Në faqen zyrtare të Ministrisë së Kulturës vijojnë publikimet për konkurset e drejtorëve në institucionet kulturore. Tashmë është publikuar një njoftim për konkurrim për drejtorë të rinj për Cirkun Kombëtar dhe për Drejtorin e Përgjithshëm të Qendrës Kulturore të Fëmijëve.

Pak kohë më parë Ministria e Kulturës shpalli konkursin për postin e drejtorit të Teatrit Kombëtar të Operës Baletit e Ansamblit Popullor dhe të Galerisë Kombëtare e Arteve, ku është lënë afati deri më 18 tetor për të dorëzuar dokumentet.

Njësoj, edhe për dy zëvendësimet që do të vijojnë Shpallja e Ministrisë së Kulturës ka të përcaktuara disa kritere, ku kandidatët duhet të plotësojnë kërkesat e përgjithshme për pranimin në pozicionin “drejtor i përgjithshëm” në bazë të ligjit “Statusi i nëpunësit civil” dhe, më tej, kriteret specifike që lidhen me karakterin e çdo institucioni.

“Afati i dorëzimit të dosjeve nga ana e kandidatëve pranë Zyrës së Protokollit në Ministrinë e Kulturës është 25 tetori, ku dy postet aktuale; drejtori i Cirkut Kombëtar, Kristi Bello dhe i Qendrës Kulturore të Fëmijëve, Flamur Shehu, do të zëvendësohen.

Ndërkohë mësojmë se drejtori i Cirkut, Kristi Bello, ka dhënë dorëheqjen.


Shkrimi u publiku sot në 15.10.2013 në gazetën Shqiptarja.com(print)
(v.gj/shqiptarja.com)