Hetimet për vrasjen e 30-vjeçarit Endri Goxhaj mbrëmjen e 21 prillit në Memaliaj të Tepelenës, ende vijojnë. Në pranga kanë rënë 3 persona, Ermal Mataj, Aldo Kalemi dhe dhëndri i tij Dali Nela, vëllai i 2 autorëve, i cili mbeti i plagosur nga përplasja me armë.

Ndërkohë në kërkim janë shpallur vëllezërit Donaldo dhe Marjaldo Nela e një tjetër është vënë nën hetim. Në total të përfshirë në ngjarje janë 7 persona. Asnjë prej personave të arrestuar nuk është tregues bashkëpunues me policinë.

Dinamika e ngjarjes

Paraprakisht dyshohet se fillimisht ka pasur një përplasje e çastit mes dy grupeve, autorëve dhe viktimës, që më pas ka degraduar në përdorimin e armës. Hetuesit nuk kanë përjashtuar si pistë hetimore konfliktet e hershme për pazare drogë, çështje për të cilën janë përplasur e më parë.

Ka qenë viktima Endri Goxhaj që ka qëlluar i pari me armë zjarri drejt Dali Nelës që raportohet se ka marrë 4 plumba, 2 në mushkëri, një në bark dhe një në shpretkë. Më pas, kanë qenë dy vëllezërit e Nelës, Donaldo dhe Marjaldo, që janë kundërpërgjigjur dhe kanë gjuajtur me armë zjarri në drejtim të 30-vjeçarit Goxhaj, i cili ka humbur jetën rrugës për në spital. Dy vëllezërit, Donaldo Nela 29 vjeç dhe Marjaldo Nela 28 vjeç, menjëherë pas të shtënave janë larguar me makinë nga vendi i ngjarjes.

Donaldo Nela është person me precedent penal, i përfshirë në trafik droge, si pjesë e një grupi të strukturuar kriminal. Grupi që ai bënte pjesë është goditur në 2018-ën nga Policia e Sarandës. Ai po ashtu, rezulton i hetuar edhe si autor i një grabitje të një pike të këmbimit valutor në Tepelenë.

Ndërkohë, Dani Nela, sipas burimeve është dhëndër te fisi Kalemi, ndërsa nga i njëjti fis ka rënë në pranga edhe Aldo Kalemi. Këta të fundit njihen për përplasjet e forta me fise të tjera për pazare droge ndërsa dyshohet se fshihen pas disa vrasjeve, mes tyre dhe ajo e Aleksandër Sadikajt.

-------------------------------

Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë.