Zbardhet dosja, ja kush janë të mashtruarit me tollonat e Gulf-it

Biznesmeni Barush Biba që administron kompaninë ndërtimore “Biba X”, fituesen e tenderit të dështuar 18 milionë euro për ndërtimin e mbikalimit tek sheshi “Shqiponja” kishte blerë 63.5 milion lekë të vjetra tollona nafte, tek kompania “Sun Petroleum Albania” (Gulf). Të gjitha tollonat e naftës ishin paguar në llogarinë bankare të kompanisë në dy këste 5 milionë dhe 1.3 milion lekë nga Barush Biba, i cili synonte që naftën e blerë me një çmim prej 135 lekë të reja për litër, ta përdorte për makineritë e firmës së ndërtimit “Biba X”. Por nuk ka kaluar shumë nga blerja e tollonave dhe biznesmeni Biba, ka kuptuar se ishte mashtruar, pasi në depozitat e naftës së kompanisë “Sun Petroleum Albania” nuk kishte më naftë, ndërkohë tollonat e blera kishin mbetur pirg në zyrat e kompanisë së tij “Biba X”.

I ndodhur në kolaps, biznesmeni Barush Biba, i është drejtuar prokurorisë së Tiranës duke kallëzuar për mashtrim kompaninë “Sun Petroleum Albania”. Në të njëjtën situatë me Barush Bibën, janë ndodhur Këshilli i Lartë i Drejtësisë, Shërbimi Informativ Shtetëror, Shërbimi Ligjor Falas, “Deloitte Albania” dhe disa biznese e individë të tjerë. Të gjithë këta e kanë parë veten të mashtruar. Në atë periudhë shoqëria drejtohej nga gjeorgjiani Irakli Svanidze dhe Drejtori i Përgjithshëm i Shitjeve Alban Aliko. Të gjithë kallëzuesit kanë marë për një kohë të gjatë naftë në shoqërinë e mësipërme. Por ka ardhur një ditë që kallëzuesit kanë shkuar pranë pikave të furnizimit të subjektit shitës dhe nuk kanë mundur të furnizohen me naftë, madje i kanë gjetur të mbyllura pikat e tregtimit, të cilat nuk shërbenin as me tollona dhe as me lekë në dorë, pasi nuk kishte karburant në depozita.

Për këto mashtrime prokuroria e Tiranës nxori në maj 2018 një urdhër arresti për Drejtorin e Përgjithshëm të Shitjeve në “Sun Petroleum Albania” Albano Aliko, i cili në shtator 2018 u vetëdorëzua në polici,dhe në 12 shtator 2018, Aliko mer nga gjykata e Tiranës një masë sigurimi lehtësuese “arrest në shtëpi”. Mirëpo mes personave që e quan veten të mashtruar është dhe vetë ish-administratori gjeorgjian i “Sun Petroleum Albania” Irakli Svanidze, i cili në dëshminë dhënë para grupit hetimor akuzon për situatën e rëndë në kompani, administratorin Albano Aliko.Svanidze është larguar nga Shqipëria dhe nuk dihet se ku ndodhet, por ai në momentet e para të deklarimit të prokurori thotë se Aliko ka falsifikuar dhe një faturë transaksioni prej 100 mijë dollarë, shumë e cila është konvertuar në 113 milion lekë të vjetra.

Për këtë transaksion Svanidze ka pohuar se dokumenti është falsifikuar nga Albano Aliko, i cili sipas tij ka përdorur pasaportën e tij. Por gjatë një bashkëbisedimi me Albano Alikon, ky i fundit deklaroi se nuk kishte dijeni për këtë fakt. “…s’kam dijeni se çfarë ka deklaruar Irakli. Unë nuk jam i implikuar në këtë histori, por emri im është përmendur shumë në këtë çështje. Kompania falimentoi pasi policia shkuli çdo gjë të mundshme, me kompjutra me gjithçka. Si mund të funksiononte kompania dhe tu jepte shërbim klientëve, kur kompjuterat i mori policia, dhe stafi menaxhues ikën, u larguan…”-thotë Aliko.

Gjeorgjiani Svanidze “Ishte lojë e Albanit për ta falimentuar”

Teksa prokuroria dhe policia e Tiranës kishin nisur hetimet për “Mashtrim”, administratori i kompanisë “Sun Petroleum Albania” Irakli Zvanidze është shpallur në kërkim policor. Por më pas ky person është paraqitur në ambjentet e shoqërisë dhe aty është marë në pyetje. Sipas tij e gjitha kjo ka qënë një lojë e Albano Aliko me qëllim çuarjen në faliment të gjithë shoqërinë. Svanidze thotë se në muajin dhjetor 2016, kur Albano Aliko ka marë në dorëzim shoqërinë, tollonat e shitura i korrespodonin sasisë prej 356 mijë e 475 litra naftë, ndërkohë që gjëndja faktike e karburantit në depozita ishte 520 mijë e 505 litra naftë, pra dyfishi i sasisë për të cilën ishin shitur tollonat. Ndërkohë në një memo dërguar prokurorisë në datën 7 maj 2018 Irakli Svanidze thotë se dy kompanitë e naftës “Kastrati” dhe “Gega” që furnizonin me naftë e benzinë “Sun Petroleum Albania”, kërkojnë shlyerjen e borxhit përkatësisht prej 920 mijë euro dhe 880 mijë euro. Gjatë deklarimit të dhënë para grupit hetimor Svanidze është shprehur se nuk kishte dijeni për situatën e shoqërisë, pasi me një prokurë të posaçme ka autorizuar Albano Alikon, që ai të kryente të gjitha veprimet në emër të shoqërisë.

