Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Yuri Kim, ka zhvilluar takime me përfaqësues të shoqërisë civile. Njoftimin e bën vetë ambasada përmes një postimi në Facebook.
Kim ka nënvizuar mesazhin se liderët e partive duhet të angazhohen për të verifikuar kandidatët e tyre dhe për të siguruar lista të pastra
"Ambasadorja Kim pati një diskutim të mirë me përfaqësuesit e shoqërisë civile në lidhje me shqetësimet dhe idetë e tyre për të siguruar llogaridhënie në qeveri dhe transparencë përpara zgjedhjeve të 25 prillit. Ata ranë dakord që udhëheqësit e partive duhet të angazhohen për të verifikuar kandidatët e tyre dhe për të siguruar lista të pastra. Ajo falënderoi shoqërinë civile në Shqipëri për kontributin e saj për demokracinë dhe për mbajtjen e llogaridhënies", thuhet në postimin e ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Ky takim i ambasadores me shoqërinë civile vjen pasi dje ka dhënë mesazhe të forta në konferencën “Kostot e demokracisë II; Paratë në politikë dhe Integriteti Zgjedhor”.
"Shqiptarët meritojnë të kenë besim te institucionet e tyre. Çdokush ka një rol të rëndësishëm që të luajë në zhvillimin e demokracisë që shqiptarët duan dhe meritojnë. Ne gjithmonë kemi inkurajuar, madje edhe i kemi 'bezdisur' drejtuesit e partive që të përmbushin detyrimet ligjore dhe të plotësojnë kërkesat e shqiptarëve për kandidatë të pastër. Partitë të bëjnë transparente financimet. Të kontrollohen mirë kandidatët, populli shqiptar nuk duhet që të votojë për kriminelë. Shqipëria mund të ndërtojë një sistem më të mirë elektoral. Ne inkurajojmë të gjithë partitë, që të kenë transparencë për gjithçka për zgjedhjet e ardhshme", tha ajo duke bërë thirrje që askush nuk duhet ta shesë votën", tha dje ambasadorja Kim.