Reshjet e dendura të ditëve të fundit ia kanë lënë vendin motit të kthjellët, por pasojat e përmbytjeve kanë lënë ende gjurmë në banesa e toka bujqësore.

VLORË

Në fshatrat e Njësisë Novoselë pranë shtratit të Lumit Vjosa dëmet po evidentohen, por paraprakisht 15 banesa janë përmbytur dhe 20 krerë bagëti kanë ngordhur.

FIER

Ujërat e Vjosës janë tërhequr edhe nga fshati Kashisht në Fier, por kultivuesit e luleshtrydheve përllogarisin dëme në miliona lekë.

LUSHNJË

Edhe tokat në fshatin Murriz Kozare të Lushnjës, janë të mbuluara nga uji, si pasojë e fryrjes së Semanit. Grupet për verifikimet e dëmeve janë në terren në të gjitha zonat e prekura nga përmbytjet, proces i cili po monitorohet edhe nga Ministrja e Bujqësisë dhe zhvillimit Rural.

DURRËS

Në Durrës, ku prokuroria nisi hetimet për përmbytjet masive në qytet mbi gjendjen e kanaleve dhe funksionimin e hidrovorëve, situata është dukshëm drejt përmirësimit. Nuk ka më banesa me prani uji, përveç disa shtëpive në Katund të ri dhe në Sukth. Te konvaleshenca dhe në strukturat hoteliere vazhdojnë të qëndrojnë 543 persona.

FUSHË-KRUJË

Tërheqja e lumit Ishëm ka përmirësuar ndjeshëm situatën në tokat bujqësore në Murqinë, Bilaj e Mallkuç në Fushë-Krujë.

DIMAL

Në Dimal banorët e fshatrave Çiflik, Arrëz, Banaj e Gajdë protestuan para bashkisë me pretendimin se janë përmbytur disa herë, por nuk u është ofruar ndihmë. 

MALIQ

Me dhjetëra ha tokë bujqësore u përmbytën edhe në Maliq, por banorët e këtij fshati ende nuk kanë marrë dëmshpërblimet e nëntorit të vitit të kaluar, shqetësime që i parashtruan në mbledhjen e jashtëzakonshme të Këshillit Bashkiak.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 14:06
Përmbytjet/ Rruga e fshatit Mesmal të Maliqit e bllokuar, banori: Nuk kalohet as me këmbë

 

Fshati Mesmal, në Bashkinë e Maliqit, prej ditës së djeshme vijon të jetë plotësisht i izoluar, pas çarjes së argjinaturës së një kanali që shërben për shkarkimin e ujërave të një hidrocentrali në këtë zonë.

Situata ka sjellë bllokimin e dhjetëra familjeve dhe mbi 20 ferma, duke e bërë të pamundur lëvizjen në aksin kryesor të fshatit.

Sipas banorëve, rruga është totalisht e pakalueshme për mjetet, ndërsa izolimi po e vështirëson ndjeshëm përditshmërinë e tyre dhe krijon rrezik serioz në rast emergjencash shëndetësore.

Florant Delollari banor i zonës, shprehet se për të dalë nga fshati janë të detyruar të ecin për rreth një orë në këmbë, ndërsa për transport alternativ kanë paguar deri në 4 000 lekë të vjetra për të zbritur në qytetin e Maliqit.

 “Jam banor i fshatit Mesmal. Në këtë rrugë nuk kalohet as me këmbë. Sot kam paguar taksinë 40 mijë lekë për të ardhur këtu. Rreth 400-500 familje janë të prekur nga kjo situatë, por asnjeri nuk ngrihet. Nëse kemi një të sëmurë nuk kemi ku ta çojmë. Rreziku është në maksimum. Fshati është i izoluar plotësisht, nuk na ka ardhur asnjeri”, tha ai.

Situata konsiderohet kritike, ndërsa banorët kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme nga autoritetet për hapjen e rrugës dhe rikthimin e aksesit normal në fshat, pas disa ditësh izolim.

Bashkia e Maliqit, veçanërisht në zonat e saj të sipërme, vijon të përballet me probleme të përsëritura të erozionit dhe rrëshqitjeve të dherave në akset rurale. Pas kontaktit me zyrtarë të Bashkisë Maliq, bëhet e ditur se rrëshqitja e dheut në rrugën e Mesmalit, është regjistruar mbrëmjen e djeshme. Ndërsa aktualisht janë dërguar disa mjete për hapjen dhe sistemimin e kësaj rruge, e cila së shpejti do të jetë e aksesushme nga banorët.

Ora 12:47
Situata me motin në 24 orët e fundit! Ministria e Mbrojtjes: Këto janë 5 qarqet më të prekura!

Ministria e Mbrojtjes njofton se gjatë 24 orëve të fundit, kushtet e paqëndrueshme atmosferike dhe rënia e temperaturave kanë shkaktuar problematika në disa qarqe të vendit, përfshirë përmbytje, rritje të niveleve të lumenjve, bllokime rrugore dhe rrëshqitje dherash.

Pamje nga forcat e armatosura në terren

Sipas njoftimit, qarku Shkodër mbetet një nga zonat më të prekura.

"Qarku Shkodër mbetet një nga zonat më të prekura. Në Bashkinë Shkodër, zonat e Obotit dhe Dajçit vijojnë të përballen me rritje të nivelit të ujit si pasojë e prurjeve të lumit Buna dhe Drin si dhe rritjes së nivelit të liqenit. Rreth 500 hektarë tokë bujqësore janë ende nën ujë, kryesisht në fshatin Obot dhe njësinë administrative Ana e Malit. Aksi rrugor që lidh fshatin Obot me rrugën kryesore ka prezencë uji deri në 120 cm, duke izoluar pjesërisht zonën. Në njësinë administrative Dajç, veçanërisht në zonën Urrelat–Shirq, uji ka dalë nga kanalet kulluese duke zgjeruar sipërfaqet e përmbytura. Situata po monitorohet në mënyrë të vazhdueshme dhe në disa zona ka nisur tërheqja graduale e ujit" thuhet në njoftimin e Ministrisë së Mbrojtjes

Në Lezhë, përmbytjet kanë prekur kryesisht tokat bujqësore, me rreth 1.200 hektarë të përmbytura.

"Në Qarkun Lezhë, përmbytjet kanë prekur kryesisht tokat bujqësore. Në Bashkinë Lezhë raportohen rreth 1,200 hektarë tokë bujqësore nën ujë, kryesisht në zonat Balldren dhe Zejmen. Në Torovicë dhe Zejmen, tërheqja e ujit po ndodh me ritme të ngadalta. Në Bashkinë Kurbin, niveli i ujit ka shënuar rënie në zonat më problematike si Adriatik, Gjorm dhe Mamurras, ndërsa kanë vijuar verifikimet për dëmet në banesa, pajisje dhe kultura bujqësore, si dhe evakuimi i bagëtive në zona të caktuara", thuhet në njoftimin e Ministrisë së Mbrojtjes

Në qarkun Vlorë situata paraqitet në përmirësim gradual, me rënie të nivelit të lumit Vjosë në Novoselë, ndërsa në disa zona rurale vijojnë rrëshqitjet e dherave dhe qarkullimi me kufizime.

"Qarku Vlorë paraqitet me situatë në përmirësim gradual. Në Bashkinë Vlorë, niveli i ujit të lumit Vjosë në zonën e Novoselës ka nisur rënie dhe situata po shkon drejt normalizimit, megjithatë mbetet nën monitorim të vazhdueshëm. Në Bashkinë Selenicë, vijojnë problematikat nga rrëshqitjet e tokës në fshatin Vajzë dhe në disa akse rrugore rurale, ku qarkullimi kryhet me kufizime. Në Bashkinë Himarë, në zonën e Qafës së Vishës, vazhdon rreziku nga rënia e gurëve në rrugë, duke kërkuar kujdes të shtuar në qarkullim" thotë Ministria e Mbrojtjes

Problematika nga rrëshqitjet dhe përmbytjet janë regjistruar edhe në Korçë.

