Zaloshnja: 14 milionë turistët e Ramës dhe 10 milionë shqiptarët

Zaloshnja: 14 milionë turistët e Ramës dhe 10 milionë shqiptarët

Bregdeti shqiptar

Rama deklaroi në Asamblenë Kombëtare Socialiste se pritshmëria e afërme për turizmin është shifra e 14 milionë vizitorëve këtë vit. Gjithashtu, ai foli gjerë e gjatë rreth projekteve me pesë yje, që sipas tij, do të tërheqin turistë elitarë. Por pothuaj nuk i përmendi fare turistët shqiptarë…

Le ta analizojmë pak turizmin e shqiptarëve deri më sot, për të parë se sa të rëndëshishëm mund të jenë ata për turizmin tonë në vijim.

Përmes një hulumtimi të shifrave që janë publikuar nga institucione të ndryshme kombëtare e ndërkombëtare rreth shqiptarëve, kam arritur në vlerësimin e PËRAFËRT statitstikor se rreth 10 milionë persona në botë janë me gjak shqiptar prej tre brezash. Për breza më të largët, është statistikisht e pamundur të llogaritet (qoftë dhe me përafërsi) se sa persona të tjerë me gjak shqiptar mund të jenë sot nëpër botë.

Nga 10 milionë shqiptarët e sipërpërmendur, plot 4.65 milionë janë të regjistruar si shtetas në Gjendjen Civile të Shqipërisë. Por vetëm 2.65 milionë prej tyre jetojnë këtu (sipas një vlerësimi statistikor, bazuar në një sondazh timin rigoroz vjet në terren).

Më tutje, rreth 2.1 milionë shqiptarë figurojnë të regjistruar si shtetas në Gjendjen Civile të Kosovës (pas shpalljes së saj si shtet i pavarur). Por vetëm 1.7 milionë prej tyre jetojnë në atje (sipas vlerësimit statistikor të qeverisë kosovare).

Pothuaj 750 mijë shqiptarë janë të regjistruar si shtetas në Gjendjen Civile të Maqedonisë së Veriut. Por vetëm 520 mijë prej tyre jetojnë atje (sipas një vlerësimi statistikor në CIA Factbook).

Rreth 100 mijë shqiptarë janë të regjistruar si shtetas në Gjendjet Civile të Malit të Zi e Serbisë. Por vetëm 60 mijë prej tyre banojnë atje (sipas vlerësimit statistikor të qeverive përkatëse).

Greqia nuk i deklaron shqiptarët e Çamërisë në statistikat e saj zyrtare, kështuqë nuk mund të llogaritet dot se sa prej tyre kanë mbetur në Çamëri…

Duke përmbledhur sa më sipër, rreth 7.6 milionë shqiptarë kanë shtetësi të një prej shteteve ku shtrihen aktualisht treva me popullsi autoktone shqiptare të njohura zyrtarisht (shihni tabelën e mëposhtme). Ndërsa rreth 2.4 milionë shqiptarë të tjerë kanë vetëm shtetësi të vendeve ku kanë emigruar vetë, apo prindërit, apo gjyshërit e tyre – disa vende europiane nuk lejojnë dy-shtetësinë, ndërkohë që shumë gjyshër e prindër shqiptarë nuk i kanë regjistruar pasardhësit e tyre në gjendjet civile të shteteve përkatëse të origjinës.

Fjala vjen, një shok i im prishtinas ka vetëm shtetësi gjermane (ngaqë u detyrua ta lërë shtetësinë kosovare për atë gjermane), ndërsa daja im beratas nuk i regjistroi dot këtu tre fëmijët e tij të lindur në Amerikë, e aq më pak nipërit dhe mbesat e tij të lindur po atje (pra, ata figurojnë vetëm si shtetas amerikanë).

Sidoqoftë, 10 milionë shqiptarët prej tre brezash, kudo që ndodhen e çfardo shetësie kanë, përbëjnë një rezervuar demografik të jashtëzakonshëm për turizmin në Shqipëri. Fjala vjen, daja im shqiptaro-amerikan i ka sjellë të paktën nga një herë për pushime këtu të gjithë fëmijët, nipërit dhe mbesat e tij me shtetësi amerikane.

Më gjerë, një familje shqiptare nga Kosova, fjala vjen, mund t’i kalojë pushimet në Vlorë, një familje shqiptare nga Maqedonia e Veriut mund t’i kalojë pushimet në Shëngjin, një familje shqiptare nga Mali i Zi mund t’i kalojë pushimet në Durrës,  një familje shqiptare nga Lugina e Preshevës mund t’i kalojë pushimet në Durrës, një familje shqiptare nga Greqia mund t’i kalojë pushimet në Velipojë, një familje shqiptare nga Italia mund t’i kalojë pushimet në Sarandë, e kështu me rradhë.

Dhe në fakt vjet, mbi 70% e hyrjeve në sistemin TIMS ishin me pasaporta nga shtetet fqinjë – Kosovë, Maqedoni e Veriut, Mal i Zi, Itali e Greqi. Por edhe tek 30-përqindëshi tjetër, mbizotëronin pasaporta nga shtete me komunitete të mëdha shqiptare, si Gjermania, Zvicra, SHBA, Britania, Turqia, Franca, etj. Këto shifra tregojnë se një shumicë statistikisht domethënëse e vizitorëve të vjetshëm ishin shqiptarë me banim jashtë Republikës së Shqipërisë.

Teksa po punohet që të thithen sa më shumë turistë me etni të huaj, duhet të mos harrohet rezervuari demografik 10-milionësh i shqipëtarëve, pavarsisht se ku kanë lindur apo ku jetojnë ata. Pa një frekuentim masiv të qyteteve tona turistike nga shqiptarët e kudondodhur, nuk kapet dot shifra e 14 milionë turistëve në vit!

Një projekt me kosto të ulët që mund të ndërrmarë Ministria e Turizmit do të ishte sponsorizimi i një ankete online në të gjitha portalet shqiptare (kudo që ndodhen), përmes së cilës të pyeten lexuesit se ku do t’i kalojnë pushimet këtë vit – në Shqipëri apo diku tjetër. Një anketë e tillë do të ishte sa informuese për Ministrinë e Turizmit, aq edhe promovuese për turizmin në Shqipëri…

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Edison Ypi: Spiun dhe Bariton

Edison Ypi: Spiun dhe Bariton