Zbulohen pllaka llamarine
tek monumenti i 100-vjetorit

Zbulohen pllaka llamarine<br />tek monumenti i 100-vjetorit
TIRANE- Një pllakë origjinale që ka veshur Monumentin e 100-vjetorit të pavarësisë me përmasa 1.5 metra katror kushton 300 euro, por nëse ajo zëvendësohet me llamarinë të zakonshme kushton vetëm 3 euro. Koston e një pllake të thjeshtë metalike e mësojmë nga ndërtuesit. Kamera e Ai Report dhe Shqiptarja.com ka zbuluar dje dy copa të thjeshta metalike (llamarine) mes pjesëve me material shumë më të shtrenjtë në trupin e këtij monumenti. Dallimi mes plakave të derdhura në Austri me aliazh të shtrenjtë dhe dy pllakave jocilësore është shumë i madh. Pllakat e thjeshta metalike dallojnë edhe më një sy të lirë, megjithatë përbërja e tyre me përzierje alumini dhe hekuri konfirmohet edhe nga specialistët. Dy pllakat metalike, ndryshe nga të tjerat që kanë veshur monumentin, janë ndryshkur dhe janë më të holla.

Si është e munduar që kompania që ka derdhur veprën të ketë futur edhe pllaka false në përbërjen e monumentit. Madje njëra nga këto pllaka është tërhequr gati për t’u shkulur, nga vjedhësit, por me sa duket nuk kanë mundur. Në krah të pllakës së ndryshkur janë shkulur të gjitha pllakat përbri, dhe nga koha në kohë monumenti i 100-vjetorit të pavarësisë zhvishet, duke e humbur edhe funksionin edhe përmbajtjen. Tetë pllaka të vjedhura deri tani me vlerën 300 euro bëjnë 2.400 euro që tashmë shkojnë të hedhura dëm. Ky është një problem që nuk po e frenon dot asnjë institucion, por vendosja e plakave të rreme në vend origjinaleve do të ishte e pafalshme, sepse kjo do të thotë që qindra euro janë vjedhur nga realizuesit, duke bërë këtë ndërrim materiali.

Materiali i monumentit të 100-vjetorit të pavarësisë do të derdhej në aliazhe metalesh te shtrenjta, ku është bërë një përzierje speciale, siç na kanë konfirmuar herë pas here nga drejtuesit e institucione të kulturës të asaj kohe se do të derdhen me metale të çmuara me qëllim që ato t’i rezistojnë kohës. Natyra e këtij materiali në projekt u paraqit e tillë, që me kalimin e kohës pjesa prej bronzi do të ndryshonte ngjyrën, por nuk do të ndryshkej, ndërsa pjesa tjetër e veshur me material të çmuar në një sipërfaqe të konsiderueshme do të ndriçonte pa e ndryshuar as ngjyrën. Ndërsa këto copa metali të ndryshkura të zbuluara nga kamera e Ai Report duken se nuk janë derdhur në asnjë lloj metali të çmuar. Janë së paku dy pllaka llamarine (dhe nuk e dimë se çfarë kanë qenë pllakat e shkulura përbri).

Dje, pas artikullit të Shqiptarja.com, për shkurtimin rreth dy metra që i është bërë lartësisë së Monumentit të Pavarësisë, pikëpyetja që shtrohej është se ku kanë shkuar fondet që janë nisur në fillim për të derdhur për një monument 8 metra të lartë në Austri. Ne kemi kapur fillin e “rrjedhjes” së shumës, për ta ndjekur çështjen më pas, sepse kostoja prej 450 mijë eurosh nuk e justifikon cilësinë e ulët të realizimit, as futjen e pllakave të lira metalike dhe as shkarravinat që janë bërë në muret e këtij monumenti.
 
Përbalten firmëtarët e Pavarësisë
“Nuk jam shumë e sigurt, nëse shkruhet këtu, por në qoftë se këtu ka emra njerëzish të mëdhenj, unë jam një prej tyre”. Ky është nënshkrimi i një vajze anonime që shkarravit si shumë moshatarë të saj monumentin e 100-vjetorit të Pavarësisë, duke u tallur me firmëtarët e nderuar. Nënshkrimit të saj i bëjnë shoqëri edhe fraza të tilla, si “të dua”, “të kam zemër”, “ti je jeta ime” dhe piktura me zemra dhe shigjeta. Muret e brendshme të monumentit të 100-vjetorit të Pavarësisë janë bërë si një “telajo” e ndotur” ku çdokush mund të shkarravis çfarë të dojë. Sipërfaqja që zënë shkarravinat, është më e madhe se Deklarata e Pavarësisë. Në këtë miks përmbajtjesh dhe shkrimesh dhe me copa pllakash të shqyera, e disa që janë gati për të rënë përtokë, monumenti i 100-vjetorit të Pavarësisë e ka humbur funksionin simbolik për të cilin u ngrit më 28 Nëntor 2012.

pllaka te monumenti me logo
(Në foto: Pllakat e ndryshkura me material të ndryshëm nga origjinali)


Shkrimi u publikua sot (30.01.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)

  • Sondazhi i ditës:

    Si do e drejtojë Kuvendin Elisa Spiropali krahasuar me Lindita Nikollën?



×

Lajmi i fundit

Presidenti Steinmeier i kërkon falje Polonisë për krimet gjermane

Presidenti Steinmeier i kërkon falje Polonisë për krimet gjermane