SHKODËR-Një 24 orë pas ngjarjes, zbardhet plagosja me armë zjarri. Vasel Koçeku 27-vjeç, që mbeti i plagosur është arrestuar, ndërsa autori është identifikuar dhe shpallur në kërkim.

Report Tv mëson se Koçeku ishte me leje të posaçme nga burgu për shkak të situatës së krijuar nga COVID-i, por pavarësisht faktit që nuk lejohet që të dalë nga shtëpia, i riu e ka thyer urdhrin.

27-vjeçari rreth orës 03:30 të mëngjesit të djeshëm mbeti i plagosur nga sherri që u përfshi në afërsi të Katedrales në lagjen “Vasil Shanto” në Shkodër.

Për ngjarjen i riu nga fshati Boriç i Vogël, Malësi e Madhe është arrestuar me akuzën e largimit nga vendi i qëndrimit, pasi ishte në arrest shtëpie, ndërsa vijon puna për kapjen e autorit të plagosjes R. Z. 30 vjeç, banues në lagjen Skënderbeg, Shkodër.

Për ngjarjen u ndalua edhe E. D., 32 vjeç, banues në fshatin Grudë e Re, pasi akuzohet për mos kallëzim krimi.