Zbulohet gjaku i princave
shqiptarë në Ballkan e Europë

Zbulohet gjaku i princave<br />
shqiptarë në Ballkan e Europë
Libri “Despotë të Epirit e princër të Maqedonisë” hedh dritë mbi historinë e aristokracisë shqiptare në shekuj. Konkluzioni më interesant që del prej këtij libri është fakti se fiset aristokratike shqiptare të detyruara nga pushtimi osman kanë emigruar në vendet fqinje duke mbartur gjuhën, kulturën traditën dhe stilin specifik të jetesës. Kështu, për rreth 5 shekuj ata nuk e kanë lejuar asimilimin nga kulturat vendase. Kjo e ka ndihmuar autorin e këtij libri Paolo Petta, një ndër studiuesit më interesantë të historisë së Shqipërisë të këtyre dekadave të fundit, që të gjej gjurmët e dhjetëra trashëgimive të këtyre principatave.

Paolo Peta ka nisur kërkimet e në arkiva dhe në terren për të zbuluar pasardhësit që nga “trashëgimia e vështirë e Skënderbeut”, ku ka gjetur edhe pasardhësit e tij në mërgim, duke renduar pastaj në gjurmë të tjera të dyerve princërore shqiptare, ku ka gjetur trashëgimtarë të familjes së Muzakajve në Napoli, që për ta ka qenë një vend strehimi i sigurt në kohë të vështira. Peta ka zbuluar degë të familjes së Gjergj Arianitit, ku rrëfimet dokumentare në këtë libër janë shpesh të mahnitshme, siç është rasti kur ai tregon për pasardhësen Angjelina, degë e emigracioni serb dhe martesën me një italian.

Peta ka takuar edhe pasardhësin e Aranitëve Kostandinin dhe vëllezërit e tij, të cilëve u kushton një kapitull më vete, “Zoti Kostandin” në Monferrato dhe në lojën politike franceze. Në faqet e këtij libri zbulon gjakun e princërve të tjerë shqiptarë, Topiajt, Dukagjinët, etj. Paolo Petta (1942 - 1999) u lind në Feltre të Italisë në një familje me origjinë nga Piana degli Albanesi. Ekspert i së Drejtës Kushtetuese dhe studiues historie, ai ka punuar në Senatin e Republikës Italiane si Drejtor i Shërbimit për hartimin dhe rishikimin e teksteve legjislative.

Ai është autor i disa shkrimeve historike, mes të cilave dhe i dy librave, si dhe i një sërë shkrimesh me temën shqiptare. Ndër veprat e tij, mund të veçohet “Stratiotët, ushtarë shqiptarë në Itali (shek. XV - XIX) Argo, 1996.      Bashkë me librin “Despotë të Epirit e princër të Maqedonisë”, po i japim lexuesit edhe një shkrim tjetër interesant të autorit, “Paradokse shqiptare, kaq afër e kaq larg”, marrë nga revista “Politika ndërkombëtare” nr. 3, 1994 Romë. Duke shkëputur një fragment nga libri i tij vërejmë se çështja e trashëgimisë princërore të gjakut shqiptar është me shumë rëndësi për këtë autor:

IKJA NGA SHQIPËRIA
 
“Emigrimi i shqiptarëve në Itali, të paktën duke nisur nga dhjetëvjeçarët e fundit të shek. XIV, ka qenë një dukuri thuajse e qëndrueshme në historinë e dy vendeve. Në periudha historike të veçanta, siç është kjo që po kalojmë, ky fluks ka marrë përmasat dramatike të një vërshimi. Pas vdekjes së Gjergj Kastriot-Skënderbeut (1468), njeriut që për më se dy dhjetëvjeçarë drejtoi një luftë sa heroike aq edhe të pashpresë kundër perandorisë osmane, dhjetëra mijëra shqiptarë mërguan në Itali. Prapa tyre ata linin një vend të rrënuar, ku po konsolidohej një regjim që për ta ishte i huaj dhe armiqësor, por që me kalimin e kohës do të hidhte rrënjë të thella në shoqërinë shqiptare.

Ky libër rreket të ndjekë fatin e një grupi tepër të veçantë të ikurish, atë të pinjollëve të familjeve fisnike të Shqipërisë së krishterë, të cilët gjetën strehim në Itali, duke mos pranuar të ktheheshin në fenë islame, gjë që do i kishte lejuar ata të ruanin qoftë edhe pjesërisht zotërimet e veta. Në krye të tyre qëndronin, të paktën idealisht, pasardhësit e Skënderbeut, por bashkë me ta mund të shquajmë gjurmët e një pjese të mirë të familjeve që kishin qenë në krye të listës para pushtimit osman. Nuk përfshihen në këtë studim ato familje shqiptare (si Buat), që erdhën në Itali nga Greqia, ku gjithashtu kishin arritur të bënin emër.

