* * *
-Zoti Polovina, është folur sërish këto ditë për çështjen Shehu. Vrasje apo vetëvrasje? Por jo vetëm, tashmë po del qartazi një frymë këmbëngulëse për rivlerësimin e figurës së tij si shtetar. Ju ç'mendim keni në lidhje me ish-kryeministrin Shehu, në tërësi?
-Kemi të bëjmë me një gjest politik. Madje do ta quaja Lëvizje Politike. Po synohet një vlerësim i ri për periudhën e gjysmëshekullit komunist. Nga 1944 deri në 1990 i glorifikuar gjer në neveri, pas falimentit të regjimit dhe shembjes së tij, i hedhur poshtë tërësisht, kjo e kaluar po kërkon përmasën e vet reale në historinë tonë. Është e drejta e saj dhe nuk do të ketë forcë që ta ndalë. Por kjo nuk do të thotë se nismëtarët e tanishëm kanë gjetur momentin më të arsyeshëm dhe masën e nevojshme etike. Diktatura ka qenë e rëndë dhe viktimat e saj, flas për të vuajturit realë dhe jo të shtirurit, i kanë plagët jo vetëm të pambyllura, por shumë prej tyre edhe të pakuruara. E drejta morale për të gjithë nxitësit e këtij rivlerësimi nis kur të paktën të jenë bërë të ditura publikisht, me gojë e shkrim, me ekran televizioni apo filmi, dhuna e drejtpërdrejtë që është kryer mbi një pjesë të popullit. Dhe për këtë duhet të jemi të vetëdijshëm që të gjithë. Po u ngutëm dhe po e mbuluam këtë dramë të madhe me propagandë ajo e keqe mund të rikthehet, duke na "nusëruar" me veshje moderne. Ndërkohë më duket e gabuar, edhe pse mund të mos jetë e qëllimtë, që në vend të kërkohet rivlerësimi i punës vetëmohuese të njerëzve të thjeshtë për tharjen e kënetave, deanalfabetizimin dhe arsimimin kombëtar apo mbrojtjen e sovranitetit shtetëror, mundin për ndërtimin e hekurudhave apo devotshmërinë për një shërbim shëndetësor realisht falas dhe jo i përmbytur nga paudhësia e përfitimit si tani, nismëtarët kanë hall të madh të rehabilitojnë Enver Hoxhën apo Mehmet Shehun. Mirëpo këta nuk e rimarrin dot dimensionin e vërtetë pa dëshmuar fillimisht ato arritje që u bënë, sikur edhe të kenë qenë vetëm disa thërrime. Ndërkohë nuk mund të projektohet saktë një shoqëri dhe pjesë e historisë së saj nën hijen e shalëve të një personi, ca më pak të një politikani pushtetmbajtës siç qenë dy të sipërpërmendurit. Me pak fjalë, mendoj se Shqipëria apo shoqëria komuniste e saj ishte shumë herë më e mirë dhe humane se mjaft prej udhëheqjes së saj bolshevike. Brenda vetes Hoxha, edhe pse më i ditur, qe më i keq se një komunist apo anëtar i thjeshtë i partisë, të cilës i hipi në krye. E njëjta vlen edhe për Mehmet Shehun.
-Me sa kuptoj ju e quani pa vend këtë sipërmarrje për rivlerësimin e ish-kryeministrit?
-Thjesht tani për tani është e padobishme politikisht. Nuk po flas për analizën historike. Ajo nuk ka kohë, sepse të gjithën e ka në dispozicion të vet. Historia vërtet kërkon një distancë nga ngjarja apo individi protagonist, por fillon të regjistrojë e mbajë shënim që në çastin kur shfaqen e ndodhin. Në këtë kuptim, Hoxha dhe Shehu kanë hyrë në histori dhe duken qesharakë ata që kanë përveshur mëngët t'i dëbojnë prej saj. Çështja e diskutueshme për ne të gjallët e tjerë që nuk e kemi këtë fat, por gjithsesi zotërojmë mundësinë t'ua besojmë apo hedhim poshtë veprën, madje edhe t'ua shkruajmë, është të jemi korrekt me rolin që kanë luajtur. Nisur nga kjo, Mehmet Shehu nuk është thjesht një kriminel dhe as një shtetar i madh.
-Atëherë çfarë është?
-Një person e dukuri mjaft e ndërlikuar, në mjedisin shqiptar me të ngjashëm para dhe pas tij, madje edhe aktualisht. Ndodhet i përafërt edhe në historinë e vendeve të tjera ish-komuniste. Në librin tim "Amerika, Mehmet Shehu dhe Ramiz Alia" kam rrëfyer për "sozinë" e tij në Jugosllavinë e Josip Broz Titos. Qe ministri i tij i Jashtëm në vitin 1960. Quhej Konstandin Koça Popoviç. Ndryshimet mes tyre ishin të pakta: Shehu qe më i vogël vetëm pesë vite. Popoviç ishte poet, i ngjashmi i tij shqiptar nuk kishte mundur dot të bëhej shkrimtar, sepse penën e përdorte me talent. Të dy qenë besnikë të palëkundur të shefave të tyre, po ashtu edhe mjaft të disiplinuar, karaktere të hekurt. Si Shehu edhe Popoviç ishin natyra të heshtura, pothuaj vetmitare. Që të dy përdornin më shumë veprimin se fjalën. Qenë të pajisur me një mendje ushtarake gjeniale. Gjatë luftës, Mehmet Shehu dhe Koça Popoviç jetonin mes trupave e luftonin në krah me ta, ishin për Por ngjashmëria mes Shehut dhe Koçës shkonte edhe më tej. Kishin qenë vullnetarë në Luftën e Spanjës, veç ndërsa Mehmet Shehu bënte pjesë në një nga brigadat internacionale, Koça Popoviç u rreshtua drejt për së drejti në njësitë republikane. Gjatë luftës për çlirimin e Jugosllavisë i ngjashmi qe komandant i Brigadës së Parë të ushtrisë partizane dhe në krye po ashtu, kur ajo u bë divizion. E njëjta pat ndodhur edhe me Mehmet Shehun. Të dy mbanin mustaqe, madje të të njëjtit model. Edhe nga fytyra ngjanin jo pak. Pas lufte që të dy u bënë shefa shtabesh të ushtrive, veç në kohë dhe me qëndrime të kundërta. Kryeministri shqiptar bashkë me Enver Hoxhën u rreshtuan me Moskën dhe Stalinin, kurse prej vitit 1948 deri në 1953 Koça Popoviç bashkëpunoi me amerikanët për modernizimin e ushtrisë së vendit të tij. Në këtë periudhë të nxehtë të luftës së angloamerikanëve dhe jugosllavëve për rrëzimin e Hoxhës, Mehmet Shehu qe ministër i Brendshëm. Kështu të dy të ngjashmit qenë në betejë të drejtpërdrejtë me njëri-tjetrin. Në fatin e tij dramatik, Shehu ka një tjetër të njëllojtë në Bashkimin Sovjetik, mareshallin Tukaçevski. Ishte reformuesi i Ushtrisë së Kuqe dhe i vlerësuar prej të gjithëve si komandanti më gjenial. U akuzua se do t'i bënte një komplot Josif Visiaronoviç Stalinit. Ky do të kryhej në tre faza. Në fillim do të qe kryengritja në Kremlin, pastaj do të pushtohej selia qendrore e policisë dhe pas kësaj, menjëherë do të vritej Stalini. I arrestuar në 27 maj 1937, në periudhën e "pastrimit të dytë", Tukaçevski u pushkatua në 12 qershor në një vend të panjohur, pa lënë varr. Në vijim u ndërmor një persekutim dhe likuidim masiv i ushtarakëve të Bashkimit Sovjetik, aq i rëndë sa u ndje fort kur vendi u sulmua nga gjermanët. Ajo që pas vdekjes së Stalinit bëri bujë ishte se pati qenë shërbimi i fshehtë hitlerian ai që përgatiti të dhëna false për mundësinë e një komploti të mareshallit bashkë me disa ushtarakë. Kjo dosje e manipuluar iu dorëzua nga agjentët SS ambasadorit sovjetik në Pragë. Prej këtej ra në duart e Stalinit. Ky e mori të mirëqenë dhe goditi. Asgjë komplotiste nuk u vërtetua në gjyqin me dyer të mbyllura, por ende ka ndonjë historian, i cili mendon se një ide e tillë ka ekzistuar në kokën e disa oficerëve të lartë, të cilët shtyheshin nga dëshira për ta rikthyer BRSS-në në një vend kapitalist. Për Tukaçevskin zakonisht ngulin këmbë se, pas rrëzimit të Stalinit, do të vinte në krye të shtetit, por duke e ruajtur atë si vend bolshevik. Sidoqoftë vitet e mëvonshme bënë të qartë se shërbimi i fshehtë gjerman e sajoi këtë çështje me porosi të Hitlerit. Ky po bëhej gati ta sulmonte Bashkimin Sovjetik dhe të gjithë atë veprim agresiv për vetëm qëllime hegjemone globale do ta mbulonte para opinionit publik ndërkombëtar me gjoja parimësinë e "luftës kundër komunizmit". Po të ndodhte vërtet ndonjë përmbysje e regjimit në Moskë dhe të triumfonte borgjezia, si do të justifikohej nazisti Adolf kur t'i shpallte luftë? Nuk ka çudi, po ashtu, që duke njohur edhe gjendjen shqiptare, të më lejoni të dyshoj se Hitleri i ka bërë një grackë Stalinit, i dha etjes dhe egërsisë për pushtet, paranojës së tij, një shkak për t'u shfryrë dhe me këtë rast dobësimin e qëllimshëm të Armatës së Kuqe para se 160 divizionet naziste të shpërthenin kufirin në 22 qershor 1941. Por gjithsesi, mareshalli në vendin e vet është i rehabilituar shumë kohë para se të binte sistemi i ashtuquajtur socialist, në 1989. Ndërkohë Mehmet Shehu është edhe një histori ekskluzivisht shqiptare. Prej saj një i huaj mund ta kuptojë më mirë jo vetëm gjysmëshekullin tonë të mbetjes peng në sferën e influencës së ideologjisë staliniste dhe në duart e Enver Hoxhës, por edhe në mënyrën se si bashkëkombësi ynë tipik që merret me politikë vepron dhe sillet në të gjitha kohët, sidomos çfarë marrëdhënie krijon ai me pushtetin dhe mënyrën e ushtrimit të tij.
-Dhe ju mendoni se në këtë realitet të rëndë në mesnatën midis 17 dhe 18 dhjetorit 1981 Shehun e kanë vrarë?
-Jo, ai është vetëvrarë në mënyrë të ndërgjegjshme, aspak në krizë nervore, siç shkroi të nesërmen regjimi që i fshehu letrën, e cila ishte njëkohësisht edhe testamenti i tij. Sot janë ende në veprim interesa cinike, të cilat lëvrijnë për ta mbajtur të vërtetën historike sa më larg asaj letre tërësisht shpjeguese dhe të qartë përse u vetëvra. Letra të bën të kuptosh edhe cili në të vërtetë ishte Mehmet Shehu. Është shumë e trishtueshme se si vazhdon e tirret vazhdimisht pëlhura e gjoja një vrasjeje. Kjo e fundit, sigurisht, duke qenë e thjeshtë dhe që nuk të lodh shumë kokën për ta gjykuar dhe interpretuar më thellë, është më e lehtë për t'u besuar nga konsumatori i zakonshëm i historisë. Ky cikël telenovelash them se do vazhdojë. Ne, shqiptarët, vendin kryesor të pjesëmarrjes publike dhe qytetare kemi ende kafenetë dhe divanin në kuzhinë, ku shtrihemi me pantofla dhe shohim TV-në. Po ashtu, kjo skemë naive përmban më tepër edhe elementë intrigues, u lehtëson dufin e mllefeve kujt ka urrejtje për Enver Hoxhën apo ndokujt që do ta mbrojë apo justifikojë të parin dhe ortekun e përbuzjes ta hedhë mbi Ramiz Alinë. Përveç të çiltërve që besojnë sinqerisht se Mehmet Shehu për nga natyra e tij kryeneçe dhe trimërore nuk mund të vetëvritej, me tezën e vrasjes kapardisen disa, madje çuditërisht edhe i vëllai i ish-kryeministrit, i cili sa më shumë që jep intervista, aq më tepër dëshmon se jo vetëm nuk di gjë, por as ka vullnet të mbledhë të dhëna të reja. Dy bijtë e mbetur të çiftit, Fiqiret dhe Mehmet; Bashkimi dhe Skënderi, për shkak të inteligjencës të tyre, si edhe një vetëdije realiste, nuk janë lëkundur asnjëherë prej versionit zyrtar të kohës, pra vetëvrasjes.
-Por ka një dokument, sipas të cilit vetë Mehmet Shehu e dënon aktin e vetëvrasjes. Së fundi e botoi edhe një e përditshme.
-Këtë dëshmi për herë të parë publike e kam bërë unë në një shkrim për poetin Lirim Deda. E kam kërkuar ngulmërisht dhe posaçërisht, gjersa e gjeta. U botua në 31 janar 2011. Sipas dëshmisë së shkrimtarit ushtarak Deda, në vitin 1974, kur Shehu u bë edhe Ministër Mbrojtjeje, pati urdhëruar rishikimin e të gjitha rregulloreve të Ushtrisë për të hequr përfundimisht prej tyre, ndikimin sovjetik. Në bocetin që iu dha para botimit dhe ku korrektor qe Lirimi, në faqen njëzetë e një, paragrafi pesë, Mehmet Shehu me dorën e tij, me stilolaps të kuq, pati bërë një shenjë orientuese dhe shkruar: "Këtu të shtohet ky paragraf: "Ushtaraku që vret veten, është armiku më i betuar i Partisë dhe i popullit". Dhe kështu u bë, këto fjalë u shtuan dhe gjenden atje. Enver Hoxha nuk e ka ditur kurrë këtë detaj, sepse do ta përdorte menjëherë para se të hartonte dhe shpërndante "tablonë sinoptike", përpjekjen e tij më të sofistikuar, por edhe më të gënjeshtërt, për djallëzimin maksimal të Mehmet Shehut dhe mbuluar arsyet e vërteta të vetëvrasjes së tij. Kur Shehu kërkoi të shkruhej në rregulloren bazë të armatës shqiptare se vetëvrasja e një ushtaraku qe shprehje e armiqësisë së betuar ndaj Partisë së Punës dhe popullit, e besonte sinqerisht këtë, jo thjesht shtonte një kod të rreptë disipline ushtarake. Dalja kundër vetes, vetëmarrja e jetës, vërteton se sa në ekstrem e patën shtyrë ngjarjet, sidomos partia e tij, Mehmet Shehun. Ja pse ajo shtyrje deri në vetëvrasje është një krim shumë më i madh se çdo lloj tjetër vrasjeje, madje edhe sikur t'ia kishin bërë trupin copë e çikë, ndarë gjymtyrët e flakur tutje. Letra e lënë, e shkruar me dorën e vet dhe e mbushur tej e mbanë me mendësinë e tij, kjo e braktisur nga telenovelistët e mehmetologjisë, është çelësi. Madje asnjë analizë mbi kryeministrin më jetëgjatë të Shqipërisë, nuk mund të nisë pa filluar prej asaj letre. Do të më lejoni ta vijoj intervistën me ju, duke u përqendruar disa çaste këtu.
-Pa tjetër, veç do të dëshiroja të më shprehni opinionin tuaj në të gjithë këtë histori, edhe për Ramiz Alinë, për Nexhmije Hoxhën, për Kadri Hazbiun dhe ndoshta, edhe thjesht për një kërshëri timen, për Nesti Nasen dhe Llambi Ziçishtin.
-Do do të bëj një përpjekje, me sa të mundem. Por rikthehemi tek letra-testament e Mehmet Shehut. Sipër, ajo ka shënimin: "Ta hapi personalisht vetëm sh. Enver Hoxha e kërkush tjetër". Me siguri tek të tjerët e kishte fjalën vetëm për Ramiz Alinë, byroistin që kishte marrë revansh dhe për llogari të të cilit, për të qenë në të ardhmen ai pasardhësi, po e flaknin mënjanë. Nuk është vetëm ky detaj besimi ekskluziv tek Hoxha, por në atë testament politik, ka edhe të tjerë që vërtetojnë, se sado brenda atyre rreshtave të ketë manovër, Shehu e ka respektuar Hoxhën deri në fund. Nuk them se e ka dashur, sepse në politikë, nuk ka rënie në dashuri. Ekzistojnë vetëm aleanca dhe kjo do të thotë se janë lidhje të përkohshme. Kur shkroi letrën, në prag të mesnatës mes 17 dhe 18 dhjetorit 1981, Mehmeti qe i bindur se Enveri kishte prishur këtë të fundit, paktin. Nga përvoja e gjatë në politikë, por edhe në luftën e brendshme për pushtet në Shqipëri, ai e dinte se ky ishte guri i fundit. Më saktë qe si stoli mbi të cilin vihet një njeri për t'u varur dhe xhelati, që t'i lëshohen këmbët të dënuarit dhe laku i litarit ta mbytë, i bie me shkelm. Kjo prishje e aleancës politike, pra që Enver Hoxha do të jetonte sa më gjatë ditët e tij me shëndet problematik dhe Mehmet Shehu do ta zëvendësonte vetëm më pas vdekjes së natyrshme, sipas të gjitha rregullave të meritokracisë, e ka tronditur shumë. Përderisa, për sa pa dhe kuptoi nga mbledhja e asaj mbrëmjeje e Byrosë Politike, ai nuk do të qe më kurrë numri dy për t'u bërë njëshi, këtë raport korrektësie me Enver Hoxhën ai përpiqet ta spikatë në letër ("Por unë, shoku yt më i afërt i halleve dhe i fitoreve, gabova politikisht dhe ideologjikisht kohët e fundit...", "...ty, shokut, mësuesit dhe vëllait tim të dashur, unë, shoku yt më i afërt i halleve dhe i fitoreve, siç më ke quajtur me të drejtë...", "...të manovronin për të të shkëputur përgjithmonë nga shoku yt i halleve dhe i fitoreve...", "Unë nuk heq "asnjë presje" nga gjithçka kam shkruar e thënë për ty si shok, si mësuesi im marksist-leninist dhe si vëlla").
Ekskluzive/ Ylli Polovina:MehmetShehu ishte dënuar me vdekje KETU DO TË LEXONI:
"Vrasja" e Mehmetit e kapi Enverin në befasi
Përse fati i Mehmetit ishte parashkruar?
Kë kishte caktuar pasardhës Hoxha
dhe përse ky hap ishte i detyruar?
Alia dinak, para se të fitonte Enver
Hoxhën, zotëroi të shoqen e tij
(Shkrimi u publikua sot ne gazeten Shqiptarja.com)