TIRANË- Anëtar i Kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje, Arbër Zaimi ka deklaruar se nëse brenda 2 javësh nuk do të arrihet një marrëveshje me LDK-në, atëherë një nga opsionet kryesore është krijimi i një qeverie me vetëm ministra të VV dhe nga pakicat. Në studion e Report Tv, përballë gazetarit Ilir Babaramo, Zaimi tha se ende nuk ka një vendim konkret, për të cilin thekson se është më tepër një opsion "i padëshiruar" për VV-në, por mund të bëhet i "domosdoshëm".
"I kemi premtuar që partneri unë i vetëm është LDK dhe një nga mundësitë nëse nuk ka marrëveshje është që të propozojmë një qeveri vetëm me VV dhe pakicat, do ishte shumë e dobët nuk do mund të kalonte ligjet. Nuk kemi marrë vendimin për të shkuar në një vendim të tillë, por është një nga opsionet nëse brenda këtyre javëve nuk do arrihet një marrëveshje. Albin Kurti është mandatari ynë për kryeministër", tha Zaimi.
Nga ana tjetër, sa i përket postit të presidentit, ai bëri me dije se Kurti ka hequr dorë nga "jo" e padiskutueshme, për të cilën tha se ky është një tregues se VV-ja ka dëshirë të qeverisë.
"Oferta është për një pjesë më të madhe, më shumë ministri,kjo tregon që VV ka dëshirë të qeverisë. Kemi hequr dorë nga "jo" për presidentit, një lëshim i joni për LDK-në. Ne menduam që ishte më e rëndësishme të diskutonim për postet ekzekutive dhe programet para zgjedhjeve, presidenti nuk është post ekzekutiv dhe ramë dakord që të mos diskutohej si pjesë e marrëveshjes. Ende nuk kemi marrë përgjigje. VV nuk është provuar kurrë në pushtet. 2 javë janë mjaft, në se gjatë këtyre dy javëve nuk ka pasur një hap konkret atëherë nuk ia vlen. Janë disa sfida përpara, nevoja për të kaluar buxhetin e ri. Nuk duam që të votojmë asnjë nga proceset e rëndësishme të Kosovës. Janë edhe 2 javë të tjera. Pas këtyre do javëve do të shkojmë në votim, ne duam që në atë votim të shkojmë me një marrëveshje VV-LDK", shtoi Zaimi.
Duke u ndalur tek faktori ndërkombëtar, Zaimi tha se ata kanë qenë një mbështetje dhe një nxitje për krijimin e "qeverisë Kurti", ndryshe nga sa është diskutuar në disa media në Prishtinë.
"Në marrëdhëniet tona me diplomatët nuk e kemi hasur asnjë moment pesimizmi apo rezistencë, por kemi qenë një mbështetje dhe shtysë. Nuk na është shfaqur. Thashethemet që mund të marrin vëmendjen e mediave, duhet e parë se cilat mediat i nxisin dhe cilat jo. Janë për mendimin tim "faktori i PDK-së". Ne si VV kemi hasur në një qasje bashkëpunuese dhe nxitëse për krijimin e qeverisë Kurti nga faktori ndërkombëtar", përfundoi Zaimi.