Siç pohonte Paolo Sarpi, ajo çka i jep shtysa historianit është gjithmonë “shija e gjërave njerëzore”: shija e përhershme që qëmtohet në çdo histori dhimbjesh e pasionesh, pushteti e intrige, pavarësisht nga fakti se në të përfshihen pak persona, grupe të gjëra shoqërore apo popuj të tërë. Në rastin tonë historia zhvillohet në botën gjithë shkëlqim të Rilindjes italiane, edhe pse protagonistët e saj nuk janë italianë: ata janë fisnikë të shpronësuar, që luhateshin mes dëshpërimit të një rrënimi të pakthyeshëm dhe shpresës për një integrim të mundshëm në klasën sunduese; që vuanin fatalisht sa inercinë e një jete të karakterizuar nga solidariteti i familjes, i grupit ose i fisit, aq edhe joshjen për t’u përshtatur, për t’u bërë italianë, ndonjëherë madje më shumë se vetë italianët.

Në mënyrë të pashmangshme ky trajtim lë në hije masën kryesore të mërgimtarëve, ata që nuk patën fatin të priteshin në pallatet e papëve, të mbretërve e të princërve, ata që, edhe nëse u lejuan të zbrisnin në tokë, gjë që nuk ndodh sot, gjithsesi nuk u lanë t’u afroheshin qyteteve, që i shihnin ata me dyshim e frikë. “Të zë një trishtim i madh, Imzot, kur sheh të vijnë këta njerëz të ngratë e mjaft të varfër të shoqëruar nga fëmijë, të cilët nuk lejohen të hyjnë në qytetet e në zotërimet tuaja dhe janë vendosur në fushë të hapur, të zhveshur ose të veshur si mos më keq”: kështu i shkruante më 1467 një oficer aragonez mbretit të tij1.

Do të ishte e padrejtë të akuzoheshin Kastriotët, Arianitët, Muzakët që nuk e kishin vënë ujin në zjarr për fatin e këtyre njerëzve: por historitë e tyre ishin pa dyshim shumë të ndryshme.
 
ARISTOKRACIA SHQIPTARE
 
Për arsye që vetëkuptohen, të ikurit shqiptarë në Itali u përpoqën të paraqiteshin si trashëgimtarë të një bujarie pak a shumë të ngjashme me atë perëndimore. Shpesh herë një gjë të tillë e bënë duke i veshur vetes tituj të bujshëm e krejtësisht të sajuar, sipas modeleve që ofronte tradita bizantine, ajo e feudalizmit latin në Lindje ose tradita perëndimore (“despot i Epirit”, “dukë i Akesë”, “princ i Maqedonisë”). Kuptohet, nuk na lejohet të kemi dyshime mbi karakterin e vërtetë të kësaj “bujarie”, por nga ana tjetër nuk ka përse të përqeshim një praktikë, që ndiqej edhe nga pinjollë të familjeve që kishin qenë vërtet të fuqishme e me lavd.

Në kuadrin e shpërbërjes së pushtetit qendror që kishte karakterizuar Shqipërinë pas shembjes së perandorisë serbe (1356), mjaft krerë feudalë arritën të krijonin minishtetet e tyre, ku silleshin si sovranë të vërtetë: jo si “baronë”, siç do të thuhej në terminologjinë e kohës, por si “princër”. Kronikat e dokumentet italiane ose raguzane, siç duket qartë, të pavendosura se si mund t’i thërrisnin, i quanin “signoretti”, “signorelli” ose edhe “regulli”. Disa prej këtyre zotërinjve i përkisnin familjeve që ishin të pushtetshme, ngaqë qenë në krye të fiseve të mëdha dhe që në ndonjë rast, si në atë të Muzakëve e të Dukagjinëve, i kishin dhënë emrin e tyre krahinave të tëra.

