Yllka Mujo: Takimi im i
parë me Drita Pelinkun

Yllka Mujo: Takimi im i<br />parë me Drita Pelinkun
TIRANE- Është përcjellë me nderime Drita Pelinku, një nga margaritarët e aktrimit shqiptar. Dje nga ora 11.00 deri në orën 13.00 kanë nisur homazhet në Teatrin Kombëtar për nder të aktores së madhe. Miq, të afërm, kolegë dhe artdashës të shumtë i kanë dhënë lamtumirën e fundit aktores Pelinku, e cila ndërroi jetë në orën 10.00 të mëngjesit të së mërkurës, më 2 shtator, si pasojë e një sëmundjeje të rëndë. Dje kanë ardhur me tufa lulesh edhe ministrja e Kulturës, zonja Mirela Kumbaro, si dhe ministra e përfaqësues të ministrive të tjera të vendit.

Ndërsa homazhet janë zhvilluar në Teatrin Kombëtar dhe më pas është zhvilluar edhe ceremonia e varrimit të aktores në Varrezat e Sharrës, dhjetëra emra të njohur të skenës dhe të ekranit janë shprehur për vlerat e saj të jashtëzakonshme si njeri, si aktore dhe pedagoge e aktrimit. Tinka Kurti ka folur për imazhin e koleges dhe mikes së saj Drita Pelinku me lot në sy, sepse priste dhe shpresonte që aktorja të kishte një jetë më të gjatë pas operacionit. Regjisori Mihal Luarasi, me të cilin ajo ngjiti në skenë këtë vit premierën e fundit të saj me rolin e Zarinës në dramën “Përgjithmonë Dashuria”, shprehet se ajo iku nga kjo botë ashtu siç e kishte menduar se “do të luante deri në fund të jetës së saj në skenë”.

Emocionet e kolegëve nuk kanë fund. Luftar Paja e vlerëson Drita Pelinkun për gjurmët që la në Teatrin Kombëtar. Ministrja e Kulturës Kumbaro tha se “jam rritur me imazhin e Drita Pelingut”. Ndërkohë aktorja Rajmonda Bulku me në tufë lulesh të fundit për Drita Pelinkun në dorë shpreson se i është afruar shijes së artistes, dhe “do t’i pëlqenin”. Aktorja Liza Xhuvani e konsideron ende si mësuesen e saj më të mirë në rrugën e gjatë të karrierës si aktore. Një rrëfim plot emocione dhe mbresa dedikuar aktores së talentuar Yllka Mujo, vjen për Shqiptarja.com nga aktorja Yllka Mujo, e cila ka shumë për të thënë për Drita Pelinkun, sepse kanë pasur mjaft role dhe premiera të përbashkëta, por edhe një miqësi të rrallë. Ja si rrëfehet Yllka Myjo:


“Kontakti im i parë me Dritën ishte kur unë isha aktore e re. Sapo kisha nisur punë në teatër dhe pashë zonjën Drita, të cilën e admiroja, dhe kur shkoi në një nga kabinat e grimit unë vura re aktorin Naim Frashëri që i tërhoqi karrigen plot respekt dhe ajo u ul. Unë pashë një gjest respekti të rrallë dedikuar asja dhe kjo ishte mbresa e parë që mbeti nga takimi im me Drita Pelinkun në Teatrin Kombëtar. Me Drita Pelinkun unë personalisht kam pasur fatin të punojë disa herë. E kam nisur që tek “Orët e Kremlinit” që ishte roli im i parë dhe në atë rol Drita ishte nëna ime. Të them të drejtën që nga ajo kohë unë lidha një miqësi shumë të ngushtë me Dritën dhe shkoja shumë shpesh në shtëpinë e saj.

Dhe për mua miqësia ishte thelluar më tepër për mençurinë e saj, për pjekurinë që kishte si nënë, si bashkëshorte. Madje me aktorët e rinj ajo ka luajtur rolin e nënës, dhe pastaj edhe rolin e mësueses. Ajo kishte shumë gjëra për të dhënë. Unë personalisht i jam mirënjohëse për atë që më ka dhënë si artiste dhe për atë që më ka dhënë si mikeshë. Ky është një dimension që rrallë njerëz ia kanë njohur.

Muajt e fundit kur ajo u sëmurë kemi kaluar një pasdreke të bukur bashkë dhe befas ajo nisi të qaj. I thashë “Drita pse qan? Jeta edhe në këto vështirësi është e bukur” dhe ajo më tha “Qaj se kemi kaluar një pasdreke të mrekullueshme bashkë”. Dhe unë këtë kujtim që do ta ruaj si një nga brilantet më të çmuar. Sigurisht në jetën e njerëzve ka të tjerë njerëz e kujtime, por Drita për mua është një brilant që do të shkëlqeje për sa kohë që unë të kem jetë. Unë kisha dy muaj që isha në shtëpinë e saj dhe para pak ditësh kalova poshtë ballkonit, mendova njëherë të kthehesha dhe nuk guxova të shkoja ta shikoja, sepse doja të ruaja në mendje me atë kujtimin e fundit të saj...”


Shkrimi u publikua sot (04.10.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Xhudistja nga Kosova, Laura Fazliu fiton medaljen e bronztë olimpike në Paris 2024

Xhudistja nga Kosova, Laura Fazliu fiton medaljen e bronztë olimpike në Paris 2024