Zbulohet ditari i Safo Markos
Kujtimet për Petron nga burgu në liri

Zbulohet ditari i Safo Markos<br />Kujtimet për Petron nga burgu në liri
Ai ishte në burg. Ditët kalonin. Nëna ime e veshur si gjithmonë me të zeza për vdekjen e babait tim lëvizte nëpër dhomën e vetme që kishim, si hije, pa zhurmë. Gjente përherë një punë për të bërë, por asnjë fjalë për të thënë. Ishte viti 1947.

E vërteta e pabesueshme, e pamohueshme ishte e qartë: ai, Petroja ishte i mbyllur përsëri në burg. Unë e lirë përjashta. Çfarë lirie? Nëna përgatiste ushqimin e paktë (ishin kohë të vështira) në tasat e vegjël prej alumini dhe dy feta bukë të zezë të cilat do t’i çoja unë në orën 12.30 në burg për Petron, të dashurin shokun tim, luftëtarin e Spanjës, poetin, gazetarin, të internuarin në ishullin e Ustikës nga fashizmi Italian, djalin shqiptar, bregdetasin, që në prag të çlirimit u kthye në atdhe me një tabor shokësh e miqsh grumbulluar në Bari e Romë pas çlirimit të Italisë nga fashizmi, të gjithë dalë nga burgjet dhe internimet larg atdheut, nga lufta në male e në tokë të huaj me kërcënimin e vdekjes këmba këmbës, Por ata u përpoqën e duke u bashkuar me shokët mbritën në brigjet e atdheut me përpjekje mbinjerëzore, për të marrë pjesë në çlirimin e tij pranë shokëve partizanë, që të inkuadruar në armata luftuan dhe e arritën qëllimin e tyre duke mos kursyer as jetën. Sado të sfilitur ata hodhën hapat e para në brigjet e vendlindjes të pritur nga vëllezërit dhe motrat partizane, të pritur nga populli që i dha jetën luftës për çlirim.

Petroja me rreth dyqint shokë zbritën në bregun aq të dashur e të shtrenjtë në Spile të Himarës e më pas kaluan nga Dhërmiu, fshati i tij i lindjes, për të cilin ai thosh se ishte vendi më i bukur i botës. Në brigjet tona prisnin ushtarët italianë të shpartalluar, ndërsa populli që i kishte ndihmuar e mbrojtur nga gjermanët, i përcillte të hipnin në anijet e rastit për tu kthyer andej nga kishin ardhur. Fashizmi Italian la në tokën tonë kufoma të panumërta këmishëzes, që u varrosën aty ku ranë, u varrosën në male ku kish dëborë dhe mbetën përgjithmonë në tokën që kishin shkelur…..

***
Kur erdhi njeriu i Frontit me urdhërin për largimin tim nga Tirana, nëna ime i tregoi shkresën e Ministrit për emërimin tim si piktore pranë Ministrisë së Bujqësisë. Brenda në dhomë unë mbaja dënesat që më shqyenin gjoksin, që të mos më dëgjonte njeriu i lagjes. Kur ai u largua u futa në gjoksin e nënës dhe i thashë: “Po tani?”
“Tani - tha ajo - ti do të punosh dhe unë do të përgatis ushqimin edhe për burgun. Ti do t’ia çosh çdo ditë dhe do të kthehesh të pikturosh porositë e gazetës dhe çfarëdolloj pune që do të kërkojnë prej teje si piktore. Do rrojmë edhe ne edhe ai atje brenda. Eshtë mësuar i mjeri, burg tërë jetën ka bërë! Jetimi i nënës – dhe fshiu lotët.”
Oh se ç’nënë kam – thashë me vete - Kjo është një zonjë e madhe!
Po sidoqoftë unë mbeta pa krahë, pa buzëqeshje. E mveshur me ankth e mjerim. Ato ditë duhej krijuar tabloja e rradhës, e madhe me dimensione shtatë me pesë metra. Zgjidhej një ngjarje politike e rëndësishme, e pikturoja unë në oborrin e shtëpisë sonë fare të vogël edhe pse kishte ardhur dimri e më mërdhinin duart e më bëheshin akull...

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Borsh/ Gomonia pësoi defekt, 9 familjarëve iu rrezikua jeta, mes tyre edhe fëmijë! Policia iu vjen në ndihmë

Borsh/ Gomonia pësoi defekt, 9 familjarëve iu rrezikua jeta, mes tyre edhe fëmijë! Policia iu vjen në ndihmë