"Në Qarkun Korçë, problematikat lidhen kryesisht me rrëshqitje dherash, prezencë uji dhe dëborë në disa akse rrugore. Në Bashkinë Pogradec janë raportuar shkarje dherash në segmente të rrugëve nacionale dhe rurale si dhe rreth 25 hektarë sipërfaqe toke me prezencë uji. Në Bashkinë Maliq, si pasojë e çarjes së argjinaturës së lumit Devoll, janë përmbytur rreth 3,600 hektarë tokë bujqësore, ndërsa situata po mbahet nën kontroll pas ndërhyrjeve të strukturave përkatëse. Në Bashkinë Devoll, pas çarjes së argjinaturës së lumit Oshticë u përmbytën rreth 270 hektarë tokë, por çarja është mbyllur dhe situata është stabilizuar", thuhet në njoftim

Në Gjirokastër disa rrugë mbeten të bllokuara dhe në disa zona janë kryer evakuime të përkohshme.

"Qarku Gjirokastër vijon të ketë problematika të shpërndara në disa bashki. Në Bashkinë Gjirokastër, rruga e Qafës së Çajupit mbetet e bllokuar, ndërsa po punohet për përforcimin e argjinaturës së lumit Drino. Në bashkitë Libohovë, Memaliaj, Përmet dhe Këlcyrë janë raportuar rrëshqitje të shumta dherash që kanë bllokuar rrugë rurale dhe kanë rrezikuar banesa, duke bërë të nevojshme evakuime të përkohshme në disa zona. Ndërhyrjet vijojnë në varësi të kushteve të terrenit dhe uljes së prurjeve në lumenj" thotë Ministria e Mbrojtjes. 

Sipas autoriteteve, Forcat e Armatosura në bashkëpunim me strukturat e Mbrojtjes Civile dhe pushtetin vendor, mbeten të angazhuara në ndihmë të komuniteteve të prekura, duke shpërndarë ndihma dhe garantuar akses në zonat e izoluara.

Ora 12:39
Pasojat e përmbytjeve në Kashisht, fermerët me sytë nga shteti: Dëmet janë shumë të mëdha, pse nuk vijnë të bëjnë verifikimet?

 

Pasojat e përmbytjeve të lumit Vjosë në fshatin Kashisht pas tërheqjes së ujërave janë tepër të mëdha. Më të prekurit janë kultivuesit e luleshtrydheve të cilët përllogarisin dëme në miliona lekë. Kreshnik Kapaj, dhe Genti Halilaj, përkatësisht me 4 dhe 7 dynymë sera të kultivuara me luleshtrydhe , janë në fazën e larjes së tyre , të cilat janë të mbuluara nga balta.

Përmbytje të tilla nuk i kemi parë që nga viti 1971 thonë ata, ndërsa pohojnë se askush nuk ka dalë në terren për të verifikuar dëmet. Si të mos na mjaftonin dëmet e përllogaritura në mbi 2 milionë lekë, edhe faza e larjes kërkon shpenzime të larta thonë ata, ndërsa ngrica që pasoi pas përmbytjeve , kërkon të tjera shpenzime për mbulimin e serave. Ata kërkojnë njëzëri dëmshpërblim nga shteti, pasi në të kundërt janë drejt falimentimit.

“Jam një fermer që hera e parë që po përmbytemi kështu. Dëmi është shumë i madh. Lumi ka shkuar 1 metër mbi serë. Kërkoj një ndihmë nga shteti. Është mbi 20 milionë lekë dëm. Shpresoj të na ndihmojnë. Janë 4 dynym. Jam më i dëmtuari, janë dhe 2-3 të tjerë. Po i lajmë, kam 2-3 ditë mezi kam larë 2 dynym. Bima është prishur, kokrra po e po”, tha fermeri.

“Më ka dëmtuar 7 dynym. Mbi 30 milionë lekë të vjetra dëm. As nuk ka ardhur njeri të na shihnin. Pa dalë lumi erdhën të gjithë, pasi doli lumi nuk ka ardhur më njeri. Faza më e mirë e vjeljes ishte kjo. Po e lajmë, po shpresojmë nëse do japin prodhim nga marsi. Është një katastrofë e madhe. Jemi përmbytur dhe në vitin 2021 dhe asnjë dëmshpërblim as atëherë e as sot. Të kishin ardhur të kishin bërë vlerësimet e dëmeve. Deri kur ishte lumi gati në të dalë, ishin këtu të gjithë, sa doli lumi nuk u pa më njeri”, tha fermeri.

