TIRANE- Xheazair Zaganjori, kandidati i PD-LSI për president, deklaroi pas takimeve të djeshme me Ramën dhe Idrizin se motivi i takimeve kishte qenë shpjegimi i arsyeve që e shtynë të pranonte kandidimin. Një intervistë për "Top Channel" Zaganjori deklaroi dje se do të pranonte verdiktin e deputetëve dhe se do të vijonte jetën akademike, kur të largohej nga Gjykata Kushtetuese.

Profesor Zaganjori, konsideroheni si kandidat për tu votuar nga parlamenti për postin e presidentit. Duket disi e pazakontë që një kandidat i propozuar të zhvillojë takime siç ishte ai me Edi Ramën dhe Shpëtim Idrizin. Çfarë ju shtyu t'i zhvillonit këto takime?
Ju falenderoj për mundësinë e kësaj interviste për të cilën dua të them se kam të vështirë të jap intervistë pasi jam antar i Gjykatës Kushtetuese. Ka qënë nisma ime për tu takuar me kryetarin e opozitës, thjesht për të krijuar një atmosferë mirëkuptimi e për tu njohur nga afër me njëri-tjetrin. Ne kemi patur një njohje përpara disi nga larg që njiheshim që prej vitesh , për më shumë se 20 vitesh . Sot bëmë një bisedim që e vlerësoj shumë. Ishte një bisedë shumë miqësore. Unë i fola për arsyet që më nxitën ta pranoj që nuk ka qenë një vendim i lehtë për tu marrë nga ana ime pasi u konsultova edhe me familjen pasi për disa arsye unë hezitoja dhe i kam thënë arsyet në një rast tjetër pasi posti është shumë i lartë dhe përgjegjësia shumë e madhe.

Takimi që kisha me zotin Shpëtim Idrizi i vetmi që nuk e kisha takuar si drejtuesi një prej partive të koalicionit qëverisës sepse edhe me të nuk kisha fare njohje, nuk e kam tatuar asnjëherë thjesht biseduam me të në tërësi, pimë një kafe në "Prince Park" dhe kaq. Mendoj që më e mira në kushte normale, roli kryetarit të shtetit duhet të jetë në duart e një politikani me përvojë. Megjithatë unë e kam pranuar, tashmë nëse do të bëhet do të bëj ç'është më e mira që kam në dorë për të realizuar ato detyrime që ka kushtetuta që ka ligji për ta merituar emrin si përfaqësues i unitetit të popullit dhe për të qenë zëdhënës i interesave të qytetarëve. Sigurisht brenda mundësive për të ndikuar pozitivisht në jetën institucionale dhe politike të vendit . Sigurisht aktorë janë shumë, unë nuk kam një formulë apo shkop magjik që ta bëj këtë punë, nëse nuk do të bëhet përsëri ritheksoj se do të bëj atë punë me të cilën jam marrë gjithë jetën, me çështjet e drejtësisë.

Besoni se do të jeni kandidat për tu votuar në raundin e dytë?
Besoj se po. Kam përshtypjen se do të jem kandidat për tu votuar. Nuk është në dorën time. Një koalicion më ka dhënë besimin duke më propozuar. Nuk është bërë zyrtarisht propozimi për disa arsye pasi kërkohet konsensusi dhe në kuadër të këtij konsensusi që kërkohet unë u takova me kryetarin e opozitës. Sigurisht nuk i kërkova që të më japë mua votat pasi kjo është një çështje politike që ta bëjë vetë me interesat politike, me të drejtat që ka opozita më e madhe në vend për tu përfshirë në një proces që e gjykon vetë kryetari me kryesinë, me njerëzit që ka përrreth dhe nuk është problemi im. Unë thjesht u prezantova me të dhe e garantova që nëse do të bëhem do të jem ai që kam qënë gjithmonë për të rrespektuar ligjin dhe kushtetutën dhe për të bërë atë që gjykoj do të jetë më e mira në situata konkrete.

Jeni akuzuar se keni shkelur kushtetutën duke qëndruar në detyrë me mandat të mbaruar. Si i përgjigjeni këtyre akuzave?
Shumë shkurt. Ata thonë që unë kam shkelur kushtetutën duke ndenjur në detyrë ndërsa unë i përgjigjem se po të iki nga detyra shkel kushtetutën sepse qartësisht neni 125 pika 5 e kushtetutës thotë që gjyqtari kushtetues rri në detyrë deri sa të zëvendësohet. Pra unë e gjykoj si jurist që në ditën që unë do të ikja do të shkelja kushtetutën. Ja do të jam dorëheqjen unë apo kolegu tjetër në një kohë kur parlamenti me presidentin nuk merren vesh. Atëherë bllokohet vendimarrja e Gjykatës Kushtetuese. S'ka më vendimarrje. Ska funksion të gjykatës kushtetuese. Për këtë arsye përgjigja është e thjeshtë, por në fakt po zgjatet ky proces. Unë nuk e ndjej veten apsolutisht komod që të rri jashtë mandatit. E them me sinqeritetin më të madh se do të doja një orë e më parë që të realizohej kjo, të zëvëndësohesha dhe të ikja të vazhdoja jetën akademike ose një detyrë tjetër.

