Zbulohen fotot e rralla të zonës
së Dardhës në vitet 1930

Zbulohen fotot e rralla të zonës<br />së Dardhës në vitet 1930
TIRANE - Para ca kohësh, gjatë një fundjave në një qytet turistik në veri të Miçiganit (SHBA), kam parë disa çifte që po fotografoheshin. Nuk ishin të sapomartuar që të përjetësonin ditën më të shënuar të jetës, jo, ishin rreth moshës kur mund të quheshin meso-burrë dhe meso-grua, siç u themi në Shqipëri. Veshjet e tyre ishin thuajse ceremoniale, gjendja ishte e gëzueshme, ndoshta i bashkonte ndonjë përvjetor mbresëlënës.

Pas çdo shkrepje, shumica shkonin tek fotografi të shihnin në ekranin e vogël të aparatit se si ishin fotografuar. Duke i vërejtur një copë herë, m’u kujtua një fotografi e vitit të largët 1931, në të cilën fotografi Thimi Raci, kishte paraqitur dhjetë çifte të martuarish të fshatit Dardhë (Korçë). Këtë fotografi ma ka dhuruar koleksionisti dhe miku im, Vangjo Ilo, i ndarë nga jeta një vit e gjysmë më parë. E botojmë me gjithë shënimet e zakonëshme për çdo foto të arkivit të tij, çka tregon edhe se sa i kujdesshëm ishte ai me fotografitë që ruante, por në të dallohen edhe gjurmët e gjithë këtyre viteve.

10 burra emigrantë të fotografuar me gratë e tyre në Dardhë me logo
(Në foto: 10 burra emigrantë të fotografuar me gratë e tyre në Dardhë, ku kishin ardhur nga Amerika për te festuar Krishtlindjet ,1931 janar-Foto Raci (Arkivi, Vangjo Ilo)


Nga shënimet e dy pinjollëve dardharë (Vaskë Bruko e Adriana Stefani, që me këtë rast i falënderoj) të cilët, ndonëse në kontinentin amerikan, mbajnë gjallë dhe fortë lidhjet me fshatin e prejardhjes së tyre, mësohet diçka mbi historikun e fotos. Burrat e fotos, të cilët kishin vite që jetonin e punonin si mërgimtarë në Amerikë, ishin kthyer në dimrin 1930-31, përkohësisht në vendlindje për arsye të ndryshme si malli për të afërmit, martesa, lindje fëmijësh, rikthim në atdheun e ri së toku me gratë e tyre (bashkim familjar, siç quhet sot) etj.

Gjatë qëndrimit në fshat, kishin festuar Krishtlindjet, Vitin e Ri dhe Ujin e Bekuar. Më pas, tetë syresh, nga dhjetë të fotos, u kthyen rishtas në “Botën e Re”, bashkë me gratë. Brenda të dhënave të dy miqëve të mij janë dhe emrat e pothuajse të gjithë pjesëmarrësve në foto, por përmendja e tyre nuk hynë në objektivin e këtij shkrimi.
 
FOTOJA 80-VJEÇARE GRA DARDHARE ME XIBUN
 
Fotoja të “godit” qysh prej përpalljes fillestare me të, mandej të mban para saj e fillon të nxis përfytyrime të shumta e të ndryshme. Është në natyrën e fotografisë që përgjithësisht, ta cysë shikuesin të imagjinojë jo vetëm çastet e shkrepjes së saj, por ndoca edhe para tyre e, më shumë të tjera, sidomos pas ngjizjes. Kjo nuk lidhet veçmas me pritjen që do t’i bënin fotos “aktorët”, por edhe me rrugëtimin e gjatë në kohë, kur ajo do qëndronte para dhjetëra, qindra e ndoshta mijëra syve, një rrugëtim që ngërthen vlerat e vërteta të saj. Kështu, të nxitur nga të veçantat e kësaj fotoje mbi 80-vjeçare, hodhëm në letër disa përsiatje rreth saj të shkruar si me laps.

Gra dardhare me xibun, 1932 (Arkivi, Vangjo Illo) me logo
(Në foto: Gra dardhare me xibun, 1932 (Arkivi, Vangjo Illo)

Gjithsesi, ideja për t’u fotografuar bashkë me gratë e tyre, e hedhur nga njeri prej të mërguarve (i pari që e ka shqiptuar mendimin) është pritur mirë nga të gjithë, po dhe në mënyra të ndryshme. Në fund, të dhjetë (burrat vendosnin) janë njëmendësuar për ta bërë fotografinë. Kjo tregonte se në SHBA, ata nuk kishin fituar vetëm dollarë për vete e familjet, por dhe diç kishin përthithur nga mendësia amerikane e jetës dhe në një farë mënyre po e praktikonin atë në vendlindje.

Ndoshta dhe mjeshtër Thimit i është dukur i veçantë propozimi dhe e ka pranuar përnjëherë atë. Ai kish rreth njëzet vjet që fotografonte në fshat ngjarje të ndryshme, lindje, martesa, funerale, pagëzime, “ditë të emrit”, festa fetare, piknike, hyrje në shtëpi të reja, por kjo ishte disi e ndryshme. Përveç përfitimit material nga që do bënte të paktën dhjetë copë, atij i është ngacmuar disi përfytyrimi se ajo nuk do ishte një foto e rëndomtë (më vonë, koha i dha të drejtë përfytyrimit të tij). Usta Thimi, kishte bërë shumë foto të përbashkëta me burra dhe gra në raste të ndryshme, ose grupe të ndara sipas seksit, por “shkrepje” me kaq çifte së toku nuk i kishte ndodhur ndonjëherë.

Vijon në numrin e ardhshëm
 
(Në numrin e ardhshëm do të lexoni komentet rreth fotove te tjera të rralla. Kush e fotografoi dhe çfarë ndodhte ne “Hotel Dëfrimi” në Dardhë të Korçës në vitet ’30. Veshjet me peliç, kapela dhe pallto moderne të grave të Dardhës, etj)


Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print)  19.07.2013
 
Redaksi online
(b.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Elisa Spiropali flet si kryetare e Kuvendit, mesazh opozitës: ​​​​Nuk do më keni përballë por në krah, do jem vullnetmirë

Elisa Spiropali flet si kryetare e Kuvendit, mesazh opozitës: ​​​​Nuk do më keni përballë por në krah, do jem vullnetmirë