Ndërkohë kryeplaku i fshatit Kashisht , Ramadan Kapaj, pohon se  dëmet e përllogaritura deri tani janë 50 ha tokë bujqësore e kultivuar kryesisht me grurë, bazë ushqimore e bagëtive të 18 fermerëve, dhe dëme shumë të mëdha përllogariten në serat e luleshtrydheve. Përballë kësaj situate, ai u ka bërë apel institucioneve përgjegjëse të dalin të terren për të konstatuar bilancin e dëmeve, dhe njëherazi për dëmshpërblime.

“Hera e parë që fshati përmbytet nga lumi Vjosë. Këtu janë përmbytur rreth 50 hektarë tokë të mbjella me produkte të ndryshme. Kemi sera, grurë dhe bazë ushqimore. Nga verifikimet në bazë ushqimore janë përmbytur rreth 18 familje, kemi 3 fermerë që i janë përmbytur luleshtrydhet. Kërkojmë nga shteti të vijë të verifikojnë dëmet dhe të japin shpërblimet”, tha Ramadan Kapaj.

Fermerët fajësojnë për situatën ndërtimin pa kriter të argjinaturave dhe ngushtimin e shtratit të lumit në urën e autostradës Fier- Vlorë.

Ora 11:32
Ministri Salla në Levan: Do të ofrojmë mbështetje për bazën ushqimore, për të garantuar vijimësinë e aktivitetit blegtoral

Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, ndodhet në terren në Levan, Fier, ku po ndjek nga afër situatën e krijuar nga reshjet intensive të ditëve të fundit dhe masat e marra për mbrojtjen e blegtorisë.

Gjatë vizitës, Ministri Salla ishte pranë blegtorit Bledi Dorda, i cili mbarështon rreth 800 krerë të imta. Si pasojë e situatës së krijuar nga reshjet, tufa e bagëtive është evakuuar në kohë, duke shmangur dëmtimet në gjënë e gjallë.

“Fatmirësisht nuk ka dëmtime në gjënë e gjallë, ndërsa për bazën ushqimore do të ofrojmë mbështetjen e nevojshme, për të garantuar vijimësinë e aktivitetit blegtoral,” u shpreh Ministri Salla gjatë inspektimit në terren.

Ministri theksoi se strukturat e Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural janë në terren për të ndjekur nga afër situatën, për të evidentuar dëmet dhe për të garantuar mbështetjen e nevojshme për fermerët dhe blegtorët e prekur nga reshjet intensive.

Ora 11:20
Pas ndalimit të reshjeve të shiut, bie niveli i lumit Ishëm! Uji tërhiqet edhe nga tokat bujqësore

Pas përmirësimit të kushteve atmosferike niveli i ujit në lumin Ishëm ka rënë ndjeshëm gjatë orëve të natës.

Po ashtu uji ka filluar të tërhiqet edhe nga tokat bujqëore përfshirë ato në fshatrat: Murqin ,Bilaj Mallkuc e Miliskaj.

Nga ana tjetër deri më tani nuk raportohen problematika sa i përket qarkullimit të automjeteve në segmentet rrugore të Krujës.

Ora 11:19
Përmbytje në fshatin Murriz Kozare në Lushnje, banorët: Dëme të konsiderueshme, presim dëmshpërblim (VIDEO)

Vërshimi i lumit Seman përmbyti fshatin Murriz Kozare në Lushnje..Gjatë ditës së djeshme ky fshat u kthye në ishull pasi gjithçka u mbuluar nga uji. Sot, ujërat e Semanit janë tërhequr dhe kanë lënë pas dëme të mëdha ku fermerët kanë humbur gjithçka.

Prodhimet e Serave, të perimeve, shpendë, ushqimin e blegtorisë, agrumet pumëtoret madje edhe orendi shtëpiake. Banorët shprehen se kanë pësuar dëme të konsiderueshme.

“Bashkim Musaku, fshati Murriz Kozare. Vajta me biçikletë, kanali po na tërheq ujë, por nuk e di tani. Unë dy hektar tokë e kam agrume. Mua do me ketë bërë dëm dhe në fidanet e djeshme. Dje ishte nënkryetarja e bashkisë, por nuk kalohej dën. Nuk e kam verifikuar dëmin. Dëm mund të kem në pikatoret e vaditjes.”, tha një banor.

Disa shprehen se u kanë sjellë ndihma me ushqime.

