Është zbardhur ngjarja e ndodhur ditën e djeshme në qytetin e Vlorës, në lagjen “Rilindja”, ku mbeti i plagosur 51 vjeçari Arsen Arif Gerbi. Policia ka identifikuar autorin e veprës dhe zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.
Nga hetimet paraprake të kryera ka rezultuar se autori, shtetasi T.B., ka shkuar në ambjentet e lokalit të shtetasit Vladimir Nuhaj dhe ka qëlluar me armë zjarri shtetasin A.G., si dhe i ka marrë një shumë lekësh.
Në përfundim të hetimeve paraprake Policia ka bërë shpalljen në kërkim dhe po punon për kapjen e autorit, shtetasit T.B.
Gjithashtu është kryer arrestimi në flagrancë i shtetasit Vladimir Nuhaj, 51 vjeç, banues në Vlorë. U bë arrestimi i tij pasi nuk e ka kallëzuar krimin, ka penguar në zbardhjen e ngjarjes, si dhe në lokalin e tij organizonte lotari të palejuara.
Materialet hetimore iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Vlorë në ngarkim të shtetasit T.B., për veprat penale “Vjedhja me armë”, dhe “Plagosje e lehtë me dashje”, si dhe në ngarkim të shtetasit Vladimir Nuhaj për veprat penale “Moskallëzim krimi”, “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës” dhe “Organizimi i lotarive të palejuara”, të parashikuara nga neni 140, 89, 300, 301 dhe 197 të Kodit Penal.