Britanikët nuk kishin interesa imediate në një vend si Çekosllovakia, të paracaktuar që në Jaltë, menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore, si zonë ekskluzive e ndikimit rus, por ishte krejt e kundërta me Ballkanin. Këtu, përveç Greqisë, në marrëveshjen e ndarjes së zonave të influencës midis fitimtarëve Jugosllavia qe pjestuar pesëdhjetë për qind me pesëdhjetë. Pjesën e luanit e kishin anglezët. Ata, 007 britanike, që të nesërmen e pushtimit të vendit të çekëve dhe të sllovakëve, në 23 gusht, informuan qeverinë dhe Madhërinë e Saj se nga të dhënat e grumbulluara tani në radhën e sulmit pushtues sovjetik nuk qe aq shumë Rumania, siç përflitej prej shtypit dhe disa qendrave kontinentale të studimeve strategjike, se sa vendi i sllavëve të jugut, federata e tyre e bashkuar, por jo e ngjizur.
Kjo, ngulnin këmbë ata, do të shkaktonte prishje të rëndë të ekuilibrit të forcave jo vetëm në Ballkan, por në të tërë Mesdheun. Pra do të trazonte dhe në mos përmbyste hegjemoninë angleze në hapësirën e saj më jetike. Agjentët britanikë përherë kishin qenë të bindur dhe këtë ua kishin vërtetuar edhe informatat e mbledhura që pas prishjes së Titos me Stalinin në 1948, se Bashkimi Sovjetik nuk e falte herezinë ideologjike dhe ekonomike socialiste të Beogradit. Dalja e Jugosllavisë prej kampit të përbashkët filorus dhe modeli shoqëror që po zbatohej aty, konsiderohej një diversion dhe se në rastin më të parë ajo shenjë ndriçimi ndryshe prej ngjyrës që shpërndahej nga Moska, për sovjetikët duhej fikur njëherë e mirë.
Shërbimi i fshehtë britanik në raportin e vet urgjent për qeverinë dhe Mbretëreshën ritheksonte atë, të cilën vazhdimisht e pati vënë në dukje me këmbëngulje: për të dobësuar Jugosllavinë dhe shndërruar atë në një prehë më të lehtë, agjentura sovjetike punonte t’ia kundërvinte Serbisë armiqësinë e vjetër, pothuaj historike, të kroatëve, të sllovenëve dhe të malazezve. Ndërkohë nuk thoshte se energji kundërvënëse për Beogradin jugosllav dhe njëkohësisht serb zotëronin edhe shqiptarët e Kosovës, të Maqedonisë apo të Malit të Zi.
Dukej qartë se agjentët profesionistë të Madhërisë së Saj nuk besonin që në Prishtinë, në Tetovë apo në Ulqin kishte këllqe për t’ia tronditur themelet federatës.
Apo 007 e drejtuar nga Londra nuk kishin një rrjet të ngjeshur informativ mes shqiptarëve të Jugosllavisë dhe ndërkohë vuanin edhe mungesë të dukshme agjenture në Tiranë?
Valët e radiostacioneve sovjetike sulmojnë radion “Zëri i Amerikës”
Dy ditë pas sulmit të Traktatit të Varshavës mbi Pragë, në 24 gusht, drejtori i Agjencisë së Informacionit të Shteteve të Bashkuara denoncoi që nga Uashingtoni një agresion të disa radiove ruse mbi valët e dëgjimit të stacionit radiofonik “Zëri i Amerikës”.
Një akt kaq i rëndë tensioni mes dy superfuqive të globit nuk pati ndodhur që prej krizës së raketave sovjetike në Kubë, 1962. Në 27 gusht ambasadori jugosllav në Uashington kreu një takim me Sekretarin amerikan të Shtetit dhe i deklaroi se vendi i tij qe i gatshëm për të mbrojtur pavarësinë e vet. Ai hapi edhe çështjen e çdo ndihme të mundshme, por u pa qartë se nuk kishte alarmin e ditëve të para të pas agresionit kundër Pragës.
Dukej që shefat e tij në Beograd e kishin porositur enkas se duhej që Shteteve të Bashkuara të Amerikës t’i përcillte mesazhin se, duke mos bërë asnjë lëshim në vendimin për t’i rezistuar një sulmi sovjetik, jugosllavët kishin edhe një shpresë fijehollë: nëpërmjet mjeteve politike ky kërcënim të prapsej. Në të vërtetë Josip Broz Tito pati kryer në fund të muajit prill të atij viti një vizitë të paplanifikuar në Moskë dhe shpresonte se ajo ende kishte ngrohtësi për t’u ndjerë gjer në vjeshtë. Gjatë ditëqendrimit mes udhëheqësve sovjetikë ai nuk e fshehu qëllimin e tij përparësor: të bënte ndërmjetësin zbutës për atë që po ndodhte mes Moskës dhe Pragës, Leonid Brezhnjevit dhe Aleksandër Dubçekut.
Tito nuk qe dakord me pikëpamjen e Kremlinit se në vendin e çekëve dhe të sllovakëve po ndodhte ndonjë “kundërrevolucion”. Me këtë rast me shumë kujdes në termat e të shprehurit, u la të kuptojë sovjetikëve se në asnjë rast nuk do të lejonte ndërhyrje në punët e brendshme të Jugosllavisë. Këmbëngulës në transmentimin e këtij qëndrimi nga 9 gushti deri në 11, pra vetëm një dyzinë ditësh para agresionit kundër Çekosllovakisë, Josip Broz për ta mbështetur rrugën e “socializmit me fytyrë njerëzore”, të zgjedhur prej Dubçekut, bëri një vizitë të posaçme në Pragë. Me këtë rast i këshilloi vendasit të mos nguteshin në shpejtësinë e shndërrimit të gjërave, por edhe shpalli dëshirën e tij që sovjetikët të mos përdornin forcën.
Tito u rikthye në Beograd me shpresë paqësore, por qe një tjetër që nxitoi ta ekspozonte Pragën më shumë nga ç’duhej dhe kjo do ta irritonte mjaft Moskën. Për të inkurajuar modelit çek të një vendi të kampit socialist, çfarë në të vërtetë qe edhe rruga për shkëputje prej ndikimit sovjetik, në Çekosllovaki vrapoi për një vizitë rebeli tjetër ndaj BRSS dhe Traktatit të Varshavës: Nikolla Çaushesku. Sepse i dinte të gjitha këto, në bisedën e 27 gushtit 1968 midis ambasadorit jugosllav në Uashington dhe Sekretarit amerikan të Shtetit, ky nuk e la diplomatin e Beogradit të përkundej në ndonjë iluzion për të ndjekur edhe më tej taktikën e mosngacmimit të tepërt të ariut rus.
Nicholas Katzenbach e ftoi ambasadorin ta mbante në korent për çdo zhvillim që lidhej me rrezikun territorial të Jugosllavisë. I theksoi se mbrojtjen e saj SHBA e konsideronin të një rëndësie absolute. Njerëzit e Titos ngurronin që kërkesat e forta, veçanërisht ato të ndihmës së menjëhershme ushtarake, tua bënin amerikanëve drejtpërsëdrejti, sepse mendonin që mes dy superfuqive duhej mbajtur një baraspeshim i qartë dhe jo anësim i dukshëm, sidomos tek njëri për të luftuar tjetrin. Ata i druheshin akuzës së sovjetikëve se qenë në bashkëpunim të plotë me amerikanët. Po tua jepnin këtë pretekst do të qe më i mundshëm një agresion ushtarak.
Kështu sipas orientimit të Josip Brozit diplomacia jugosllave çfarë donte t’ia thoshte apo kërkonte SHBA-së ose NATO-s, e kryente nëpërmjet një të treti: Britanisë së Madhe. Po atë ditë që ambasadori i Beogradit në Uashington takonte Sekretarin amerikan të Shtetit, në 27 gusht 1968, homologu i tij në Londër bëri një bisedë me Sekretarin e Shtetit Michael Stewart, nëpërmjet të cilës donte të hetonte se çfarë qëndrimi do të mbante qeveria e Britanisë së Madhe në rast të ndonjë agresioni sovjetik. Anglezët e kuptuan nevojën jugosllave të komunikimit të lakuar dhe që në ditët e para të shtatorit morën vendimin: për të ndjekur nga afër fatin e sovranitetit të Jugosllavisë, Britania e Madhe dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës duhej të këshilloheshin vazhdimisht.
Në mes të shtatorit u hodh edhe hapi ekzekutiv. u zhvillua mbledhja operative e përbashkët.
Italianët gati të mbrojnë me armë Jugosllavinë
Ndërsa Enver Hoxha, pas veprimeve të përditshme të mobilizimit ushtarak dhe një kryeartikulli të botuar në “Zërin e Popullit” në 24 gusht (ku agresioni denoncohej dhe dënohej me forcë), i nisi vetëm në 3 shtator gjestet politike të PPSH-së për kundërshtimin ndërkombëtar të agresionit, në Itali tërë udhëheqja e Partisë Komuniste, më e madhja e llojit të vet në të gjithë Perëndimin, u mblodh që në 21 gusht, afër mesditës, kur akoma agresioni nuk pati ndodhur.
Vetë qeveria italiane në 2 shtator, pra njëzetë e katër orë para se Enver Hoxha të vinte në lëvizje mekanizmin e tij kryesor, atë të denoncimit të Traktati të Varshavës me dalje juridike të Shqipërisë prej tij, çfarë do të bëhej publik nëpërmjet Kuvendit Popullor në ditën e gjashtëmbëdhjetë të muajit, e siguroi, nëpërmjet rrjetit të vet diplomatik, Josip Broz Titon se prej shtetit të tyre nuk do t’i vinte asnjë kërcënim. Madje asnjë bezdi, sado e vogël të qe ajo (të dy palët kishin probleme të nxehta në ndarjen e kufijve të pasluftës).
Prandaj, theksuan ata në mesazhin e tyre konfidencial, që prej atij çasti federata jugosllave le t’i përqendronte forcat e veta ushtarake në krahun lindor. Kështu italianët u bënë të parët garantë të mbështetjes së tërthortë të Jugosllavisë në rast se ajo sulmohej prej sovjetikëve. Këtë gjest ata nuk e bënë për Shqipërinë, duke ia shtuar atë plus edhe indiferencës së mëpasshme të Britanisë së Madhe, të Aleancës Atlantike dhe asaj të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Shërbimi diplomatik i Romës ishte i bindur se Jugosllavia me në krye Titon, shkonte në thelb drejt integrimit me Perëndimin dhe se ajo, në sajë të pozicionit të vet gjeostrategjik, ishte një mburojë natyrale e Italisë dhe në të njëjtën kohë edhe e Evropës së vendeve demokratike. Një Jugosllavi e fortë përballë Moskës qe një garanci për mosdepërtimin e sovjetikëve dhe të Traktatit të Varshavës në detrat e ngrohtë të Ballkanit dhe në Mesdhe.
Diplomatët italianë skemën e këtij vlerësimi për statusin e federatës së sllavëve të jugut e patën përcaktuar si një shtet që duhej të qe i pavarur, i paprishur dhe i pandarë së brendshmi. Po ashtu të ishte i qetë.
Për ta asnjë problem nuk paraqiste fakti që Jugosllavia ishte një vend me regjim komunist autoritar. Rëndësi paraqiste fakti që ajo përfaqësonte pararojën e pavarësimit të një shteti komunist nga Moska.
Pekini është larg, Tirana e mbetur vetëm
Ndërsa Shqipëria i gëzohej vetëm mbështetjes politike, por edhe materiale dhe ushtarake të Republikës Popullore të Kinës, doemos jo ardhjes në Ballkan të ushtrisë së saj, ndërsa edhe vendi qindramilionësh e pati denoncuar ashpërsisht agresionin sovjeto-varshavas, Jugosllavia po tërhiqte dhe përpinte përherë e më shumë vëmendje, përkrahje po ashtu. Në fund të shtatorit dhe në ditët e para të muajit tetor në Uashington u mbajtën bisedime midis Britanisë së Madhe dhe SHBA. Në ditën e dymbëdhjetë, pasi presidenti Lyndon B. Johnson priti ambasadorin jugosllav, i deklaroi se administrata e Shtëpisë së Bardhë qe për një Jugosllavi të pavarur dhe sovrane, të zhvilluar ekonomikisht.
Në 18 tetor Nënsekretari i Shtetit, Nicholas Katzenbach, kreu posaçërisht një vizitë mbështetjeje të hapët në Beograd, kurse një muaj më vonë, në 16 nëntor, NATO mori në sekret të plotë një vendim, në të cilin thuhej se një ndërhyrje e drejtpërdrejtë apo e tërthortë e Bashkimit Sovjetik në Evropë duhej ndalur, ndryshe do të provokonte një krizë ndërkombëtare me pasoja në të gjithë Mesdheun. Aleanca Atlantike u përkujdes që kjo t’i shkonte në vesh Moskës. Në 26 nëntor Nënsekretari i Përhershëm britanik Paul Gore-Booth ia transmentoi ambasadorit jugosllav në Londër përmbajtjen e vendimit të NATO-s, tashmë përpiluar në formën e një deklarate.
Sipas arkivës së shërbimit të jashtëm anglez këto qenë gjeste më shumë politike dhe propogandistike se ushtarake, sepse ndërkohë të dhënat e përditshme konfirmonin se rreziku i një sulmi sovjetik në Jugosllavi qe pakësuar dukshëm.
Ky opinion shprehej si bindje edhe në Beograd. Kështu gjykonin edhe në Tiranë. Enver Hoxha urdhëroi uljen e shkallës së mobilizimit ushtarak dhe të intensitetit të propagandës denoncuese ndaj Bashkimit Sovjetik dhe Traktatit të Varshavës.
Me Josip Broz Titon, ndërkohë, kishin dhënë e marrë mesazhe mirëkuptimi se përballë çdo kërcënimi të tipit të Pragës, të dy vendet do të qëndronin bashkë në të njëjtën llogore.
(Vijon)
Redaksia Online
(E. Ç./shqiptarja.com)