Në takime me specialistët shqiptarë do të analizohen zhvillimet e fundit makroekonomike dhe perspektiva e rritjes së ekonomisë së vendit, shifrat e inflacionit, të bilancit të pagesave, kushtet fiskale dhe kreditimi bankar. Gjithashtu, do të analizohen struktura e borxhit publik dhe parashikimet, qëndrueshmëria e borxhit, diskutimi i strategjisë së menaxhimit të borxhit, etj.
Nevojat për financim afatmesëm nga institucionet ndërkombëtare financiare dhe mënyrat për të reduktuar varësinë e qeverisë nga bankat tregtare, pritet të jenë tema të tjera të kësaj analize, sqarojnë burimet nga ministria, sipas të cilave, edhe politika për kontraktimin e borxhit të ri dhe perspektivat e rifinancimit të kredive tregtare do të jenë pjesë e analizës.
Gjatë takimeve, do të analizohet realizimi i treguesve të buxhetit për vitin 2013 dhe objektivat kryesore që do të merren parasysh në hartimin e projekt-buxhetit për vitin e ardhshëm.
Buxheti
Ndryshimi i treguesve fiskalë në ligjin për Buxhetin e Shtetit 2013 tashmë duket se është i pashmangshëm, në një kohë kur të ardhurat për tetë muaj nuk janë realizuar në masën e pritshme dhe shpenzimet janë tejkaluar mbi planifikimin. Ndryshimet që pritet t’i bëhen treguesve të buxhetit të këtij viti, do të kryhen brenda shtatorit. Ndërkohë, me fillimin e legjislaturës së re parlamentare pritet që të shqyrtohet edhe buxheti faktik i vitit 2012, ndërkohë që po punohet edhe për hartimin e buxhetit të vitit të ardhshëm.
Borxhi
Pavarësisht nga fakti që është marrë shumë borxh i brendshëm, nevojat janë të tilla që duhet marrë prapë. Ministri Cani ka firmosur për ankandin e rradhës të obligacioneve dyvjeçare,që parashikohet të kryhet më datë 23 shtator. Ankandi do të zhvillohet më datë 19 shtator dhe interesi i planifikuar do të jetë 4.90%, për shumën 2.5 miliardë lekë.
Rishikimi
Ndryshimi i treguesve fiskalë në ligjin për Buxhetin e Shtetit 2013 tashmë duket se është i pashmangshëm, në një kohë kur të ardhurat për tetë muaj nuk janë realizuar me shpenzime të tejkaluara. Ndryshimi pritet të kryhet brenda muajit shtator
Shkrimi u publikua sot (18.09.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)
Redaksia Online
(a.ç/shqiptarja.com)