“Bagëtitë i kam te serat lart. Shumë na kanë premtuar ndihmë, shpresoj t’i sjellin. Ushqim më kanë sjellë mbrëmë për të ngrënë. Ndihma na kanë dhënë, kjo është fatkeqësi e natyrës”, u shpreh një banore.

Të tjerë presin dëmshpërblim nga shteti.

“Unë kam 1 dynym serë, 1 hektar ullinj, presha dy dynym, ushqimi i lopës. Dëmi është shumë i madh, shifra mund të shkojë 30 milionë lekë. Kërkojmë dëmshpërblim.”, theksoi një banor.

Ora 11:03
“Mos recito, ku janë dëmshpërblimet?”- Fermerët ‘përplasen’ me drejtuesit e Bashkisë Maliq: Do nisim protestat nëse nuk marrim paratë

 

Po zhvillohet jashtë rradhe mbledhja e Këshillit Bashkiak në bashkinë e Maliqit, e organizuar për të diskutuar lidhur me situatën e krijuar nga përmbytjet e muajit nëntor 2025.

Burime për Report TV bëjnë me dije se prezentë në mbledhje janë edhe fermerë të Maliqit, të cilët po debatojnë me drejtuesit e kësaj bashkie lidhur me dëmet e shkaktuara nga përmbytjet e para.

Sipas tyre, numri i fermerëve të prekur është i madh dhe dëmet janë shumë të konsiderueshme në prodhimet bujqësore të cilat u janë shkatërruar.

Julian Guri një prej fermerëve potencial në territorin e bashkisë Maliq ju bën thirrje fermerëve të tjerë për rezistencë.

"Asnjë nuk duhet të lëvizë që këtu, ne duam përgjigje konkrete, le të vijë kush të dojë, çfarë do bëhet. Ku janë dëmshpërblimet?" - thotë mes të tjerash fermeri.

Në përfundim të mbledhjes pritet të shihet se çfarë do të vendoset për këtë ccështje, shkruan Report TV.

“Taksat tona paguhen. Pse nuk i ke lajmëruar të vijnë? Ti e di shumë mirë se në çfarë gjendje jetoj unë. Tani vetëm me polici hajde na nxirrni, sepse ne nuk ikim që këtu. Lajmëroni kë të doni, ne duam përgjigje konkrete se çrarë do të bëhet. Kam një muaj e gjysmë që ju kam lajmëruar, i keni matur edhe tokat. Ku janë dëmshpërblimet? Hë mo më kthe një përgjigje, ça më rri ashtu. Ça të rrimë si hunjë këtu? Po ça të recitojmë këtu ne tani? Ti po reciton tani. Ne e dimë sa hektarë të mbyllur janë. Na thoni edhe të dimë ne që të vazhdojmë me protesta”, tha fermeri Julian Guri.

Ora 10:56
Banorët e fshatrave Çiflig dhe Arrëz u përmbytën, përfaqësuesit e Bashkisë Dimal: Kemi gati një projekt për argjinaturat, ata do të dëmshpërblehen

 

Përfaqësues të Bashkisë Dimal kanë reaguar pas protestës së banorëve të fshatrave Çiflig dhe Arrëz, banesat e të cilëve janë përmbytur.

Sipas tyre, nuk janë pastruar kanalet dhe se lumi duhet të kthehet në shtratin që ka qenë.

Inxhinieri topograf, Ingrid Shkëmbi deklaroi se bashkia ka gati një projekt për argjinaturën, por i kanë dërguar shkresë Institutit të Ndërtimit dhe presin vlerësimin e tyre.

“Si investim, nëse do duhet ndërhryje, ne kemi një projekt gati për ngritjen akoma më të lartë të asaj argjinature. Ne do presim mendimin e institutit. Ne kemi gati një projekt tjetër. Të vijnë inxhinerët në terren ta shikojnë, ta verifikojnë. Ne i kemi bërë shkresë Insitutit të Ndërtimit, po presim vlerësimin e tyre. Edhe te bllokimi, i kemi bërë bordit të kullimit. Unë nuk jam inxhinier hidro, jam inxhinier topograf. Nuk vjen problematika nga një kanal. Ky kanal shërben për të shkarkuar ujërat që mblidhen te Kamina.”, tha ai.

Ndërsa përfaqësuesja e bashkisë, Rabushe Hoxha u shpreh se janë ngritur strukturat përkatëse për të parë dëmet. Hoxha shtoi se banorët do të dëmshpërblehen.

