Zbardhet programi i plotë i qeverisë për rindërtimin e banesave të dëmtuara dhe të shembura nga tërmeti i 26 nëntorit. Nëpërmjet një akti normativ që ka kaluar me procedurë të përshpejtuar në Komisionet Parlamentare dhe në Parlament, janë përcaktuar edhe kategoritë e familjeve që përfitojnë si nga kompensimi i dëmeve, por edhe për ndërtimin e banesave.
Në subjektet përfituese përfshihen:
Individët dhe familjet, që kanë humbur një ose më shumë anëtarë të familjes dhe kanë pësuar dëme në banesat e tyre e kanë mbetur të pastrehë;
Tregtarët ose shoqëritë tregtare, të cilët si pasojë e fatkeqësisë natyrore u është prishur vendi i ushtrimit të aktivitetit.
Ndërkohë është parashikuar të mos përfitojnë ata subjekte që kanë në pronësi më shumë se një banesë, në njësinë e vetëqeverisjes vendore ku është shpallur gjendja e fatkeqësisë natyrore, pavarësisht nëse banesa që është dëmtuar ka qenë vendbanim i zakonshëm. Ata do të përfitojnë vetëm në rast se të gjitha banesat në pronësi u janë dëmtuar.
Do të përfitojnë kompensim për dëmet të gjitha ato familje, banesa e të cilëve është shpallur e banueshme, por që u është dëmtuar nga tërmeti. Po ashtu kompensohen për dëmet edhe ata persona, banesa e të cilëve nuk ndodhet në territorin ku është shpallur gjendja e jashtëzakonshme, në momentin kur vërtetohet se dëmet janë pasojë e tërmetit.
Nuk janë përfitues firmat e ndërtimit për ato objekte, që janë dëmtuar nga fatkeqësia natyrore, kur dëmi ka ardhur si rrjedhojë e gabimeve në projektimin apo ndërtimin e ndërtesës kryer prej vetë subjektit ndërtues, që është njëkohësisht dhe pronar i objektit, përveç rastit kur zbatohet zhvillimi i detyruar vendor sipas parashikimeve të këtij akti.
Në Program janë përfshirë edhe familjet që kanë banesa të palegalizuara. Është vendosur që ndërtimet pa leje në zonat e reja për zhvillim ose në zonat e planifikuara për ndërtim sipas këtij akti, të përjashtohen nga procedurat e legalizimit dhe subjektet poseduese të ndërtimeve pa leje. Por ato do të përfitojnë pronësinë mbi truallin, kur aty është miratuar leja e zhvillimit.
Qeveria po ashtu ka vendosur t’u japë të drejtën qytetarëve të banesave të shembura të ndërtojnë vetë ndërtesa në të njëjtin truall, me një zhvillues privat, ndërkohë që financimi do të bëhet nga program i rindërtimit.
Nga ana tjetër, të gjitha ndërtimet dhe rikonstruksioni i banesave përjashtohen nga taksa e ndikimit në infrastrukturë dhe tarifat e aplikimit të zbatueshme për lejet e ndërtimit, duke i lehtësuar nga një kosto relativisht e lartë. Përjashtohen nga taksat, tatimet dhe tarifat e aplikimit edhe të gjithë ato subjekte që do të shërbejnë për rindërtim.
Sipas aktit normative, të gjitha ato banesa të shpallura të pabanueshme nga akt-konstatimet apo akt-vlerësimet paraprake, do t’i nënshtrohen akt-ekspertizës së thelluar. Ekspertiza jep një konkluzion të qartë mbi gjendjen strukturore, nëse objekti mund të riparohet apo struktura e tij është dëmtuar në atë masë që dikton prishjen e detyruar të objektit.
(Kliko këtu për të lexuar programin e plotë të rindërtimit)