Zbardhen pikëpyetjet rreth
flamurit të Kongresit të Lushnjes

Zbardhen pikëpyetjet rreth<br />flamurit të Kongresit të Lushnjes<br>
Me dt.25 nëntor 2011 u identifikua në Fondin Etnografik të Instiutit të Antropologjisë Kulturore dhe Studimeve të Artit flamuri i Kongresit të Lushnjes. Dhe ky Kongres cilësohet nga njohësit e afirmuar të historisë së asaj periudhe kohore si ngjarja më madhe pas Pavarësisë dhe në mënyrë figurative, si çlirimi i dytë i vendit tonë.

Flamuri është prej një pëlhure mëndafshi. Ai është i kuq dhe ka në qendër shqiponjën me dy krerë, e stilizuar në formën e shqiponjës së përdorur në atë kohë dhe e ngjashme si ide me atë të flamurit te Pavarësisë, kur akoma nuk ishte vulosur forma e saj në flamurin kombëtar. Shqiponja është krijuar në një pëlhurë të mëndafshtë që është qepur mbi pëlhurën e kuqe. Në njërën anë të flamurit ka tre unaza metalike, që shërbenin për ta lidhur në një shkop, apo litar. Dimensionet e tij janë: gjatësia 121 cm, kurse gjerësia 70.

Mbi shqiponjën e njërës anë dallohet një vulosje ku lexohet data 20.01.1920 dhe poshtë datës: LUSHNJE.

Vula tregon zyrtarizimin e flamurit pikërisht një ditë para fillimit të punimeve të Kongresit. Ishte e martë.

Akoma nuk e dimë se kush e ideoi përdorimin e këtij flamuri dhe kush e vulosi.

Kjo duhet kërkuar në emrat e Komisionit Organizator të Mbledhjes Kombëtre, që ishin patriotët Eshref Frashëri, Sheh Ibrahim Karbunara, (drejtuesi i komisonit), Ferid Bej Vokopola dhe Nebi Sefa. Kjo bazuar në Izet Shehu, “Trajtesë për Kongresin Kombëtar të Lushnjes, 22 janar 2011”. Sipas Valentina Dukës, në “Histori e Shqipërisë 1912-2000”, Tiranë 2007, faqe 111, përmenden emrat e disa patriotëve të tjerë që u përpoqën për thirrjen e Kongresit të Lushnjes, si Aqif Pashë Biҫaku, Iljaz Bej Vrioni, Ahmet Zogu, Abdi Toptani, Ali Bej Këlcyra, etj.

Por në se nuk e dimë ideatorin e flamurit të Kongresit tashmë dimë se kush e kaloi atë në arkivat e historisë, duke e dorëzuar në muze. Ky ishte Veli Vasiari, në kohën e Kongresit Zv. prefekt i Lushnjes, e që po në ditën e fillimit të punimeve të Kongresit u pushua nga detyra për “tejkalim kompetencash”, por që mbas shqyrtimit të çështjes nga ana e Ahmet Zogut u gjet në rregull dhe vazhdoi të qëndrojë edhe për një fare kohe në po të njëjtën detyrë. Ai u vra në 12 maj të vitit 1944 gjatë një beteje me një çetë partizanësh, ku fillimisht u plagos.

Në Arkivin e Shtetit ka dy dokumente që përmendin dorëzimin e flamurit në Muzeun Kombëtar:

Fondi 195. Viti 1930 Dosja 122. Faqe 20-29

…………..

Thuhet ndër të tjera se në vitin 1928 nuk mund të flitej për Muzeun Kombëtar, prandaj të dhënat ipen në vitin 1930.

“Sende të falura. Përveç sa ushënuanë këtu pari kemi të shtojëm dhe një shënim të vogëlë sendesh që, atdhetarë dhe dashamirë, patën’ mirësijën’ t’i falin’ Muzejës’ Kombëtare.

Ndër sa e sa dhurata t’jera shënojëm simvjet këto:

……

Zoti Veli Vasiari-Tiranë

Një flamur të Kongërës’ së Lushnjësë mbë 1920”

Dokumenti i dytë, që përmend të njëjtën gjë, është një lidhje në formë broshure për aktivitetin e Muzeut Kombëtar.