“Bashkia Dimal ka ngritur strukturat përkatëse për të bërë studimet e zonës dhe për të parë gjithë problematikat. Nuk është diçka që ka ndodhur për shkak të mos angazhimit të strukturave të bashkisë. Ne kemi qenë gjatë gjithë kohës në terren. Ne do shohim të gjitha problematikat, të gjitha fshatrat që preken nga pjesa lumore. Do merren në konsideratë. Është një pjesë e prekur nga prurjet me instentitet të lartë. Ne kemi qenë në gatishmëri. Çdo gjë është pare me prioritet. Kam një thirrje për komunitetin e Çifligut dhe Arrëzit, shkoni në banesat tuaja se grupet janë në terren, jini realist për dëmet. Ministri ka qenë deri vonë me titullarin e bashkisë në vendet e prekura. Po pritet vlerësimi, shpresoj të shpërbleheni sa më shpejt.", tha Hoxha.

Ora 09:25
Përmbytjet, banorë të fshatrave Çiflig dhe Arrëz protestë para Bashkisë Dimal: Të pastrohen kanalet, shtrati i lumit të shkojë aty ku ka qenë (VIDEO)

Banorë të fshatit Çiflig dhe Arrëz kanë protestuar para Bashkisë së Dimalit.

Banesat e tyre janë përmbytur si pasojë e reshjeve të shiut, teksa shprehen se kanalet nuk janë pastruar.

Një banor i fshatit Çiflig tha se është përmbytur 3 herë dhe thotë se lumi i fshatit është ngushtuar.

“Mua më është mbytur sera. Arsyeja e vetme, lumi është ngushutar, është bërë si kanal, si përrua. Për këtë na jepni dot zgjidhje? Jam mbytur 3 herë. Jam ankuar, po këtu ashtu të përcjellin prapë. Jam banor i fshatit Çiflig, kanalet janë të tëra pa pastruar, lumi është ngushtuar. Të zgjerohet lumi, të shkojë te shtrati ku ka qenë. Këtë duam”, tha ai.

Një tjetër banor i këtij fshati, deklaroi se kanalet duhen pastruar.

“Jam banor i fshatit Çiflig. Shtëpia ime është përmbytur 3 herë. Edhe serat. Të hapet urgjentisht lumi, shtrati i lumit, të bëhen kanalizimet. Të pastrohen nga e para, se janë bllokuar të tëra. Këtë përmbytje nuk e kemi parë as në 1962. Të pastrohen kanalet, të zgjerohet lumi. Këtë kërkojmë ne si fshat.”, theksoi banori.

Ndërsa, një banor i fshatit Arrëz u shpreh se u hapën digat dhe u përmbytën.

“Jam banor i fshatit Arrëz. Këtë radhë na mbyti dora e shtetit. Hapën digat dhe u përmbytëm. Tokat janë në ujë komplet. Duam ndihmë, duam ushqim për lopët.” u shpreh ai.

Ora 09:01
Ulja e ndjeshme e temperaturave shkakton ngrica në segmentet rrugore të qarkut të Dibrës! Autoritetet apel drejtuesve të ecin me kujdes

Zbritja e ndjeshme e temperaturave gjatë orëve të natës dhe të mëngjesit në -10 gradë në qarkun Dibër veçanërisht Peshkopi dhe Bulqizë ka sjellë ngrica në disa segmente rrugore, duke krijuar vështirësi për qarkullimin e automjeteve.

Rruga e Arbrit në disa segmente ka patur ngrica veçanërisht në zonat malore. Problematikë me energjinë elektrike ka pasur në disa fshatra përfshirë: Lurë Sllove,  Selishtë Ostren i Madh, - ku telat  e energjisë janë këputur si pasojë e dëborës së rënë.

Rruga Peshkopi-Kukës kalohet me zinxhirë, ndërkohë segmenti Ura e Çerenecit Librazhd ditën djeshme ka patur problematika në lëvizje për shkak të borës dhe pothuaj ka qenë e pakalueshme për mjetet e vogla

Autoritetet u bëjnë thirrje shoferëve të tregojnë kujdes të shtuar, të përdorin goma dimërore dhe të ulin shpejtësinë.