TIRANE - Dy persona u vunë në pranga nga policia e Tiranës dhe një i tretë u shpall në kërkim pasi akuzohen për kalimin e paligjshëm të kufirit të emigrantëve klandestinë.

Në një operacion të koduar “Itinerari” u godit tentativa e  kalim të paligjshëm të kufirit kundrejt parave, të emigrantëve nga Siria, me qëllim dërgimin në vende të BE-së.

Në pranga ranë E. M., 26 vjeç dhe  E. H., 33 vjeç, të dy banues ne Zemblak, Korçë, ndërsa u shpall në kërkim K. H., 39 vjeç.

Në bashkëpunim me njëri-tjetrin, ata dyshohet se me makinat e tyre private, kundrejt shpërblimit monetar kanë marrë 8 emigrantë klandestinë të kombësisë siriane në qytetin e Bilishtit, në afërsi të kufirit të gjelbër me Greqinë, për t’i sjellë në Tiranë, të cilët më pas do merreshin nga persona të tjerë me qëllim dërgimin e tyre në kufirin e gjelbër me Malin e Zi, me destinacion final vendet e Bashkimit Europian. 

Në cilësinë e provës materiale, në kuadër të këtij operacioni, u sekuestruan 2 automjete dhe 12 aparate celularë.

"Po punohet intensivisht për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të implikuar në këtë veprimtari kriminale. Materialet procedurale do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprën penale “Dhënie ndihme për kalim të paligjshëm të kufirit, e kryer në bashkëpunim”, thotë Policia në një njoftim zyrtar.