Zaloshnja: Pakënaqësi e madhe ndaj qeverisë, por frymëzim i pakët nga opozita

Zaloshnja: Pakënaqësi e madhe ndaj qeverisë, por frymëzim i pakët nga opozita

Edi Rama, Ilir Meta dhe Sali Berisha

Ndër 115 pyetjet në Barometrin e Sigurisë të CSDG-së (që u bazua në vrojtimin rigoroz statistikor që drejtova unë në gjithë territorin e Shqipërisë në periudhën 6-15 prill), ishin edhe 12 pyetje që lidheshin me qeverinë.

Kështu, pyetjes kryesore rreth vlerësimit të përgjithshëm të punës së qeverisë, vetëm 34% e të anketuarve iu përgjigjën pozitivisht!

Pyetjes “A ndiheni të përfaqësuar nga qeveria në nivel qendror (qeveria dhe ministrat)?”, vetëm 34.6% e të anketuarve iu përgjigjën pozitivisht. Ndërkohë, vetëm 26.4% e të anketuarve mendojnë se qytetarët shqiptarë kanë ndonjë ndikim në ato që bën qeveria. Nga ana tjetër, plot 78.2% mendojnë se biznesmentët e mëdhej kanë ndikim në ato që bën qeveria!

Pyetjes “A ofron qeveria mbështetje të mjaftueshme për personat e papunë?”, vetëm 15.5% e të anketuarve iu përgjigjën pozitivisht. Ndërsa tek pyetja tjetër “Si rezultat i politikave qeveritare në 5 vitet e fundit, mendoni se hendeku mes të pasurve dhe të varfërve është bërë më i GJERË apo më i NGUSHTË?”, plot 81.3% anonin nga mendimi se hendeku është zgjeruar. Më tej, vetëm 23.5% anonin nga mendimi se qeveria i merr parasysh nevojat dhe pikëpamjet e qytetarëve të thjeshtë, kur formulon apo ndryshon politikat ekonomike.

Pyetjes “Si i vlerësoni rezultatet e Qeverisë shqiptare në luftën kundër korrupsionit?”, vetëm 17.5% e të anketuarve iu përgjigjën “mirë” ose “shumë mirë”! Ndërkohë, plot 82% mendojnë se qeveritarët shkelin ligjin ose abuzojnë me pushtetin e dhënë (35% “gjithmonë”, 47% “shumicën e kohës”). Dhe 87% e të anketuarve që mendojnë kështu, thonë se zyrtarët qeveritarë që kryejnë krime mbeten pa u ndëshkuar!

Animi pozitiv për punën e qeverisë në sektorë të ndryshëm ishte gjithashtu në nivele të ulta. Konkretisht, te Punësimi 16.3%, te Bujqësia 17.9%, te Ekonomia 19.1%, te Arsimi 33.7%, te Shëndetsia 36.3%, dhe te Rendi Publik 47.2%. Vetëm te Turizmi puna e qeverisë merrte pikë të larta – 72.5% e të anketuarve anonin nga vlerësimi pozitiv për punën e qeverisë në këtë sektor.

Duke parë që pothuaj për çdo pyetje në lidhje me qeverinë, konstatohet një nivel i lartë ose shumë i lartë pakënaqësie e shqiptarëve të këtushëm, do të ishte e pritshme që dhjetra mijra ta mbushnin sheshin para Parlamentit të enjten e shkuar, kur Berisha bëri thirrje për një protestë madhështore. Në fakt, realiteti ishte krejt ndryshe – në shesh kishte më shumë policë që mbronin Parlamentin, se sa protestues para tij…

Po mos ndoshta qytetarët kanë frikë të dalin të protestojnë kundër qeverisë? Barometri i Sigurisë tregon të kundërtën – vetëm 16.5% e shqiptarëve të këtushëm kanë bindjen se qytetarët që dalin në protesta mund të kenë raprezalje nga qeveria.

Po Basha, Shehaj, Lapaj, Qorri e të tjerë politikanë opozitarë, përse nuk u bëjnë thirrje dhjetra mijra ndjekësve të tyre nëpër rrjetet sociale, që të dalin të protestojnë në shesh kundër qeverisë, meqë ekziston një pakënaqësi e madhe ndaj saj? Siç duket ata e ndjejnë që nuk frymëzojnë dot një lëvizje masive proteste, dhe mjaftohen me ndonjë kuvend partiak nëpër salla të mbylluara…

Në fakt e gjithë opozita perceptohet si anemike – nga një sondazh që zhvillova në mes të majit për Report TV, rezultoi se vetëm çereku i shqiptarëve të këtushëm anonin nga vlerësimi pozitiv për aktivitetetin e partive opozitare në përgjithësi. Shumë pak, kur nga ana tjetër, vetëm 34% kanë vlerësim pozitiv për punën e qeverisë!

SHËNIM: Vrojtimin rigoroz statistikor për Barometrin e Sigurisë të CSDG-së e kryem nga Konispoli në Vermosh me anketime nga 34 anketues profesionistë. Kampioni i përzgjedhur u ripeshua statistikisht, për ta përfaqësuar sa më mirë popullsinë e rritur të vendit gjeografikisht, demografikisht dhe politikisht.

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    21 Dhjetor, 15:03

    Si e vlerësoni mbylljen e TikTok në Shqipëri për një vit?



×

Lajmi i fundit

Mbyllja e TikTok për 1 vit, gazetarja amerikane: Shqipëria e ndaloi sepse po dëmton fëmijët, duhet vetëm vullnet politik

Mbyllja e TikTok për 1 vit, gazetarja amerikane: Shqipëria e ndaloi sepse po dëmton fëmijët, duhet vetëm vullnet politik