Megjithatë, me kalimin e kohës, pushteti i tyre mbështetej gjithnjë e më shumë mbi pasurinë e trashëgiminë, duke i humbur tiparet demokratike të organizimit të dikurshëm fisnor. Në shumë raste ngjitja e tyre ishte bërë nën hijen e perandorëve ose despotëve bizantinë e serbë, të cilëve u kishin shërbyer dhe prej të cilëve ishin shpërblyer me tituj të bujshëm, si sebastokrator e të tjerë. Në fund të fundit, kështu vepruan edhe turqit, të cilët përshtatën një sistem mjaft të ngjashëm me sistemin feudal, atë të timareve, të cilat shpesh u shpërndaheshin anëtarëve të familjeve të mëdha në po ato toka që kishin qenë gjithnjë pronë e tyre.

Në Shqipërinë paraosmane nuk mund të flitej për një sistem feudal në kuptimin e vërtetë të fjalës. Kjo edhe për arsyen se mungonte vetë institucioni që e karakterizon sistemin në fjalë: dhurimi solemn i feudit nga ana e kryezotit. Vetëm nëse u referohesh formave të pushtetit ekonomik dhe kushteve të bujqve, mund të flitet për një feudalizëm shqiptar me po ato tipare të përafërta që kishte “feudalizmi bizantin” i studiuar nga Ostrogorski, ku bujkrobëria praktikisht mungonte1.

Sa për “fisnikërinë”, që sipas konceptit perëndimor përfaqësonte një shtresë me një status juridik të veçantë, as që mund të bëhej fjalë. Në fund të fundit, edhe në Perëndim nocioni i “fisnikërisë” u poq gjatë një procesi të gjatë historik e ideologjik, si rezultat i puqjes së traditave juridike e kulturore të ndryshme. Është rasti të nënvizojmë se në Shqipëri, ndryshe nga ç’ndodhte, për shembull, në Kostandinopojë, thjeshtësia e madhe e strukturave shoqërore e bënte më të dukshme ndarjen e klasave, sado që një ndarje e tillë mund të zbutej nga solidariteti i fisit; nga ana tjetër, nuk ekzistonte, ose ekzistonte fare pak, ajo lëndë amortizuese, që në shoqëritë më të zhvilluara përfaqësohej nga shtresa shoqërore siç ishin fisnikëria e togës ose patriciati i qyteteve, për të mos folur pastaj për elementë të ndryshëm të borgjezisë qytetare në formim e sipër2.

Në rastin e Shqipërisë do të ishte më e saktë të flitej për një grumbull anarkik zotërinjsh të vegjël, të mbështetur nga krerë të tjerë të vegjël që ishin nën pushtetin e tyre (dhe që për lehtësi do të mund t’i quanim “vasalë”), të cilët shpesh herë lidheshin me të parët në linjë fisnore dhe, për rrjedhojë, pranoheshin në rrethin e tyre familjar. Pas çdo gjase, e tillë ishte pozita e Vrana Kontit (për të cilin do të flitet më poshtë) ndaj Skënderbeut3 . Konturet e këtyre hierarkive shoqërore shquhen qartë edhe pas fasadës barazitare e meritokrate të perandorisë osmane. Sa për zotërimet veneciane, aty përmenden familje të hershme, që kishin mundur të ruanin pasurinë dhe autoritetin e dikurshëm, edhe pse nuk kishin më pushtet politik.

Familjet në fjalë përbënin atë që vetëm për krahasim mund ta quajmë “bujari” ose më mirë, “fisnikëri” shqiptare, kohezioni i së cilës ishte ngjizur me një rrjet të dendur marrëdhëniesh martesore, falë së cilës, si dhe numrit të madh të fëmijëve nga familjet e shquara dhe zakonit të rimartesës së burrave të ve e grave të veja, çdo shtëpie të rëndësishme i binte të kishte lidhje familjare të shumëfishta me familjet e tjera. Është e tepërt të thuhet se pikërisht një praktike të tillë i duhet njohur edhe ai funksion legjitimimi shoqëror i ndërsjelltë, i cili konfirmon homogjenitetin e segmenteve të ndryshëm të kësaj shtrese sunduese (si në zotërimet e pavarura ashtu edhe në zotërimet veneciane ose turke) dhe largësinë e tyre nga shtresat më të ulëta.

Shkrimi u botua sot në suplementin Rilindasi të gazetës Shqiptarja.com (print) 26.05.2013
 
Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Durrës, ndezi zjarr te ‘Shkëmbi i Kavajës’ dhe rrezikoi disa banesa, në pranga 64-vjeçari

Durrës, ndezi zjarr te ‘Shkëmbi i Kavajës’ dhe rrezikoi disa banesa, në pranga 64-vjeçari