Zbardhen detaje të reja nga përplasja me armë zjarri përpara Bashkisë së Korçës, ngjarje kjo e ndodhur pasditen e djeshme vetëm pak metra larg komisariatit të policisë, ku për pasojë mbeti i plagosur Erion Hoxhallari, 38-vjeç. Ngjarja ndodhi në një zonë mjaft të frekuentuar të qytetit të Korçës duke shkaktuar frikë dhe panik te kalimtarët. Policia vuri në pranga pas ngjarjes dy persona, një prej tyre ish-punonjës i Policisë së Shtetit. 

Gazmend Agolli, 49 vjeç, banues në Korçë, ish-polic, pas një konflikti ka tentuar të vrasë me armë zjarri Hoxhallarin. Krahas tij, në pranga ka rënë edhe Daniel Morava, 43 vjeç, banues në Korçë, të cilët iu sekuestrua edhe arma e zjarrit tip pistoletë, ndërsa mbi të rëndon akuza e "moskallëzimit të krimit". 

Shkak për ngjarjen sipas policisë ka qenë një konflikt i mëparshëm mes Agollit dhe Hoxhallarit për shkak të një borxhi të pakthyer nga ky i fundit. Ish-efektivi ka tentuar të qëllojë me armë edhe një person tjetër, shok me Hoxhallarin, por i është bllokuar pistoleta, duke shmangur kështu fatmirësisht një ngjarje që mund të kishte pasoja tragjike. 


Pistoleta me të cilën u qëllua Hoxhallari

Njoftimi i Policisë: 

Korçë

Tentuan të vrisnin me armë zjarri një shtetas, pas një konflikti për motive të dobëta, Policia kap dhe arreston në flagrancë, dy autorët e dyshuar të ngjarjes.

Arrestohet edhe personi i plagosur për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”.

Në vijim të informacionit datë 28.07.2018, i cili bënte fjalë për plagosjen me armë zjarri të një shtetasi, si rezultat i reagimit të menjëhershëm të Policise, specialistët e Seksionit për hetimin e krimeve ndaj personit, në Drejtorinë Vendore të Policisë Korçë, bënë kapjen dhe arrestimin në flagrancë të shtetasve:

Daniel Morava, 43 vjeç, banues në Korçë.

Gazmend Agolli, 49 vjeç, banues në Korçë.

Arrestimi i tyre u bë pasi, në lagjen nr 7, në rrugën “Floresha Myteveli”, dyshohet se pas një konflikti për motive të dobëta, shtetasi Gazmend Agolli, ka plagosur me armë zjarri pistoletë shtetasin Erion H, i cili ndodhet në Spital jashtë rrezikut për jetën.

Arma e zjarrit iu gjet dhe sekuestrua në cilësinë e provës materiale në vendin e ngjarjes shtetasit Daniel Morava. Po gjatë veprimeve hetimore të kryera u bë dhe arrestimi i shtetasit të plagosur Erion H, 37 vjeç, banues në Korçë, pasi dyshohet se ka konsumuar elementë të veprës penale “Moskallëzimi i krimit” lidhur me këtë ngjarje.

Materialet në ngarkim të tyre i kaluan Prokurorisë të Rrethit Gjyqësor Korçë për veprat penale bazuar në nenet 76, 22, 278 e 300 të Kodit Penal.