Gazeta Shqiptarja.com, në numrin e sotëm ngriti pikëpyetje në lidhje me respektimin e afateve nga ana e Bashkisë së Tiranës për dorëzimin e kërkesës tek Enti Rregullator i Ujit.
Fill pas kësaj ERRU në një reagim për mediat ka zbardhur hapat e ndjekur për këtë procedurë.
Sipas Entit Rregullator të Ujit, shoqëria Ujësjellës Kanalizime Tiranë ka depozituar kërkesën më datë 30 Qershor 2017 për miratimin e tarifave të reja të shërbimeve të ujësjellës kanalizimeve për konsumatorët në territorin administrativ të Bashkisë Tiranë.
Nëse kjo kërkesë nuk do të ishte dorëzuar para datës 30 qershor, siç e parashikon ligji atëherë vendimi i Këshillit Bashkiak dhe e gjithë procedura do të ishte nul.
Por duket se larg vëmendjes së opinionit publik Bashkia e Tiranës ka dorëzuar kërkesën duke e futur procesin në shinat e ligjit 26 ditë para aprovimit nga Këshilli Bashkiak.
Më tej ERRU sqaron se dosja është në fazën e verifikimit të dokumentacionit ku thekson se dosjes i është bashkangjitur edhe dokumentacioni i mbledhjes së Këshillit Bashkiak dhe dëgjesës publike.
Po realisht sipas ligjit, mbledhja e Këshillit Bashkiak dhe dëgjesa publike duhet të ishin bërë para kërkesës dorëzuar tek ERRU, dhe jo 27 ditë me vonë.
“ERRU në zbatim të akteve ligjore është në fazën e verifikimit formal të dokumentacionit të paraqitur nga UKT për ndryshimin e tarifave.
Gjatë kësaj periudhe në vijim të komunikimit zyrtar nga ana e shoqërisë janë realizuar përkatësisht seanca e Këshillit Bashkiak Tiranë për të shprehur opinionin e saj mbi propozimin e tarifave të reja, si edhe seanca dëgjimore me publikun.
Dosja e plotë e propozimit së bashku me detajet e tjera shtesë sqaruese që do të kërkojë Komisioni Kombëtar Rregullator i ERRU do të fillojë të shqyrtohet në fund të muajit Gusht 2017”, bën me dije ERRU.
Sipas ligjit ligjin Nr. 8102 (i ndryshuar) dhe vendimit të ERRU datë 09.12. 2015, procedura e aplikimit fillon me paraqitjen e kërkesës nga operatori për ndryshimin e tarifave.
Përpara paraqitjes së aplikimit për ndryshimin e tarifave pranë Entit Rregullator, operatori bazuar në plan biznesi, i paraqet kërkesën për miratimin e ndryshimit të tarifave organeve drejtuese të shoqërisë, pronarit si dhe organizon seancën dëgjimore me publikun (bazuar në udhëzimin përkatës).
Procedurat e përmendura më sipër, pra Mbledhja e Këshillit Bashkiak dhe dëgjesa publike duhet të ishin bërë para datës 30 qershor, datë në të cilën është bërë edhe aplikimi.
Por në fakt dëgjesa publike mbi rritje e cmimi jane zhvilluar nga UKT dhe bashkia vetëm sot.
Kryetari i Bashkisë Erjon Veliaj ka argumentuar rritjen e cmimit të ujit me 44 për qind me një plan investimi 220 milionë euro për të garantuar brenda 5 viteve të ardhshme 24 orë ujë të pijshëm në Tiranë.
Redaksia Online
e.m/Shqiptarja.com