Shqipëria ka fituar një tjetër “ambasador” që magjepset prej saj në rrjetet sociale. YouTuberi amerikan Mike Majlak, i njohur për podcastin "Impaulsive", ka ndarë me ndjekësit e tij eksperiencën nga udhëtimi në vendin tonë, duke thënë se, po të ishte milioner, do ta zgjidhte Shqipërinë për të jetuar.

Në videon e publikuar në kanalin e tij, Majlak tregon momentet nga vizita në Gjirokastër, Dhërmi, Durrës dhe Tiranë. Ai flet me entuziazëm për natyrën, bregdetin dhe mënyrën si u prit gjatë qëndrimit në Shqipëri, ndërsa nuk kursen vlerësimet as për kuzhinën shqiptare, për të cilën thotë se i ka dhuruar "ushqimin më të mirë" që ka provuar ndonjëherë.

Gjatë udhëtimit, ai ndalet edhe te disa gjëra që i duken karakteristike për Shqipërinë, nga tregtarët e peshkut buzë rrugëve deri te muzika që dëgjohet kudo.

Në video nuk mungojnë as batutat. Duke folur për vajzat shqiptare, Majlak thotë se janë "shumë simpatike", madje i krahason me "Puerto Rikanet e Europës", por me humor shton se janë të vështira për t'u afruar.

"Mund të jesh duke ecur, t'u thuash 'ç'kemi' dhe ato thjesht nuk të hedhin sytë", u shpreh ai duke qeshur.

Një pjesë e vizitës së tij ishte edhe takimi me reperin Noizy në Durrës. Të dy biseduan për karrierën e artistit, pasionin për makinat dhe përvojat e tij në boksin e rrugës, ndërsa Majlak provoi edhe manaferrat nga kopshti i shtëpisë së reperit.

Në fund të videos, YouTuberi amerikan iu ndau me ndjekësit e tij të shumtë përshtypjet për Shqipërinë, duke u bërë thirrje ta vizitojnë vendin tonë patjetër. 

"Këtu mund të jetosh si mbret. Nëse do të isha milioner, do të shpërngulesha këtu për të jetuar. Shqipëria është një nga ato vende që të gjithë duhet ta vizitojnë patjetë" tha Majlak

U.D/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës: 24 Qershor, 15:40

    Si ju duket plani i protestës për të shpërndarë qeverinë e Kuvendin dhe zgjedhja me short mes qytetarëve?