Pretenca që dha sot Prokuroria për atë që ka hyrë në ligjërimin publik si çështja «Babalja» për shkak të nofkës që mban i akuzuari kryesor si shpifës dhe sajues i videopërgjimit të vëllait të zotit Fatmir Xhafaj, nuk ishte thjesht një dënim për ish – deputetin Salianji. Parë në një vështrim më të gjerë, kjo ngjarje ka një shenjueshmëri të veçantë dhe, për fat të keq, na dëshmoi se PD-ja ka zgjedhur në aksionin politik metodat e vjetra konspirative që përdorte sigurimi i shtetit.
Në pluralizëm forcat politike përdorin më shumë se një mjet për ta luftuar kundërshtarin. Në pamje të parë, të krijohet përshtypja se kjo luftë është një betejë pa asnjë rregull moral e shoqëror, sepse ata lëshojnë ndaj njëri-tjetrit sharje e fyerje dhe akuza e kundërakuza që, më së shumti, ngrihen mbi perceptime e mbi dyshime disa herë të pavërtetuara.
Në demokracitë e konsoliduara lufta politike përfshin gjithçka që ka të bëjë me jetën private dhe publike të kundërshtarit, qëmtohen lidhje, ngjarje e dokumente që mund ta dëmtojnë kundërshtarin politik dhe kjo quhet pjesë e lojës.
Politika, tani në fund, për shkak të mediatizimit ekstrem dhe sidomos për shkak edhe të internetit e rrjeteve sociale, i ka shndërruar politikanët në figurina apo në manekinë që vendosen në duart e cilitdo përdorues të ndonjë rrjeti shoqëror dhe ai mund të komentojë e të postojë çfarëdo lloj imtësie të jetës së tyre, sepse kështu mendon ai mund të dëmtojë ose të lartësoje politikanin e radhës.
Cilido që ka ndjekur këto kohë komisionin amerikan për shkarkimin e presidentit Trump ka parë se me çfarë skrupuloziteti qëmtohen ngjarje, biseda, thënie, apo imtësi të tjera të cilat analizohen komentohen e krijojnë kauza pastaj për atë që akuzohet. Gjithçka duket se është brenda logjikës së jetës pluraliste dhe luftës politike në demokraci. Kjo shfaqje të krijon përshtypjen që, siç e thashë në fillim, të duket se kufijtë janë shkrirë dhe, në këtë betejë, nuk ka asnjë kod moral apo etik që ruan dinjitetin apo personalitetitn e politikanit.
Në fakt, nuk është kështu. Demokracitë e konsoliduara janë mësuar tashmë që në luftën politike të respektojnë kufijtë që ka vendosur Kushtetuta, ligji dhe morali. E gjithë kjo ndodh sepse partitë politike në vendet demokratike bashkëjetojnë dhe nuk e asgjësojnë njëra-tjetrën. Ato e dinë që pushteti i tyre nuk qëndron të forca apo te shpifja, por te publiku.
Besimi se forca e tyre është te vota, pra, te zgjedhja që do të bëjë nesër votuesi, i ka bërë këto forca politike që të shfaqen vetëm si aktorë të jetës politike dhe jo si sundues të saj. Qëllimi i tyre është që të bindin publikun për projektin më të mirë dhe të krijojnë për kundërshtarin idenë se ai nuk është i aftë që të drejtojë vendin në një periudhë të caktuar.
Mirëpo te ne, për fat të keq, PD-ja sidomos, ka krijuar stilin e luftës politike të ndërtuar mbi konspiracionin, retorikën e egër, sharjet dhe fyerjet pa asnjë kriter dhe denigrimin me një fjalor të rëndë të kundërshtarit politik.
Kur Lulzim Basha largoi nga PD-ja disa nga figurat e vjetra të PD-së dhe afroi të rinj, të gjithë u shtynë të mendonin se, tashmë, edhe politika e PD-së do të ndryshonte, do të bëhej më moderne dhe do të synonte të krijonte empati më të madhe me publikun. Mirëpo, në vend të kësaj, të rinjtë e PD-së dhe ai më i afërti me Bashën. Salianji zgjodhën metodën më të vjetër dhe më të dalëboje të luftës politike: konspiracionin.
Sajimi i bisedës telefonike që gjoja implikonte vëllain e zotit Xhafaj, ishte jo vetëm një përpjekje e trashë, e ulët, pa nivel intelektual, e pështirë nga ana njerëzore, por ishte dhe e realizuar në mënyrën më mediokre të mundshme. Kjo shfaqje e shëmtuar e ktheu PD-në në kohët më të errëta të saj. Ndërsa një mjet i tillë politik nuk ishte përdorur kurrë më parë dhe jo vetëm që e uli poshtë fare PD-në, por fshiu çdo shpresë se kjo forcë politike do të bëhej një parti që do të ngjallte shpresë për rinovim.
Kështu, pretenca e sotme ndaj Salianjit nuk është thjesht një vendim që shpall fajtor një ish-deputet, është një vendim që tregon se metodat politike të PD-së për të luftuar kundërshtarin politik, jo vetëm që nuk po ndryshojnë, por ato po bëhen më të errëta dhe qesharake, gjithashtu, duke e zhytur edhe më tej në krizë këtë forcë politike.tema
Babale Bashe Berishe.... me b fillojne po me b fillonnedhe bajga
Përgjigju