Sipas rëfimit të tij, Svanidze ka ardhur në Shqipëri në vitin 2013 dhe administrator në atë kohë ka qënë shtetasi Guram Gogeshvil, ndërsa Irakli Svanidze ka qënë zëvendësi i tij. Person kontakti në atë periudhë ka qënë Albano Aliko, i cili ka qënë administratori i shoqërisë “Alpet”.

Në atë periudhë Albano i ka kërkuar që të blejnë shoqërinë “Alpet”, por nga verifikimet e bëra ka rezultuar se ajo shoqëri kishte shumë probleme. Sipas Svanidze Albani kishte disa pika karburanti “Alpet”, të cilat i tërhoqi dhe i kaloi në “Sun Petroleum Albania” me qëra. Pas Guram Gogeshvil, në fund të vitit 2015 administratori i shoqërisë është bërë shtetasi Joseph Mgeladze, i cili ka qëndruar deri në fund të vitit 2016. Por më pas administrator i kompanisë është bërë shtetasi Irakli Svanidze, i cili në datën 19 dhjetor 2016 dhe 20 dhjetor 2016, për të dyja shoqëritë “Sun Petroleum Albania” Sh,a dhe SH.p.k, i ka bërë një prokurë të posaçme shtetasit Albano Aliko, për të përfaqësuar me tagër dhe pushtet të plotë dhe për të vepruar që të marë të gjitha vendimet, në cilësinë e përfaqësuesit ligjor në llogari të dy kompanive “Sun Petroleum Albania”.

Sipas rëfimit të Svanidzes këto dy kompani kanë një kontratë për 15 vjet me kompaninë mëmë që është “Gulf Oil Internacional”, me anën e së cilës mund të shesin karburant nën logon e tyre. Svanidze tregon se katër vitet e para të karburantit e kanë importuar nga kompania mëmë. Më pas një pjesë e kanë blerë nga kompania mëmë dhe një pjesë e kanë blerë nga distributorët në vend. Gjerorgjiani ka shpjeguar se kompania ka filluar të shpërndajë tollona nga fillimi i vitit 2016, por në një masë të vogël.Me ardhjen e Albanos si Drejtor i Përgjithshëm i shitjeve, tollonat janë dhjetëfishuar. Më tej Svanidze ka pohuar se gjatë kësaj kohe dy pika karburanti të kompanisë “Sun Petroleum Albania” janë kthyer në “Alpet” dhe konkretisht pika që ndodhet në “Myslym Shyri” dhe pika që ndodhet në Kashar. Sipas tij e gjitha kjo ka qënë një lojë e Albano Aliko me qëllim çuarjen në faliment të gjithë shoqërinë.

Dëshmia e menaxherit përfituan 1 mln euro

Mirëpo menaxheri i shitjeve për kompaninë “Sun Petroleum Albania” në qytetin e Durrësit Gjerard Mema, i cili ka kallëzuar në prokurorinë e Tiranës se përfaqësuesit e kompanisë, ku ai punonte kanë përfituar me anë të mashtrimit një shumë parash më të lartë se 1 milion euro.Kallëzuesi ka shpjeguar se detyra e tij ishte të shiste sa më shumë tollona nafte dhe prej tre vitesh ai kishte krijuar klientelën e tij, tek të cilët shiste në mënyrë të vazhdueshme tollona nafte. Tollonat që ka shitur në muajin prill 2018 kanë arritur vlerën e 40 mijë eurove. Sipas tij klientët janë paraqitur me tollona në dorë pranë shoqërisë dhe pikave të karburantit, por nuk kanë mundur të blejnë naftë dhe tollonat kanë dalë të pavleshme. Sipas menaxherit të shitjeve gjatë një komunikimi mes Gjerard Mema dhe Albano Aliko, ka rezultuar se Albano në datën 15 prill 2018 i ka kërkuar Gjerardit që të shesë sa më shumë tollona dhe lekët e mbledhura tia hedhë në llogarinë bankare në dy banka të nivelit të dytë. Gjerardi ashtu ka vepruar dhe ka kryer gjashtë transferta bankare me një vlerë rreth 50 milion lekë të vjetra. Ndërkohë që kallëzuesit e tjerë kanë pasur marrëveshje verbale me shoqërinë “Sun Petroleum Albania” në bazë të së cilës të gjithë këta shtetas mernin tollona nafte me një vlerë 135 lekë të reja për litër. Tollonat në vijim do të mund të përdoreshin pranë pikave të tregtimit, duke u konvertuar në sasi përkatëse nafte.

Furnizimi i fundit me naftë në 16 prill 2018

Lidhur me këtë çështje penale, në prokurorinë e Tiranës është pyetur dhe Anjeza Muharremi, e cila për një periudhë 3-vjeçare ka qënë shefe kontabiliteti në shoqërinë “Sun Petroleum Albania”. Kjo punonjëse ka deklaruar në prokurori se furnizimi i fundit që kompania ka bërë me naftë është kryer në datën 16 prill 2018 pranë shoqërisë “GlenKlaudis” (Gega).Por vetëm pak ditë më pas pronari i një autobuzi Halil Milla që kishte blerë tollona nafte tek “Sun Petroleum Albania” nuk ka mundur të marë sasinë e karburantit dhe për pasojë është paraqitur në ambjentet e zyrave të shoqërisë, ku ekonomistja i ka thënë se duhet të komunikonte me Drejtorin e Përgjithshëm Albano Aliko. Gjithashtu një tjetër person i dëmtuar është dhe Hysni Imeraj, i cili ka shpjeguar se blerja e tollonave i është afruar nga shtetasi Ibrahim Jamaku.

Me këtë person ka shkuar në zyrat e shoqërisë ku shtetësja Bruna Kareco e ka future në zyrën e drejtorit Mentor Jamaku, ku është paguar shuma prej 1.500.400 për 22 pako tollona. Një pjesë të tollonave deklaruesi thotë se e ka shitur tek të afërmit e tij. Po ashtu e mashtruar nga kjo histori ka dalë dhe Shpresa Kaba, përfaqësuese e kompanisë “Deloitte Albania”, e cila ka deklaruar në prokurori se nga maji 2017 ka blerë tollona në sasinë 15 mijë litra. Nga këto kanë konsumuar sasinë 2720 litra dhe kanë gjëndje tollona për sasinë 12 mijë e 280 litra në vlerën 1.989.360 lekë. Të gjitha këto tollona janë sekuestruar tashmë nga prokuroria.

E mashtruar ka dalë dhe Borana Resulaj e organizatës jofitimprurëse “Shërbimi ligjor falas”, e cila ka deklaruar në prokurori se nga viti 2015 ka blerë karburant me tollona në kompaninë “Sun Petroleum Albania”.Personin me të cilin ka komunikuar ka qënë punonjësja Bronilda Kareco, menaxhere shitjesh dhe se pagesat gjithmonë janë kryer nëpërmjet bankës.Por papritur në datën 16 prill 2018, pikërisht ditën kur “Sun Petroleum Albania” kishte kryer furnizimin e fundit me naftë nga kompania “Gega”, është njoftuar nga shoferët e mjeteve të organizatës se nuk mund të furnizoheshin me karburant.Borana ka takuar rastësisht në rrugë menaxheren e kompanisë, e cila i ka thënë se nuk kishte dijeni për problemin e lindur dhe se i kishin nxjerë me forcë nga shoqëria. Sasia e tollonave që kishte blerë Borana ishte 580 litra me 1 milion lekë të vjetra.

Kallëzim ka depozituar dhe biznesmeni Barush Biba që administron kompaninë “Biba X”,në të cilin ka shpjeguar se ka blerë sasi nafte nga shoqëria e kallëzuar në shumat 5 milion lekë të reja dhe 13.5 milion lekë të vjetra. Mes subjekteve të tjera që kanë kallëzuar në prokurori është dhe institucioni i Këshillit të Lartë të Drejtësi i cili kishte porositur një sasi nafte prej 8 milion e 400 mijë lekë të vjetra. Po ashtu i mashtruar ka mbetur dhe Shërbimi Informativ Shtetëror, subjekti “NOA”, “Unioni Finaciar Tiranë” dhe pronari i një pike karburanti Irfan Mansaku.

Individë e subjekte të mashtruara

Gjerard Mema menaxher i “Sun Petrolium Albania”

Këshilli i Lartë i Drejtësisë

Shërbimi Informativ Shtetëror

Kompania e ndërtimit “Biba X”

Unioni Financiar Tiranë

Subjekti “NOA” Sh.a

Shërbimi ligjor falas

Kompania “Deloitte Albania”

Halil Milla

Hysni Imeraj

Besnik Kuqari

Irfan Mansaku

Shkëlqim Delilaj

Aleksandër Dajlani

Flamure Shkëmbi

Kompania “Kastrati”

Kompania “Genklaudis” (Gega)

Faksimile e dosjes së Gulf 

G.M./b.ha./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • tiou: 18/03/2019 08:34

    vjedh energjine masa arrest me burg. vjedh 1 million euro masa arrest shtepie

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Besiktas 'shkrin' ekipin, nxjerr në shitje edhe Ernest Muçin! Shqiptari kërkohet në Angli

Besiktas 'shkrin' ekipin, nxjerr në shitje edhe Ernest Muçin! Shqiptari kërkohet në Angli