TIRANE- Presidenti Bujar Nishani pas kërkesës së Ministrit të Jashtëm Ditmir Bushati ka ç’dekretuar gjashtë ambasadorë, për shkak se kishin kaluar të gjitha afatet kohore të qëndrimit në krye të një ambasade por dhe ishin në moshën e pensionit. Emrat dhe shtetet.
 
Presidenti i Republikës Bujar Nishani ka ç’dekretuar gjashtë ambasadorë shqiptarë në vendet më të rëndësishme të globit ku Shqipëria ka të akredituar ambasadën e saj. Pas kërkesës së herëpashershme të shefit të ri të diplomacisë shqiptare, Ditmir Bushati për përfundimin e mandatit të disa ambasadorëve shqiptarë të akredituar në kryeqytetet e vendeve më të rëndësishme të botës dhe paralizimit të punës në këto ambasada për shkak se ata janë përtej parametrave ligjorë për të qëndruar në ato poste, kreu i shtetit Nishani ka vendosur të ç’dekretojë dhe lirojë nga detyra gjashtë ambasadorë.

Burimet të sigurta në Presidencë saktësojnë se kreu i shtetit ka vendosur për të liruar nga detyra e lartë e ambasadorit Vili Minarollin, ambasador në Vjenë të Austrisë, cili ka qënë kohë më parë ambasador në Athinë dhe akoma më herët ka qënë deputet i PD dhe sekretar i marrëdhënieve me Publikun në këtë parti.

Gjithashtu Nishani ka ç’dekretuar Mehmet Elezin, ambasador në Bernë të Zvicrës, ish-sekretar i Parë i Komitetit Qëndror të Rinisë së PPSH, më pas marrë me gazetari dhe politikë. Njëherësh është ç’dekretuar nga Presidenti Nishani dhe ambasadori i Shqipërisë në Shkup të Maqedonisë Arben Çejku, ish-gazetar dhe për tetë vite ambasador si dhe është ç’dekretuar dhe një diplomat karriere, ambasadori i Shqipërisë në Beograd të Serbisë Shpëtim Çaushi. Por janë ç’dekretuar ngqa Presidenti Nishani dhe ambasadori i Shqipërisë në Suedi Ruhi Hado si dhe ambasadori i Shqipërisë në Katar, Ridi Kurtezi.

Arësyeja e dhënë nga ana e Ministrisë së Jashtme në kërkesën e tyre për në Presidencë për të argumentuar ç’dekretimin e këtyre ambasadorëve është fakti se ka prej tyre që kanë qëndruar dhe tetë vite rresht si ambasadorë, pavarësisht se ligji përcakton se mandati i tyre është vetëm katër vite në një ambasadë. Njëherësh argument tjetër është se disa prej tyre kanë tejkaluar moshën e shërbimit në diplomaci dhe do të jenë pjesë e listave për të dalë në pension për efekt moshe.

Ndërkohë që një pjesë e tyre janë të ardhur nga politika, dhe kanë qënë pjesë e debateve mes opozitës së atëhershme të PS dhe ish-mazhorancës së Berishës, në lidhje me përqindjen e rekrutimit në shërbimin diplomatik, ku sipas akuzave të PS, kishte një raport të përmbysur në kundërshtim me ligjin. Mësohet gjithashtu se Presidenti Nishani ka rezistuar për një emër ambasadori për mos ta ç’dekretuar, pavarësisht se nuk bëhet i ditur emri i tij, i cili është zhytur në mister dhe që pritet të zbardhet ditët e ardhshme. Kohë më parë janë shkarkuar dhe dy konsujt e përgjithshëm, përkatësisht në Milano Nausika Spahia dhe në Uashington Dritan Mishto, ish-zëdhënësi i ish-kryeministrit Berisha.
 
Ambasadorët e ç’dekretuar nga Nishani

 
Vili Minarolli
Ambasador në Austri

 
Mehmet Elezi
Ambasador në Zvicër
 
Shpëtim Çaushi
Ambasador në Serbi
 
Arben Çejku
Ambasador në Maqedoni
 
Ruhi Hado
Ambasador në Suedi
 
Ridi Kurtezi
Ambasador Katar
 
Janë të shkarkuar
Dritan Mishto
Konsullata në Nju Jork
 
Nausika Spahiu
Konsullata në Milano


Shkrimi u publikua sot (23.10.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com)