A.SH. Fondi 129.

Dosja IV-285

“BIBLËJOTEKA DHE MUZEJA KOMBËTARE

TIRANË

VEPËRIJ’ E BIBLËJOTEKËS’ KOMBËTARE

Gjatë vitit’ 1929

TIRANË

Shtyp. “Mbrothësija” Kristo P. Luarasi

1930

………..

Sende të falura.

Zoti Veli Vasiari – Tiranë

Një flamur të Kongrës’ së Lushnjësë mbë 1920”

Do të duhet të përmendim këtu disa raste të ekzistencës së disa flamujve të tjerë, që lidhen me Kongresin e Lushnjes, flamij të vërtetë të atyre ditëve, ose përkujtimorë, por që ngatarrojnë citimet e realitetit.

Në Muzeun Historik Kombëtar është i ekspozuar një flamur, i vogël për nga dimensionet, i cili është përdorur si flamur tavoline gjatë zhvillimit të punimeve të Kongresit.

Vetë Muzeu i Kongresit të Lushnjes ruan në arkivin e vet dy flamuj, shumë të dëmtuar, të cilët kanë të shkruar me bojë, e me dorë të lirë, tek njëri “21.I.1920, Mbl.kob.Lushnje” dhe tek tjetri: “21.I.1920”. Këto dy shkrime, të shkruar keq, e keq dhe me gabime ortografike, të bëjnë të dyshosh se mund të jenë zyrtarë. Por ka edhe dy fakte të tjera shumë kompromentuese për origjinalitetin e tyre dhe përkatësisë për këtë ngjarje. E para. Forma e shqiponjës nuk është ajo e asaj kohe, por shumë më e vonshme. E dyta. Në shiritin e bardhe ku kalonte litari është stampuar me bojë të zezë TORINO. Ka edhe disa germa të tjera. Pra, këta janë flamuj të mëvonshëm nga Kongresi, e të stampuar në Itali. Datat e shkruara në ta përkujtojnë një ngjarje dhe sipas mendimit të studiuesit Jaho Brahaj, ka mundësi që të jenë përdorur nga Balli Kombëtar.

Flamuj të ngjashëm me këta për nga struktura ruhen edhe në disa koleksione private.

Ndërsa flamuri që ruhet në Fondin etnografik të Institutit të Antropologjisë Kulturore dhe Stdimeve të Arit, pranë Akademisë së Studimeve Albanologjike, është një flamur i zyrtarizuar me vulë. Ai vjen nga Biblioteka dhe Muzeu Kombëtar, siҫ kanë ardhur edhe flamuj të tjerë historikë, të grumbulluar në bazë të kritereve muzeale. Ai është bërë pjesë e fondit etnografik në vitin 1946, kur objektet e Muzeut Kombëtar i u dorëzuan Institutit të Shkencave. Në vitin 1957, me krijimin e Universitetit të Tiranës, u krijua edhe Instituti i histori-gjuhësisë, i cili përfshiu në strukturat e veta edhe fondin etnografik dhe si pjesë e inventarit të këtij fondi, edhe flamurin në fjalë. Më vonë, me krijimin e strukturave të tjera studimore, kaloi në vartësi të Institutit të Antropologjisë Kulturore dhe Studimit të Artit.

Si është gjendja e tij e ruajtjes?

Flamuri nuk ruhet në gjendje të mirë. Ai ka grisje dhe shqyerje, të shkaktuara nga dekompozimi i pëlhurës. Diҫka edhe mungon. Është tepër delikat. Ndërsa fotot e marra me tekniken SEM, (Scaning Ekectron Microscopy), në vitin 2012 në universitetin e Ljubljanës të rrënqethin. Është një gjendje e një shpartallimi total. Sa herë që hapet lëshon pluhur të kuq, të shkaktuar nga shpërbërja. Që të trashëgohet si një simbol i një ngjarjeje të veçantë dhe shumë të rëndësishme të historisë së Shqipërisë, ai duhet restauruar, e konservuar. Dhe kjo do të jetë në ekstrem problematike.

flamuri me logo
Flamuri

d.b/shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë