Zaloshnja: Zbatimi i Kodit Rrugor na ruan jetën dhe kuletën!

Zaloshnja: Zbatimi i Kodit Rrugor na ruan jetën dhe kuletën!

Foto ilustruese

Aktiviteti i Policisë Rrugore është shtuar ndjeshëm këtë vit, sidomos pas futjes në përdorim të makinës së pajisur me aparaturë monitorimi/gjobitje automatike. Synimi është që të dekurajohen shkeljet e Kodit Rrugor.

Kodi Rrugor aktual dihet që nuk është shpikur në Shqipëri (gjithashtu, as makina e pajisur me aparaturë monitorimi/gjobitje automatike). Për çdo nen të kodit që kemi adoptuar nga vende të tjera, janë kryer me dhjetëra, në mos qindra studime statistikore-ekonomike, për të matur efektin e tyre.

Efekti më i ndjeshëm (por më i lehti) për drejtuesit e automjeteve është ai që prek drejtpërdrejti kuletën e tyre përmes gjobave për shkelje të Kodit Rrugor. Kështu, vetëm me ndihmën e aparaturës së monitorimit/gjobitjes automatike, në Shqipëri janë vënë së fundmi nga Policia Rrugore rreth 9 mijë gjoba (që janë bërë të kripura pas ndryshimit të Kodit Rrugor). Ndërsa në 10-mujorin e parë të këtij viti, janë vënë gjithsej 410,500 gjoba nga policët rrugorë.

Ndër këto gjoba, 16% kanë qenë për parakalim të gabuar, 14% për mosrespektim sinjalistike, 10% për tejkalim shpejtësie, 8% për rripin e sigurisë, 6% për përdorim celulari në timon, etj. Krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, ka pasur një rritje prej 10% të numrit të gjobave të vëna nga policët rrugorë.

Kuptohet që efekti më i rëndë për drejtuesit e automjeteve që nuk zbatojnë Kodin Rrugor është kur vdesin ose gjymtohen në aksidente rrugore. Lajmet për aksidente të tilla janë të dhimbshme për çdo shqiptar që i dëgjon/lexon ato, por dhimbjen e këtyre aksidenteve mund t’a ndjejnë thellë në shpirt vetëm ata që humbasin familjarët dhe të afërmit. Gjithashtu, mund ta ndjejnë thellë edhe të gjithë ata që, si rezultat i aksidenteve rrugore, humbasin një dorë, një krah, një këmbë, ose që pësojnë trauma me pasoja afatgjata për shëndetin e tyre.

Por aksidentet rrugore nuk shkaktojnë vetëm dhimbje. Ato i shkaktojnë individëve e shoqërisë edhe një kosto të konsiderueshme ekonomike. Sepse çdo aksident shoqërohet edhe me koston e policisë rrugore që shkon në vendin e ngjarjes, me koston për transportimin e viktimave në spital, me koston për mjekim/reabilitim, me dëmin që u shkaktohet automjeteve, me vonesat e trafikut që shkaktojnë humbje kohe e karburanti, me humbjen e aftësisë për të prodhuar të mira materiale, si dhe me shpenzime administrative të ndryshme.

Deri më sot, për mungesë të të dhënave të detajuara, asnjë ekonomist nuk ka arritur të vlerësojë sa i kushtojnë faktikisht shoqërisë shqiptare aksidentet rrugore. Dhe ndoshta do të duhet të kalojnë shumë vite përpara se dhëna të tilla të vihen në dispozicion të ekonomistëve. Ndërkohë, një vlerësim i përafërt mund të bëhet duke i përshtatur kostot e vendeve të tjera sipas kushteve të Shqipërisë. Për këtë qëllim, mund të përdoret, p.sh., një studim rreth kostos ekonomike të aksidenteve rrugore i “Pacific Institute for Research and Evaluation”, sipas të cilit, një aksident rrugor i kushton mesatarisht individëve/shoqërisë amerikane rreth 67 mijë dollarë.

Për ta konvertuar këtë kosto në një shifër të përafërt për kushtet e Shqipërisë, disa axhustime janë të domosdoshme.

Së pari, këto axhustime duhet të marrin parasysh raportin të vdekur / të plagosur / të paplagosur në aksidente, i cili në Shqipëri, fatkeqësisht, anon ndjeshëm nga vdekjet dhe plagosjet.

Së dyti, axhustimet duhet të marrin parasysh diferencat në koston e mjekimit/rehabilitimit të të plagosurve, e cila është rreth 8 herë më e lartë në SHBA.

Së treti, ato duhet të marrin parasysh diferencat në koston e zëvendësimit apo riparimit të automjeteve, e cila është rreth 3.5 herë më e lartë në SHBA.

Dhe së fundi, në mënyrë që të konvertohet vlera e të mirave materiale që nuk prodhohen dot si pasojë e plagosjes apo humbjes së kohës nga aksidentet, axhustimet duhet të marrin parasysh edhe sa është vlera mesatare e produkteve apo shërbimeve që një punonjës prodhon në ditë në secilin vend.

Pas këtyre axhustimeve, rezulton se, mesatarisht, një aksident rrugor i kushton shoqërisë shqiptare rreth 9400 dollarë. Ose thënë ndryshe, rezulton se kostoja totale ekonomike e aksidenteve rrugore kap shifrën 12 milionë dollarë në vit.

Që kostoja ekonomike e aksidenteve rrugore të ulet, mund të përdoren dy përqasje.  E para, mund të synohet pakësimi i numrit të aksidenteve, dhe e dyta, mund të synohet ulja e shkallës së dëmtimit të njerëzve të përfshirë në aksidente. Përqasja e parë kërkon përmirësim të rrugëve e sinjalistikës rrugore, respektim të rreptë të rregullave të qarkullimit, dhe ulje të ndjeshme të numrit të drejtuesve të dehur të automjeteve ose të atyre që përdorin celularin në timon. Ndërsa e dyta kërkon përdorimin e rripave të sigurisë e të ndenjësve të posaçme për fëmijët deri në 5 vjeç, si dhe pajisjen e makinave me jastëkë ajri mbrojtës.

Ndër këto masa, disa janë të kushtueshme për t’u realizuar, por disa të tjera kushtojnë fare pak. Kështu, në qoftë se të gjithë njerëzit që udhëtojnë me automjete përdorin rripin e sigurisë, numri i vdekjeve nga aksidentet pakësohet pothuajse 40%, e numri i plagosjeve të rënda pakësohet me 26%. Përkthyer në gjuhën ekonomike, kjo do të thotë se efekti në koston totale të aksidenteve do të ishte rreth 28%.

Në mënyrë të ngjashme, në qoftë se shpejtësia mesatare e ngjarjes së automjeteve në të gjithë vendin ulet me 5km/orë, numri i aksidenteve, e për rrjedhim edhe kostoja totale e tyre, do të ulej 25%. Ndërsa një përgjysmim i numrit të shoferëve të pirë, apo që e përdorin celularin në timon, do të ndikonte në një reduktim prej 21% të faturës që shoqëria shqiptare paguan për aksidentet rrugore.

Për t’i realizuar individëve dhe shoqërisë kursime të tilla, qeverisë i duhet të bëjë shpenzime për përmirësimin e rrugëve/sinjalistikës rrugore, për zbatimin rigoroz të Kodit Rrugor, e për fushatën e ndërgjegjësimit të publikut. Dhe këto janë shpenzime që shoqërohen me kursimet e sipërpërmendura për shqiptarët e thjeshtë, si individë dhe si pjesëtarë të shoqërisë.

Futja e aparaturave të monitorimit/gjobitjes automatike të shkelësve të Kodit Rrugor është një hap i mirë dhe i lirë në këtë drejtim, i cili duhet të pasohet me një sistem efikas për vjeljen e gjobave (që ta luajë rolin parandalues). Fushata e ndërgjegjsimit të publikut mund të jetë një hap tjetër me kosto të ulët, i cili duhet hedhur sa më shpejt. Ndërsa përmirësimi i rrugëve/sinjalistikës rrugore kërkon një investim afatgjatë e të vazhdueshëm.

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Argjon: 09/11/2021 21:42

    Ndërkohë, sipas nenit 26 të ligjit nr. 10076, datë 12.02.2009, “Për sigurimin e detyrueshëm në sektorin e transportit” kostoja e një aksidenti fatal shkon deri në 150 000 dollarë. Sipas nenit 26 të ligjit nr.10076, datë 12.02.2009, “Për sigurimin e detyrueshëm në sektorin e transportit”, kufijtë minimalë të përgjegjësisë që mbulohen nga sigurimi për dëmet biologjike, ekzistenciale dhe morale (kosto njerëzore) të shkaktuara nga një vdekje ose dëmtim i rëndë në aksidenti rrugor është definuar si vijon: - Dëmi moral dhe ekzistencial nga vdekja ose paaftësia e pjesshme e përhershme: 7700 €; - Dëmi moral dhe ekzistencial nga dëmet tjera: 3850€; - Dëmi moral nga paaftësia totale e përhershme: 15400 €; - Dëmi ekzistencial nga paaftësia totale e përhershme: 11550 €; - Dëme biologjike nga vdekja ose paaftësi e pjesshme e përhershme: 7700 €. Përgjegjësia minimale totale për një person të përfshirë në një aksident rrugor është rreth 150 000 €. https://unece.org/fileadmin/DAM/trans/roadsafe/unda/AL_RSPR_WEB_e.pdf

    Përgjigju
  • Tirona: 09/11/2021 18:44

    Qe te respektohet kodi rrugor duhet sinjalistik elekrtonike ashtu si eshte ne BE pa istaluar radare elektronik nuk ka as polic as makin qe del me aksione te rregulloje trafikun.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Kazakistan/ Avioni me 67 persona në bord dyshohet se u godit nga rusët, vetëm 28 mbijetuan

Kazakistan/ Avioni me 67 persona në bord dyshohet se u godit nga rusët, vetëm 28 mbijetuan