi nga sot, si Sali Berisha, ashtu edhe Ilir Meta, edhe pse mund të mbesin në politikë, ata nuk do të jenë në qendrën gravitacionale të saj, por në periferinë politika, faktikisht në qoshen e saj… TemA

K.T./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Nani: 11/02/2022 12:06

    O Pata pata te drejte ke ti se vetingun e kalon vetem nese i sherben Rames dhe Lulushit , normal qe u shit dhe sistemi drejtesise jam dakort me ty !

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë