Ypi: Shpulla

Ypi: Shpulla

Iku me anije duke u betuar se nuk do kthehej më kurrë në Shqipëri.
Megjithatë u kthye. U takuam në një kafene.
-Meqënëse deri më sot, tha, të persekutuarit s’kanë bërë asnjë xhest hakmarrjeje, s’kanë goditur kurrë as me një shpullë të vetme ndonjë persekutor, unë erdha t'ja rras me shpullë njërit prej tyre, spiunit tim. E kërkova por nuk e gjeta, kishte vdekur. Nuk mund t'ja hapja varrin t’i rrasja një shpullë skeletit të spiunit tim.

-Më vjen po aq mirë që spiuni yt paska vdekur, sa edhe keq që vdiq pa i hequr ti një shpullë. Duket si hakmarrje e të vdekurit ndaj të gjallit vdekja e atij qeni. Sikur spiuni yt ka vdekur për të mos ta mundësuar ty të hakmerreshe ndaj tij duke i dhënë një shpullë surratit. Nuk e di si do isha sjellë në të njëjtat rrethana unë me spiunin tim.
-Paske pas edhe ti spiun ?!

-S'ka shqiptar të mos ketë pas spiun. Problemi është se spiunat nuk quajnë spiun veten, por tjetrin, atë që spiunonin, viktimën, domethënë ty dhe mua.
-Shpullën që s’ja rrasa dot spiunit, vendosa t’ja ngjesh gjykatësit. Por doli që gjykatësi, gjykatës ishte atëhere, gjykatës është tani. Megjithatë do t’ja kisha ngjeshur shpullën po të mos kishin dalë disa ngatërresa. Me gjyqin e një nipit tim po merret një shok i ngushtë i ish gjykatësit t’im. Që do të thotë se po t’i fusja shpullën gjykatësit tim do merrja më qafë nipin tim. Kështu dashur-pa-dashur lashë gjykatësin nisa të kërkoj prokurorin. Me prokurorin ishin hakmarrë të tjerë më tepër se me një shpullë. Kishte rënë viktimë e luftës brenda llojit kur unë isha ende në burg E kishin bërë atë vetë dhe familjen e tij kashtë e koqe nëpër internime burgje. Pas prokurorit vendosa të kërkoj hetuesin. Hetuesi më doli autoritet i lartë i një universiteti privat, në të cilin universitet studiojnë një mbesë dhe një nip. As hetuesit pra s’mund t’ja rrasja shpullën për të mos i nxjerrë ngatërresa nipit dhe mbesës.

Dhe u largova nga hetuesi për të gjetur njërin nga dëshmitarët. Atë, i cili, pa më njohur fare, në gjyq tha për mua gjithato rrena. Rashë në gjurmët e dëshmitarit rrenacak.E takova. Me ‘të më ndodhi diçka e paparashikuar. Sa më pa, nisi të më kërkojë falje në një mënyrë aq të pështirë, të neveritëshme. U jargavit dhe u zhgërrye aq ndyrë para meje, sa mu duk se po tja rrasja një shpullë, dora do më ndotej aq tepër sa nuk do mund ta laja dot kurrë dhe do ta prisja me sëpatë me dorën tjetër. E lashë atë dëshmitar ndyrësirë. Nisa të kërkoj një tjetër dëshmitar rrenacak të cilin edhe atë, për fat, e gjeta shpejt. Mirpo doli se një djali i tij ishte fejuar në pritje për tu martuar me një kushërirën time. Edhe mund tja kisha futur një shpullë atij pisi. Por halli se pas shpullës mund të bëja lëmsh jetën e kushurirës. Ndërkohë që po mendoja se kush tjetër e meritonte shpullën, mora vesh diçka që më llahtarisi; Një dhëndërr i farefisit tim kishte qënë spiun. Nuk më rezultoi se na kishte dëmtuar direkt.

Ama gjithçka që kishim llafosur paskësh përfunduar në veshët e syshkabës, Sigurimit. Kjo llahtari më tmerroi aq tepër sa prej momentit të atij zbulimi nisa ta shoh me dyshim krejt farefisin. Nuk zbulova dot se ndonjëri prej tyre qënë spiunë. Ama të tërë bashkë m’i mbuloi mjegulla e dyshimit. Pavarësisht këtyre dështimeve, nuk u ndala në rrugën për gjetjen e plehrës që meritonte shpullën. Ku s’më vajti mendja. Kam pasur dy shokë të cilëve u thosha dhe më thoshin gjithçka. Sapo u muar vesh që diktatura i kishte ditët e numuruara të dy u zhdukën në mënyrë misterioze njëri në Amerikë tjetri në Itali. Nuk mund të them kanë qënë a s’kanë qënë spiunër. Di të them vetëm se ikja e tyre e beftë më ka mbetur e dyshimtë. Në këto e sipër mora vesh ca lebetira të tjera; Njerëzit e spiunit t’im të vdekur, atij që nga njëra anë bënte muhabet me mua në shtëpinë t’ime, nga ana tjetër shkonte i zbrazte të gjitha diku tjetër, ishin të lidhur prej vitesh me interesa biznesi me ca njerëzit e m’i që jetojnë në një qytet tjetër.

Ai që gjykatës ishte gjykatës është, ishte mpleksur në ndërtimin e një pallati, trualli i të cilit ishte, dhe është, i një mikut tim, të cilin mik e kam pasur, dhe mik e kam. Dhe të tjera mpleksje që s’ma kishte marrë kurrë mendja se mund të ndodhnin, fakte këto që e ndërlikonin edhe më tepër çështjen e shpullës. I zhytur në këto hollësira dëshpëruese thashë ti jap fund duke ja rrasur shpullën ndonjërit prej kushurinjve që braktisën familjen time kur më burgosën mua. Atij më të ndyrit prej tyre, se ishin shumë. Mirpo pas gjithë këtyre viteve, jo vetëm që njerëzit e m’i dhe njerëzit e tij kishin zbutur goxha me njëri-tjetrin, por fëmijët dhe nipat ishin mpleksur aq sa mes tyre s’kishte mbetur asnjë dallim. Në këto rrethana, kërcitja e shpullës t’ime mbi surratin e kushuririt plehër s’do kishte asnjë j2honë, madje asnjë kuptim. E di si është puna ?

-E spiunit t’im apo e spiunit tënd ?
-E spiunit t’im pra. A po më ndjek ?
-Po të ndjek, por u shkëputa për një çast nga hallet e tua me spiunin tënd dhe u zhyta në ca përsiatje për spiunit t’im.
-Zbulimi mpleksjet shqiptareske me spiuna dhe viktima paskan qënë gjërat më të ndyra të kësaj bote. Isha betuar të mos kthehem në Shqipëri, dhe u ktheva. U betova se nuk do iki andej nga erdha pa ja rrasur dikujt një shpullë, dhe atë shpullë s’po mundem t’ja rras kurrkujt. Ky tersllëk po ma bjerr fare burrninë. A më ndihmon të mos kthehem pa ja rrasur dikujt një shpullë ?
-Edhe unë nuk dua që ti të kthehesh pa ja futur një shpullë surratit ndonjë pisi. Është çështje dinjiteti për ne të përndjekurit. Folë. Vetëm pare mos më kërko.

-A të ta fus ty turinjve atë shpullë ?
-Po dyshon edhe për mua ? Qënke çmendur.
-Nuk jam çmendur. Me këto që po shoh e po dëgjoj këtu, s’ka asnjë çudi që të dyshoj, jo vetëm unë tek ty, por edhe ti tek mua, edhe ti tek vetja jote, edhe unë tek vehtja ime. Nuk kthehem dot nga erdha pa j’a rrasurr dikujt një shpullë. Meqënse ti nuk po më ndihmon, po ndihmoj veten.
U ngrit në këmbë. J’a rrasi vetes një shpullë.

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sinbad Maloku: 17/09/2019 22:08

    Edison Ypi je GJIGAND! KAQ PO TE THEM.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Jubileu 2025, Papa Françesku hap derën e shenjtë në burg

Jubileu 2025, Papa Françesku hap derën e shenjtë në burg