Profesor Zaganjori, në dijeninë time brënda opozitës ka një pakënaqësi ndaj kandidaturës tuaj që lidhet me 13 ankimimet e opozitës drejtuar Gjykatës Kushtetuese nga të cilat 11 janë rrëzuar prej trupit gjykues ku keni bërë pjesë edhe ju. Rastësi apo koincidencë refuzimi 11 ankimimeve të opozitës?
Pretendime ka shumë këto dy tre ditë të cilat i kam dëgjuar dhe nganjëherë më duken krejtësisht absurde. Unë tani nuk di të gjykoj sa vendime kam qenë pro apo kundra. Di të siguroj për diçka se për çdo vendim kam vendosur lidhur në bazë të bindjes time si gjyqtar kushtetues për çështjen konkrete edhe kaq.

Pra nga nuk është rastësi 11 nga 13 vendime të jenë kundra opozitës?
Jo, këto shifra nuk duhet të jenë. Përshembull marr shkas nga ligji nepotizmit për të cilin unë kam qenë për tu rrëzuar pasi kanë qenë disa dispozita. Kam qenë pjesërisht vetëm për një dispozitë nuk kam qenë. Por për ligjin në tërësi kam qenë dhe për dispozita të caktuara. Unë kam qenë pro me shumicën. Ne kemi qenë unanim për ta rrëzuar ligjin. Përmendet fakti që unë kam qënë tek çështja e pezullimit thjesht që çështja të shkonte në seancë për të dëgjuar pretendimet e palëvet sic veprojmë në cdo rast tjetër që pezullimi nuk mund të bëhet në mbledhjen e gjyqtarëve, mund të bëhet edhe atje, por e mira është që në seancë siç veprojmë gjithmonë dhe të njëjtën gjë kërkova atëherë.

Cilat janë marrëdhëniet tuaja personale me kryetaren e kuvendit zonjën Topalli, pasi në media është publikuar se keni qenë udhëheqës i temës së diplomës në kohën kur ajo kryente doktoraturën?
Në detyrën si pedagog kam patur studentë nga e majta dhe e djathta. Unë u caktova nga departamenti i të drejtës publike për ta udhëhequr. Nuk ma ka kërkuar zonja Topalli ta udhëheq, por jam caktuar. E kam udhëhequr për dy vite dhe mbaj mend që dy herë ja kam kthyer me vërejtje punimin. Nuk e kam vlerësuar unë punimin, por e ka vlerësuar një komision shumë i nderuar me kryetar Pr. Aleks Luarasi, profesoresha e nderuar Aurela Anastasi, Pr. Marjana Asemimi. Vlerësimi është edhe për kandidatin edhe për udhëheqësin. Vlerësimi ka qenë maksimal se punimi në të vërtetë ishte shumë i mirë dhe kaq. Unë kam qenë udhërheqës edhe me deputetë apo njërëz të angazhuar në Partinë Socialiste. Mund të isha shumë mirë udhërheqës i temës së Sajmir Tahirit, i cili ka dhënë provimin e masterit me mua dhe e di që kur bëri kërkesën për doktoraturë kam mbështetur në departament kandidaturën e tij për tu promovuar për doktoraturë dhe shumë mirë mund të isha caktuar nga departamenti që të isha edhe udhëheqësi i temës së tij.

Po me kryeministrin Berisha cilat janë mardhëniet tuaja personale?
S'kam asnjë lloj marrëdhënie personale me zotin Berisha. Ai është kryeministri i vendit dhe në këtë detyrë unë e vlerësoj si edhe në shumë drejtime si ish-president i republikës në kohën që ka qënë president. Për shkak të funksionit natyrisht që kemi patur kontakte. Por zotin Berisha mund të kem 6 ose 7 vite që nuk e kam takuar. Ndonjëherë në ndonjë pritje mund t'i kem dhënë dorën dhe kaq.

Duke analizuar zjhvillimet e fundit politike, sa shpresoni se do të jeni ju Presidenti i ardhshëm i Republikës?
Unë i jam përgjigjur pozitivisht një ofertë që më është bërë nga shumica dhe shpresoj që gjërat të shkojnë sipas parashikimeve kushtetuese normale. Do të dëshiroja shumë që konsensusi, bashkëpunimi jo vetëm brenda koalicionit, por ndoshta edhe më gjerë, të ishte më i madh. Por le të presim. Nuk është në dorën time.
(sg/shqiptarja.com)